I kërkuari shqiptar, i lirë dhe asistencë në Britani
Një i dënuar nga drejtësia shqiptare me 20 vjet heqje lirie për vrasjen e një personi gjendet me dokumente të rregullta në Britani dhe ka marrë nga ky shtet 120 mijë paundë ndihmë. Rasti u publikua nga revista britanike “People”. Afrim Sinani u dënua nga gjykata pasi u shpall fajtor për vrasjen e një personi, me motivin e gjakmarrjes. Sipas tij, ai e kreu këtë veprim, pasi viktima i kishte vrarë babanë. Më pas, i kërkuari doli nga burgu dhe udhëtoi në Britani, ku edhe jeton i martuar me tre fëmijë.
Për qeverinë britanike është rasti i dytë, ku denoncohet paaftësia e shtetit për të dëbuar kriminelët. Gjykata kishte urdhëruar që ai të ekstradohej në Shqipëri, por avokatët e Sinanit apeluan vendimin, duke bërë që ai të qëndronte sërish në vendin ishullor.
Sipas revistës angleze, policët britanikë u paralajmëruan 6 vite më parë se krimineli shqiptar përdorte emër të rremë. Interpoli madje nxori një foto të tij si dhe gjurmët e gishtërinjve. Por policia nuk e gjeti dot atë dhe më pas Sinani u pajis me pasaportë britanike. Tani i kërkuari nga drejtësia ka mbiemrin Pulaj dhe jeton në Ilford në lindje të Londrës me gruan e tij, Myzaferen, dhe tre fëmijët. Në vitin 1997 doli nga burgu dhe bashke me gruan mbërriti me kamion në Britani. Në vitin 2000 atij iu dha azil, pasi deklaroi se ishte refugjat nga Kosova. Në 2005 Sinani siguroi dokumentet dhe mori shtetësinë britanike. Ministri i Emigrimit të qeverisë hije konservatore, Damian Grin, e quajti këtë skandal shokues, pasi një kriminel është i lirë dhe lëviz në rrugët e Britanisë. Ky është rasti i dytë i paraqitur nga mediat britanike në lidhje me të shumëkërkuarit shqiptarë që jetojnë në vendin fqinj. Në fillim të muajit shkurt nga mediat ishullore u raportua se ishte gjetur vendndodhja e një prej personave më të kërkuar nga vendi ynë, Selami Çokaj. Ai kishte ndryshuar identitet dhe jetonte i qetë në Angli. Sipas drejtuesit të Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi, në Britani jetojnë 100 persona që kërkohen nga drejtësia shqiptare. Në vizitën e bërë në vendin tonë, më 19 shkurt, ministri i i Shtetit për Policinë, Krimin, Sigurinë dhe Çështjet e Brendshme të Mbretërisë së Bashkuar, Vernon Koker, u shpreh se vendi i tij do të bëjë të pamundurën për ekstradimin e të shumëkërkuarve. “Ne jemi të gatshëm për arrestimin e personave të kërkuar nga ana juaj dhe mirëpresim çdo lloj informacioni që mund të keni për shtetasit e kërkuar. Ju premtoj se do të bëj të pamundurën për t‘i ekstraduar të kërkuarit për në vendin tuaj”, - u shpreh ai. Por duket se problemi qëndron tek gjykatat britanike, të cilat nuk lejojnë ekstradimin e të kërkuarve shqiptarë, pa pasur informacione të sigurta në lidhje me identitetin e tyre dhe sistemin e drejtësisë britanike, me procedura të vonuara. Prençi deklaroi se me policinë britanike bashkëpunimi ka qenë shumë i mirë, por në disa raste, nga ana e gjykatave është refuzuar ekstradimi i tyre drejt vendit tonë. Sipas numrit një të Policisë së Shtetit, numri i personave, të cilët kërkohen nga drejtësia dhe jetojnë në Britani, është rreth 100 persona.
Rasti i parë, Selami Çokaj, i kërkuar për vrasje, jetonte në Angli
Policia britanike ndaloi në 3 shkurt Selami Çokajn, i cilësuar si një prej kriminelëve të shumëkërkuar nga drejtësia shqiptare, i cili kishte arritur që të fitonte azil politik me identitet të rremë. Sipas revistës prestigjioze britanike "Mirror", hetuesit e kanë ndaluar 34-vjeçarin, i cili kishte 11 vjet që jetonte në Angli. Çokaj, i cili u ka shpëtuar prangave, pasi u arratis nga burgu në trazirat e vitit 1997, akuzohet për vrasjen e një personi në vitin 1994, si dhe për kryengritje të armatosur e vendosje eksplozivi. Sipas mediave britanike, 34-vjeçari ka ndërruar emrin dhe njihet në Angli me një tjetër identitet, Valtron Gashi. Referuar mediave britanike, tani për tani nuk mund të bëhet ekstradimi i tij pa u vërtetuar identiteti, pasi ka fituar azil politik në Angli vite më parë. Ai është një nga 100 kriminelët më të kërkuar të Evropës, që jeton në Angli me identitet fals. Pëllumb Seferi, shef i Interpolit shqiptar, thotë: "Selami Çokaj është një ndër njerëzit më të kërkuar, sepse akuzohet për një sërë veprash penale". “Ne kemi punuar për 11 vjet për të ekstraduar shtetasin Çokaj”, - shtoi ai. Sipas tij, dy oficerë të Interpolit kanë qëndruar për dy muaj në Londër-port dhe në momentin e fundit kur do të kryhej ekstradimi, autoritetet thanë se ai është azilant politik. Ai i ka treguar policisë britanike se është shtetas kosovar. Ndërkohë, vetë Çokaj ka deklaruar për “Sunday Mirror”: “Është një gabim që ka ndodhur me identitetin tim dhe se unë nuk jam vrasës”. Pra, ai mohon të jetë Selami Çokaj. Ai banon në lokalitetin Nots të Anglisë dhe lëviz lirisht në gjithë shtetin. Qyteti shtrihet në verilindje të zonës qendrore të Anglisë dhe kufizohet nga Lejçestershajër në jug, Linkolnshajër në lindje, Jorkshajër në veri dhe Derbishajër në perëndim. Edhe në muajin mars të vitit 2008, policia angleze kreu arrestimin e tij, ndërsa Interpoli shqiptar u përpoq që ta ekstradonte. Sipas mediave angleze, personi që dyshohej se ishte Çokaj, ishte i martuar dhe me katër fëmijë. Ai kishte ndërtuar një biznes të tijin aty. Ai ka qenë i arrestuar edhe në vitin 2006 dhe që prej atëherë jeton me gruan dhe fëmijët në Mansfilld. Në deklaratat e tij, personi i dyshuar shprehet se kanë qenë shqiptarë xhelozë, të cilët të shtyrë nga suksesi i arritur nga ai në biznes, që kur u shpërngul në Angli nga Kosova 11 vjet më parë, kanë shkaktuar këtë rrëmujë. Sipas “kosovarit”, e vetmja ngjashmëri midis tij dhe Çokajt është se ata kanë ditëlindjen në të njëjtën datë. Në deklaratat e tij ai është shprehur se “nuk është Selami Çokaj dhe nëse e dërgojnë nga Anglia në Shqipëri, jeta e tij do të rrënohet përfundimisht”. Miqtë e tij anglezë paguan një garanci prej 100.000 paundësh për të bërë të mundur që ai të lihej i lirë nga burgu. Por, gjatë kësaj kohe, “kosovari” ka shkuar dy herë në ditë në stacionin e policisë të Mansfilldit për t’u paraqitur.