E Diel, 1 Nëntor 2026

Kërkim i paqartë i imazhit të Kosovës

Ndonëse me vonesë jo të vogël, megjithatë në parim është për t‘u përshëndetur veprimi qeveritar për të bërë një fushatë për përmirësimin e imazhit të Kosovës në botë. Është përzgjedhur një kompani marketingu (Saatchi & Saatchi) dhe janë ndarë 5.7 milionë euro për këtë imazh. Zyrtarët e Ministrisë së Jashtme kanë pranuar se ende nuk e kanë të qartë se si do të jetë forma dhe përmbajtja e aktiviteteve të cilat do të përmirësonin imazhin e vendit në botë. Por, togfjalëshi "imazhi në botë" i Kosovës dhe "kompani e marketingut", nuk shkojnë bashkë. Këtu kemi të bëjmë me një ngatërrim konceptesh dhe përzgjedhje të paragjykuar të kompanisë: e para, se me reklamë apo marketing synohet vetëm shitja e një produkti e jo përmirësimi i imazhit të një vendi në botë dhe, e dyta, nëse ende nuk është e qartë se çfarë do të kërkohet nga kompania tashmë e përzgjedhur, atëherë përse është zgjedhur një kompani marketingu? Çështja e tretë është më shumë parimore, e cila gjithashtu mbetet ende e pasqaruar: a do të kërkohet nëpërmjet kësaj fushate vetëm rritje investimesh dhe shitje të produkteve të Kosovës në botë (që ne realisht jo se kemi kushedi se çfarë për të eksportuar), apo do të kërkohet përmirësimi i pozitës publike të Kosovës në botë? Nëse pretendohet që nëpërmjet kompanisë "Saatchi" të bëhet edhe marketing ekonomik edhe fushatë për një imazh më të mirë në botë, atëherë jemi të gabuar me përzgjedhjen e kompanisë, e cila nuk njihet në botë për hartimin e strategjive për diplomaci publike (përmirësim imazhi). T‘i shohim gjërat më shkoqur.

Kosova, si vend me të ardhura më të ulëta vjetore për kokë banori në kontinent, pra me shkallën më të lartë të varfërisë, vërtet ka nevojë për një reklamë të mirë për të bindur sa më shumë biznese të huaja për të investuar në Kosovë dhe kjo madje gjithashtu është një çështje e vonuar. Por, këtë fushatë të njohur në kohët moderne si diplomaci ekonomike, duhet ta bëjnë ambasadorët tanë nëpër botë, të cilët duhet të jenë "në gjah" të kompanive dhe investimeve të huaja. Në anën tjetër, krahas kësaj, madje edhe më urgjente është sigurimi i sa më shumë njohjeve, të cilat do ta forconin sovranitetin dhe për këtë qëllim të kërkohet me ngulm përmirësimi i imazhit. Mirëpo, tendenca për të joshur investitorë dhe për të bindur njëkohësisht elitat politike të vendeve të botës për njohje të reja, janë gjëra të ndara. E para ka të bëjë thjesht me publicitetin në kuptimin e ngushtë të fjalës, ndërsa e dyta ka të bëjë me disiplinën e re të marrëdhënieve ndërkombëtare e njohur si diplomaci publike. Nëse e pranojmë të mirëqenë faktin se marketingu apo publiciteti ka të bëjë me lavdërimin e një produkti për shitje më të lehtë, atëherë diplomacia publike është krejtësisht diçka tjetër, ajo që vërtet i duhet Kosovës.

Në dekadat e fundit, diplomacia publike është gjithnjë e më shumë një mjet transparent nëpërmjet së cilës një shtet mëton të promovojë interesin shtetëror, duke informuar dhe ndikuar opinionin e huaj, grupet e interesit, elitat e ndryshme etj., me qëllim që të realizojë më me lehtësi objektivat e politikës së jashtme. Ajo përfshin dimensione të marrëdhënieve ndërkombëtare përtej diplomacisë tradicionale, duke synuar të ndikojë edhe në perceptimin e individëve, kultivon partneritete të ndryshme interkulturore, rrit dhe përmirëson aftësitë për të folur me funksionarët e qeverive dhe elitave, "ndërhyn" për të ndikuar në grupe private dhe të interesave etj. Instrumentet kryesore për arritjen e këtyre qëllimeve janë: mediat (mediadiplomacy), publikimet, filmi, politika arsimore dhe shkencore, shkëmbimet kulturore, të studentëve, bursa, ndihma, pjesëmarrje në aktivitete të ndryshme letrare, seminare, programe shkëmbimi, vizita institucionale, biznese, shtyp, website etj. Diplomacia publike dallohet shumë nga diplomacia e deritanishme standarde, nga publiku që i drejtohet, forma e komunikimit dhe përmbajtja e tij.

Shtete me ekonomi të fuqishme me kohë ushtrojnë këtë diplomaci në forma të ndryshme, por është e vështirë për një vend me ekonomi të dobët që të ketë sukses në këtë drejtim. Franca vazhdon të sponsorizojë përhapjen e kulturës së saj nëpërmjet "Alliance Français", ndërsa ngjashëm vepron "British Council" dhe shoqata italiane "Dante Alighieri". Në anën tjetër shihet një tendencë zgjerimi i vendeve latino-amerikane me telenovelat e tyre. Zyrtarët e USIA-s, e cila për katër dekada udhëhoqi diplomacinë publike për t‘ia lënë Departamentit të Shtetit dhjetë vjet më parë, asnjëherë nuk janë pajtuar se diplomacia publike është një eufemizëm për propagandën, për arsye se propaganda më shumë i afrohet dezinformatës, ndërsa diplomacia publike operon më shumë me fakte. Të njëjtin qëndrim e ka edhe Bordi Strategjik për Diplomaci Publike, i formuar vetëm shtatë vjet më parë në kuadër të Foreign office-it britanik. Këto dy vende prijnë në botë me këtë lloj diplomacie. Gjatë dekadës së fundit, ekspansioni global i televizioneve informative ka nxjerrë atë që njihet si diplomaci mediatike apo telediplomaci e teledemokraci. "CNN International" dhe "BBC World", e në veçanti aftësia e tyre për të ndikuar në politikën e mbrojtjes dhe të jashtme, ka magjepsur politikanët, funksionarët qeveritarë, gazetarët dhe studiuesit. Në botën arabe, e cila ende heziton të njohë Kosovën, stacioni satelitor me seli në Katar, "Al Jazeera" është duke u imponuar brenda një kohe të shkurtër si "CNN arab". Unë kundërshtoj zërat se "Saatchi" izraelit (po me shumë seli edhe në vende të tjera) nuk do të kërkojë të promovojë Kosovën edhe në botën arabe, jo për faktin se mbase nuk do ta bëjë këtë në "Al Jazeera", por sepse ajo kompani e përzgjedhur për ta përmirësuar imazhin e Kosovës nuk njihet në botë për hartim strategjish të diplomacisë publike.

Por, se sa do të mund të përfitojë Kosova nga fushata e paqartë ndërmjet publicitetit dhe diplomacisë publike me një kompani reklamash, për të mos paragjykuar, mbetet për t‘u parë, ndërsa optimizmi është vërtet larg për shkak të paqartësive brendainstitucionale për këtë fushatë. Krijimi apo përmirësimi i imazhit është një proces i gjatë dhe efektet e saj kërkojnë kohë. Kjo nuk do të thotë që të lihet mënjanë ky lloj angazhimi për përmirësimin e imazhit të Kosovës në botë. Fundja, diplomacia mediatike e Malit të Zi në CNN ka edhe efekte publiciteti turistik, por Maqedonia, e cila gjithashtu reklamohet këto ditë në CNN, nuk pretendon turizmin, por përmirësimin e imazhit të saj në kohën e mosmarrëveshjeve të thelluara me Greqinë (Maqedonia për këtë ka shpenzuar vetëm 300 mijë euro, qeveria e Kosovës për çudi ka ndarë 5.7 milionë euro!).

Por, Kosova duhet të ecë më shpejt në kërkimin e njohjeve sesa të presë ndikimin e diplomacisë publike dhe prandaj, krahas kësaj, duhen gjëra më "agresive" në kërkimin e njohjeve, e jo të priten efektet e këtij aksioni edhe ashtu të vonuar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›