E Shtunë, 31 Tetor 2026

Autorizimet e lavatriçeve si “politikë e re”



Nga Edvin Kulluri

Një nga simbolikat më domethënëse të varfërisë dhe degradimit të komunizmit të viteve ’80 ka qenë pikërisht miti i “autorizimeve të televizorëve apo lavatriçeve”. Pjesa më e madhe e shqiptarëve as nuk e çonin ndërmend të kishin një lavatriçe apo televizor për nevojat më të ngushta higjenike dhe informative, por kjo nuk i pengonte ata që të kërkonin pajisje të tilla, me shpresën se partia një ditë do t’ua plotësonte dëshirën apo nevojën minimale. I gjithë ky proces qesharak, po aq sa dramatik, kalonte nëpërmjet vullnetit të organizatës bazë dhe “kuadrove të lartë” të ndërmarrjes apo kooperativës përkatëse. Nëse shokët e partisë të kishin me sy të mirë, edhe mund të kishe ndonjë mundësi të shihje ndeshjen Partizani i Beogradit - Flamurtari bardhezi në shtëpi. Nëse jo, gjendej jo pa vështirësi një komshi që, për fat, e kishte një televizor të marrë me autorizim dhe zhurmues gjithashtu. Në këto kushte lindën nëpër qytetin socialist thashethemet gjysmë disidente dhe barcaletat e historitë e para që vinin në lojë një sistem të degraduar në fuqi. Pak a shumë një e tillë qe edhe ajo e një punëtori kaldaje në Universitetin e Tiranës që megjithëse e kishte kërkuar një autorizim për televizor prej 10 vitesh, ende nuk e kishte marrë dot, ndaj shkon dhe e pyet rektorin se “përse nuk mund të pajisej me autorizim për televizor, megjithëse ishte anëtar i organizatës bazë, ndërkohë që vazhdimisht pedagogët dhe administrata e universitetit hera-herës përfitonin nga zemërgjerësia e partisë”. Dhe rektori i zënë ngushtë, me sarkazmën e detyruar nga kushtet i përgjigjet “se ti shoku punëtor, ke pasurinë më të madhe, teserën e partisë ndaj nuk ka ç’të duhet televizori”. Kjo histori e treguar e ritreguar me mijëra herë nëpër kafenetë e xhirot e pafundme pa zë në bulevardin e saj kohe, sot merr vlerë jo si kujtim i hidhur i kohës së komunizmit, por sepse gjen analogji të fortë me sjelljen e kryetarit të opozitës, Edi Rama.

Ditët e fundit, në daljet e tij publike, shefi i opozitës së re, pa gjysmën e opozitës, doli rrugëve të Tiranës me mënyrën e tij tashmë të vjetër të të bërit politikë. Atë të manipulimit banal të opinionit publik dhe qytetarëve në mënyrë të drejtpërdrejtë. Meqenëse i duhej që të mblidhte njerëz për mitingun e tij, protestë për ngjarjen e Gërdecit, Rama pyeste ndonjë pensionist apo qytetar të thjeshtë: “A të del pensioni për të blerë Mercedes?” Atëherë Rama vazhdon më tej duke thënë: “Duku njëherë nga mitingu im se do ta blesh Mercedesin kur të vijë e majta e re në pushtet”. Apo: “A je i kënaqur me të ardhurat që ke?” Përgjigjet që vijnë në këto raste natyrshëm janë pjesërisht reflektim i pakënaqësisë së shumë shqiptarëve, të cilët nuk mund të jenë të kënaqur lidhur me ëndrrën e tyre perëndimore nisur 18 vite më parë. Së pari, sepse ashtu si në shoqëritë perëndimore, ku e drejta e shprehjes së opinionit është e garantuar, qytetarët kanë gjithnjë mundësinë të shprehen të pakënaqur. “Është vetë gjendja e lirisë e cila i bën njerëzit që të jenë të pakënaqur në një sistem demokratik”, - shkruan një politolog i rëndësishëm i shekullit të kaluar. Por kjo s’do të thotë që pakënaqësia lidhet domosdoshmërisht me një qeveri të caktuar, por thjesht me faktin e shkompleksimit individual që kërkon gjithnjë e më shumë, duke qenë i ndërgjegjshëm që një ekonomi e tregut të lirë dhe një sistem politik i themeluar mbi lirinë e shtrin hapësirën e ambicies individuale në ekstremin e së mundshmes. Përderisa kemi mundësinë të ankohemi, përse të mos e përdorim atë?! Ky është një nga tiparet dalluese mes një sistemi totalitar dhe demokratik. Në të parin nuk jemi të lirë të flasim e shprehemi lirisht, në të dytin po, ndaj dhe sjellja jonë ndaj pushtetit ndryshon.

Kjo do të thotë, në rastin konkret, se nëse një politikan apo gazetar pyet një njeri të zakonshëm nëse “je i kënaqur me gjendjen tënde” apo “nëse je i kënaqur me qeverinë aktuale”, dallimi i pyetjeve imponon dhe një dallim të madh të përgjigjeve. Zoti Rama duhet të pyesë vetë apo nëpërmjet “Zogby-t” të tij se “ç’mendojnë shqiptarët për qeverisjen aktuale”. Atëherë nuk do të merrte përgjigje të pilotuara, por konkrete. Por atij nuk i pëlqen të pyesë në këtë mënyrë, pasi edhe premtimi i tij vijues nuk është konkret, por thjesht propagandistik e demagogjik. Shtrimi i pyetjeve e intervistave të tilla të sajuara nëpër zyra bashkie e jo redaksi lajmesh e studiosh montazhi tejet dashamirëse me të, çon tek deklaratat e tij pa kuptim, siç thotë Fatos Nano. Pa projekt politik, pa objekt konkret, në evazivitet dhe qëllime të errëta pushteti, por jo zgjidhjesh të problemeve, përveç njërit. Përpjekjeve konfuze për të ardhur në pushtet.

Duke qenë se logjika e njerëzve të thjeshtë nuk manipulohet në mënyrë kaq banale siç mëton zoti Rama dhe tërë vullnetarët e tij jakobinë, do të thotë se këto teknika mediokre të manipulimit të opinionit do të japin një rezultat. Ngeljen në klasë. Humbjen e zgjedhjeve. Qytetarët presin përgjigje konkrete e të arsyeshme prej politikes, e jo fjalë të përgjithshme apo mashtrime intelektualo-mediatike. E kur PS-ja të humbë zgjedhjet më 28 qershor, ashtu siç duken gjasat, Ramës do t’i duhet ta mbyllë karrierën e tij duke treguar një fabul po aq të famshme në bulevardin politik të viteve ’80. Atë të një grupi intelektualësh gjirokastritë, të cilët kishin dy vjet që prisnin autorizime lavatriçesh. Pikërisht në muajt e parë të vitit 1990 atyre u mbaroi durimi e i zunë rrugën kryetarit të komitetit ekzekutiv të rrethit duke e pyetur: “Shoku kryetar, kemi dy vjet që na keni premtuar autorizime dhe s’po i shohim akoma”. Dhe kryetari me të njëjtën sarkazëm të rektorit të Universitetit të Tiranës, si në tregimin në fillim të shkrimit, u përgjigj¬: “Nuk e shihni që këtu po rrëzohet pushteti popullor, kurse ju e keni mendjen tek lavatriçet!”

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›