E Shtunë, 31 Tetor 2026

Taksistët: Duam tarifat e taksimetrit

Drejtuesit e makinave të verdha në kryeqytet akuzojnë drejtuesit e Bashkisë së Tiranës se i kanë detyruar që të blejnë taksimetra nga një kompani private, por që askush nuk po kujtohet më pas për miratimin e tarifave dhe as për instalimin e këtyre pajisjeve.

"I kemi blerë taksimetrat me 220 euro copën nga një firmë që na thanë se është e licencuar nga bashkia. Por vetëm sa na morën paratë se këto aparate që kemi, duhen vendosur. Po ta bëjmë vetë do na gjobisin se bëjmë shkelje. Nuk dimë si t‘ia bëjmë", shprehet një taksist në vendqëndrimin përpara Bibliotekës Kombëtare. Sipas këtyre punonjësve, ndonëse për tarifat e aplikimit të taksimetrave u fol që vitin e kaluar, deri më tani asgjë nuk është bërë që në kryeqytetin shqiptar të punohet si kudo në botë. Pra klienti të paguajë për lëvizjen që kryen, e cila matet me anë të taksimetrit.

Por, ndërsa akuzojnë se me ta po tallen, vetë strukturat e bashkisë sqarojnë se shpërndarja e taksimetrave për taksistët e licencuar është kryer në përputhje me të gjitha rregullat. Problem për ta mbeten anëtarët e Këshillit Bashkiak, institucion ky vendimmarrës që duhet të miratojë tarifat e aplikimit të taksimetrave, në përputhje me distancat dhe kushtet e tjera.

Ndërkohë që nuk mungojnë edhe rastet kur pas një udhëtimi me taksi për një nevojë urgjente apo thjesht për rehati, në duar të vjen një faturë e dalë nga taksimetri. Kjo pasi disa prej taksistëve, duke shpenzuar jo pak për ta, por 220 euro për një aparat të tillë, e kanë instaluar atë vetë. Por, për Drejtorinë e Metrologjisë dhe Kalibrimit, aplikimi i taksimetrave në mënyrë individuale konsiderohet sa abuziv dhe i paligjshëm. Kjo, pasi ky institucion deri më tani nuk ka verifikuar dhe certifikuar asnjë taksimetër në kryeqytet. Pa këtë vërtetim, shërbimi i ofruar është fiktiv, për faktin se këto tarifa nuk mund të vetëvendosen nga ofruesit e shërbimit, por nga institucionet, që i detyron ligji. Edhe një pjesë e taksistëve, të cilët kërkojnë të jenë në rregull me ligjet e shtetit dhe t‘u shmangen penaliteteve, që prej vitit të valuar, vazhdojnë të jenë në pritje dhe të mbajnë në kroskot aparatin, që pret të instalohet nga "strukturat përkatëse".

Nga ana tjetër, çështja e miratimit të tarifave ka mbetur e hapur për diskutim, në mbledhjet e rralla të Këshillit Bashkiak. Të përqendruara thuajse plotësisht në problemin e miratimit apo rrëzimit të projektbuxhetit të Bashkisë së Tiranës për vitin 2009, në dy mbledhjet e fundit të përfaqësuesve të zgjedhur nga populli në këtë strukturë nuk është diskutuar asgjë tjetër. Ndonëse në rendin e ditës së mbledhjes së fundit të dhjetorit 2008 ishin edhe miratimi i tarifave të taksimetrave në kryeqytet, këshilltarët kanë kërkuar shtyrjen e diskutimit të kësaj pike, deri në një kohë të dytë. Por, duket se kjo kohë e dytë mbetet e largët, për aq kohë sa në rendin e ditës së Këshillit Bashkiak vazhdon të mbetet çështja e projektbuxhetit të bllokuar të këtij viti për të gjithë kryeqytetasit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›