E Shtunë, 31 Tetor 2026

Autoshkollat në protestë: Ndihmë, po falimentojmë

Sheshi "Skënderbej" në qendër të kryeqytetit është mbushur dje me makina autoshkolle. Kanë qenë më shumë se 50 përfaqësues të autoshkollave që ushtrojnë këtë profesion në Tiranë, të cilët kanë protestuar për gati një orë përpara dyerve të institucioneve kryesore të shtetit.

Në një protestë paqësore, drejtuesit e autoshkollave që zhvillojnë aktivitetin e tyre brenda Qarkut të Tiranës, kanë kërkuar nga strukturat përkatëse qeveritare që të zbatojnë të njëjtat rregulla për të gjithë operatorët që janë të licencuar në këtë fushë dhe jo të veprojnë sipas preferencave apo përkatësive pronësore.

Drejtuesit e autoshkollave kanë akuzuar se mes tyre po zhvillohet një konkurrencë e pandershme dhe shkak për këtë janë bërë vetë strukturat shtetërore me trajtimin e tyre selektiv.

Ata kanë përmendur edhe kushtet e krizës së rëndë që ka përfshirë këtë sektor, duke kërkuar ndihmë të menjëhershme që t‘i shpëtojnë falimentimit.

"Jemi me të vërtetë në një krizë të jashtëzakonshme. I kërkojmë të gjithë kryebashkiakëve që t‘ua falë ose t‘ua shtyjë pagesën e tatimeve autoshkollave, sepse kriza jonë tashmë ka shkuar aty ku nuk mban më. Mbi 50 autoshkollat që janë në Tiranë, do të dorëzojmë licencat", shprehet Tonin Gjinaj, kryetar i Shoqatës së Autoshkollave në Tiranë.

Drejtuesit e autoshkollave nuk kanë munguar as të hedhin ultimatume në drejtim të qeveritarëve lokalë, por edhe atyre qendrorë. Në protestën e djeshme, ata paralajmëruan se nëse brenda javës që vjen qeveria nuk do të marrë masa, atëherë ata do të bllokojnë akse të ndryshme rrugore në kryeqytet, ndërkohë që të irrituar shprehen se do të dorëzojnë edhe licencat.

Ndërkohë që në jo pak raste, niveli i mësimdhënies për drejtimin e automjeteve në autoshkollat shqiptare ka hapur shpesh polemika lidhur me faktin se përgatisin kursantë të dobët, që më pas shndërrohen në burime potenciale aksidentesh. Vetëm pak kohë më parë ka hyrë në fuqi edhe ligji me tarifat e reja të shkollimit si shofer në autoshkollat shqiptare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›