E majat, midis “Zogby”-t dhe Gërdecit
48 orë para se të skadojë afati që Institucioni i Prokurorisë të çojë dosjen e Gërdecit në Gjykatën e Lartë, opozitat e majta e kanë parashpallur ditën e sotme si një protestë unikale, ku nën motot "Mos harroni" dhe "Berisha ik", PS dhe LSI do të vihen në garë me njëra-tjetrën se kush prej tyre në qershor do të hajë kumbulla, e kujt do t'i mpihen dhëmbët. Nga mënyra se si po zhvillohen ngjarjet në këto orët e fundit para se të feksë hëna pesëmbëdhjetëshe, nuk është e vështirë të kuptohet se vetëm me ngjarjen tronditëse të një viti më parë, kjo e një viti më pas nuk ka asnjë lidhje. Pasi të kujtosh zhurmshëm me altoparlantë që buçasin anekënd rrugëve dhe rrugicave, me të rinj e të reja vullnetarë, që të kapin pas mënge për të të rrasur në dorë fletëpalosjen, nuk do të thotë se ke përkujtuar vërtet dhimbjen e një ngjarjeje fatale. Përkundrazi, kjo do të thotë të lozësh me ndjenjat e familjeve të viktimave, t'u hapësh atyre edhe njëherë plagët që zor se mbyllen edhe ashtu pa i ngacmuar fare, vetëm e vetëm se të kanë zënë ethet e qershorit. Këtë gjë më mirë se kushdo e ndjenë dhe e shprehën vetë familjet e viktimave, që nuk pranuan t'i vinin etiketë partiake dhimbjes së tyre. Ngaqë, nëse homazhi nënkupton heshtje, protesta parakupton zhurmë, nëse dhimbja kërkon solidaritet, biprotesta nënkupton përçarje, nëse vënia e drejtësisë nënkupton rrugë ligjore, dalja në shesh nënkupton ligjin e rrugës. A thua vallë protestuesit dypartiakë majtistë nuk e kuptojnë këtë gjë, e për më tepër, nëse këtë përgjigje e morën ashiqare fare (siç përdoret kjo shprehje në Gërdec) nga familjarët e viktimave, pse bëjnë sikur nuk kuptojnë. Prandaj, duket se ka diçka përtej kuptimit a gjoja moskuptimit të thelbit të çështjes. Ajo që shqetëson thelbësisht dy të majtat e Parlamentit është më kardinale sesa problemi a kanë a nuk kanë gërdecarët çati mbi kokë. I shqetëson marramendshëm fakti se ato vetë nuk mund të jetojnë më nën një çati, qoftë kjo edhe në zemër të kryeqytetit. Kësisoj, beteja për të mbijetuar politikisht 100 e ca ditë para "orës fatale", ka bërë që dy shemrat e së majtës të luajnë si macja me miun me sondazhet e “Zogby”t apo të Sharlotës, si për t'i thënë njëra-tjetrës se t'i je kaq herë më e vogël se unë, dhe tjetra-njërës se t'i je për t'u shitur. Nga njëri 15 mars në tjetrin, gjithçka nis nga Gërdeci dhe bitis me eksplodimin e tij. Por, nëse një vit më parë Gërdeci eksplodoi municionin e tij në periferi të Tiranës me pasojë 26 viktima, një vit më pas Gërdeci do të eksplodojë të gjithë municionin paraelektoral të dy partive, që në perëndim të diellit do të nisen njëherazi drejt njëra-tjetrës nga “Nënë Tereza” dhe sheshi “Skënderbej”, dhe në muzg valët goditëse ndërpartiake do të ngërthehen eksplodueshëm, për të krijuar edhe njëherë një kërpudhë mu para zyrës së Kryeministrit. Por, kësaj radhe kërpudhën e përqindjeve të njërës dhe tjetrës palë, ku të majtët vetë dhe vetëm ata, do të rezultojnë edhe viktima dhe të viktimizues të këtij eksplozioni politik. Për rrjedhojë, do të jetë LSI-ja ajo që do dalë me qarin dhe PS me qederin, pasi duke qenë bashkësisht të fajshëm dhe njëlloj të implikuar, janë edhe njëlloj të gjykuar dhe po njëlloj të kuotuar, dhe “Zogby” do të rezultojë një sipërmarrje e dështuar edhe pse fort e financuar. Për më tepër, këtu nuk ka as “faktorë të jashtëm” që të investigojë NYT, as ministra për të mbrojtur, as për t'u sulmuar, dhe as zyrtarë të lartë që të kenë korruptuar kaq masivisht mëditësit e opozitës. Thjesht është një "konflikt brenda familjes së majtë”, e ku të majtët veteksploduan politikisht. Dhe këtu çështja mbyllet; ngase për këto lloj "Gërdeci" nuk ka as nevojë për të thirrur ekspertë të huaj të pavarur për të hetuar çështjen, dhe as detyrim ligjor që Prokurorja Ina Rama të përveshë mëngët për të kopsitur çështjen brenda afatit. Sepse nuk ka as mbërthecka ku t'i kapësh, as edhe çimka që u rezistojnë situatave të tilla.