Autostrada Durrës – Kukës, autostrada e Shqipërisë drejt Evropës

Intervistë me supervizorin e firmës “Bechtel-Enka”, Taylan Aygun
Një supervizor i firmës që po ndërton autostradën gjigante Rrëshen-Kalimash, “Bechtel-Enka”, Taylan Aygun, vlerëson ndërtimin e një vepre të tillë nga një vend si Shqipëria dhe shprehet me bindje të plotë se ky investim, ndoshta shumë i kushtueshëm, do ti shërbejë popullit në të ardhmen. Ai thekson se autostrada do të jetë e gatshme ditët e para të muajit qershor, kur edhe parashikohet të bëhet lëvizja e parë e automjeteve nga rruga e re, përgjatë luginës së lumit Fan i Vogël.
Sa kohë keni që punoni në Shqipëri, në autostradën Rrëshen-Kalimash?
Kam afro 8 muaj që jam i angazhuar me firmën turke, “Enka”, këtu në autostradën Rrëshen-Kalimash.
A mund të na thoni cili është pozicioni juaj?
Jam koordinatori, apo siç mund të quhet ndryshe shefi i punimeve të tokës. Pra, jam supervizor.
Cili është opinioni juaj për ndërtimin e kësaj vepre madhore?
Duke parë nga pozita gjeografinë, dhe duke qenë se unë jam turk, pak a shumë mund të them se ne po e ndihmojmë këtë vend. Kam ardhur këtu dhe ndjehem shumë mirë. Nuk është shumë ndryshe nga vendi im, Turqia, Shqipëria po ecën me ritme të shpejta. Ndërsa, duke e parë nga pikëpamja e punës dhe nisur nga pozicioni këtu, kjo është një rrugë shumë e rëndësishme që do i hapë derën Shqipërisë drejt Evropës. Është një lloj pune, që ka një projekt jashtëzakonisht të madh dhe ne na motivon më tepër dhe marrim kënaqësi nga puna që bëjmë sepse është një investim që do i shërbejë popullit tuaj në të dy anët e kufirit. Madje, dua të shtoj gjithashtu, nga ajo që unë jam i informuar, se ju po ndërtoni infrastrukturën në çdo cep të vendit tuaj. Ju po i plotësoni standardet infrastrukturore dhe duke ecur me këto ritme, kam përshtypjen e plotë se do të parakaloni edhe disa nga vendet e BE.
Kur parashikohet të jetë funksionale autostrada?
Siç mund ta keni parë edhe vetë, volumi i punimeve po shkon drejt fundit. Ne jemi të përqendruar te punimet në tunel, ku edhe atje kanë ngelur vetëm 323 m, ndërsa në tubin jugor 560 m, për t’u gërmuar, pra progresi total i punimeve tek të dy tunelet është 93 për qind. “Bechtel-Enka”, po punon me kapacitet të plotë dhe me ritme të përshpejtuara. Kam bindjen e plotë se ajo ditë do të jetë shumë e afërt. Besoj shumë që javët e para të qershorit autostrada do të hapet për automjetet.
Cila është eksperienca juaj me firmën turke “Enka”?
Shqipëria është kantieri i parë i ndërtimit ku unë po marr pjesë. Jam i sapodiplomuar dhe kam pas vetëm një eksperiencë të shkurtër pune, sa për të marrë përvojën e duhur, pastaj kam ardhur këtu, ku kam një detyrë mjaft serioze. Puna që bëjmë këtu është goxha e rëndësishme dhe nuk e nënvlerësojmë asnjëherë.