Durrës - Kukës, fillon numërimi mbrapsht i ditëve të përfundimit të veprës së shekullit

Një ditë përgjatë aksit që lidh Shqipërinë me pjesën tjetër të Kombit Qytetarët shqiptarë të të dy anëve të kufirit si të Shqipërisë dhe ata të Kosovës, brenda pak ditësh do të ndjehen më të afërt, do të ndjehen më të bashkuar, me shembjen e “Murit të Berlinit”, tunelit të Kalimashit. Segmenti Rrëshen-Kalimash, pjesë tërësore e autostradës Tiranë-Prishtinë, është drejt përfundimit. Puna është drejt hapave finalë. Aty sheh një punë kolosale, është projekti më i madh në historinë infrastrukturore në vend dhe ndër më të mëdhenjtë në rajon. Ritmi i punës aty, është për t’u pasur zili nga kompanitë më prestigjioze në botë, vepra madhështore pritet të përfundojë vetëm pas 2 muajsh, dhe jo vetëm do të lidhë Shqipërinë me Kosovën, rajonin dhe Evropën, por do të sjellë një zhvillim shumë të madh në ekonomi e turizëm, pasi lidh tregjet e Evropës Juglindore me rrugët kryesore ndërkombëtare detare, nëpërmjet porteve shqiptare. Segmenti Rrëshen-Kalimash, prej 70 km, është pjesë e një autostrade prej 170 km, që inaugurohet në qershor. Që Shqipëria po ndryshon dhe se po tejkalon me shpejtësi periudhën e tranzicionit, jo të gjithë janë koshientë dhe që mund ta besojnë. Por, mund t’ju servirim një sërë faktesh që pohojnë tejkalimin e ndryshimit... Dikur të dhunuar, të torturuar, të lënë pa ngrënë, në vuajtje të plotë, madje, madje të pushkatuar nga një regjim makabër për më shumë se 45 vite, tashmë shqiptarët po përjetojnë një periudhë lulëzimi dhe këto vite, mund të konsiderohen me seriozitetin më të madh si vitet e Shqipërisë dhe të shqiptarëve. Dëshmia më e mirë për këtë është shembulli i qartë, ecuria e punimeve përgjatë aksit rrugor kombëtar Durrës – Kukës. Një supervizor i firmës “Bechtel-Enka”, Taylan Aygun, i cili ka prej më shumë se 8 muajsh që është angazhuar në autostradën Rrëshen-Kalimash, na përshkruan të gjithë punën që po bëhet aty, teksa nuk harron të theksojë se Shqipëria po plotëson dita-ditës standardet infrastrukturore. Taylan është shumë realist, dhe e klasifikon Shqipërinë, në të njëjtin stad porsa i përket zhvillimit me disa nga vendet e Bashkimit Evropian të sapo integruara. Ajo që po ndërtohet atje është mahnitëse. Malet shtrihen në të dy anët e luginës së Fanit, teksa si viganë të mëdhenj nën petkun e dëborës sodisnin me endje mrekullinë shqiptare që ndërtohet në shtratin e tyre. Ata i japin një hijeshi të veçantë kësaj vepre madhore në atë natyrë përrallore dhe të paeksploruar nga njeriu. Nuk jemi duke udhëtuar drejt alpeve zvicerane apo austriake, por jemi duke udhëtuar drejt alpeve shqiptare dhe bukuria për nga lloji është njësoj si në terrenet e Zvicrës apo Austrisë. Kudo sheh makineri të tonazheve të rënda, kudo sheh punëtorë vendas dhe të huaj, kryesisht turq. Aty punohet pa pushim. Ndërmorëm këtë udhëtim, fillimisht, për shumë prej nesh ishte imagjinar, dhe askush nuk arrinte ta perceptonte dot në mënyrë reale atë që ndodhte në Rrëshen-Kalimash, pjesë tërësore e autostradës gjigante, Tiranë-Durrës-Prishtinë. Sapo kalojmë aeroportin ndërkombëtar të Rinasit, vetëm pak kilometra më tej, shohim që puna është ndarë në segmente që u takojnë një sërë firmash të ndryshme, të njohura botërisht në arenën ndërkombëtare, për ndërtime autostradash gjigante. Tek ecim me shpejtësi për në drejtim të Rrëshenit, pasi kemi kaluar qytezën e Rubikut, aty ku edhe fillon pjesa më e rëndësishme dhe më e vështirë e të gjithë autostradës, në një distancë për më shumë se 1 km, vërejmë hapësirat e mëdha, në të dy anët e luginës së lumit Fan i Vogël. E pabesueshme! Në vijim të udhëtimit na komunikuan se nëpër ura punohej edhe me tre turne. Isha shumë kurioz, për këtë fakt, pasi realisht, urat ishin drejt përfundimit të plotë dhe nga 29 të mundshme, 24 prej tyre janë aktualisht në gjendje pune dhe përdoren nga automjetet e firmës. Duke filluar nga qyteza e Rrëshenit e në vijim në të gjithë gjatësinë e trasesë së autostradës, puna ishte në procesin e fundit, po hidhen shtresat e asfaltit. Në ndalesën e parë që bëmë një punëtor i firmës “Bechtel-Enka” na komunikon se asfaltimi i trasesë së niveluar po ecën me ritme mjaft të shpejta. Ai na informon se nga Rrësheni deri në Kalimash po vazhdon hedhja e asfaltit dhe brenda një dite arrihet të shtrohet afërsisht nga 7-10 km. Pengesa kryesore është mbyllja e traseve. Mirëpo, 90 për qind e tërësisë së segmentit e ka të përfunduar trasenë dhe janë të gatshme për procesin e fundit. Çdo km të autostradës shoqërohet nga një urë, diku jashtëzakonisht e lartë dhe diku tjetër jashtëzakonisht e lartë. Ura më e gjatë e këtij segmenti, afro 360 m, priste e gatshme shtresën e asfaltimit dhe më pas përshkimin nga makinat me destinacion Tiranën apo Prishtinën. Gjithashtu ka përfunduar edhe ura më e lartë në segmentin e tretë (80 m), ura 88 në krahun verior të tunelit. Repsi, qytezë më vete, me një infrastrukturë tërësisht të re Banorët e Rrëshenit, dhe të zonave përreth, si Reps, Miloti, Kalimash, e deri në Morinë, i janë kthyer jetës normale. Ata nuk e mendojnë më, që të largohen nga tokat e tyre, pasi me ndërtimin e autostradës Durrës-Kukës-Morinë e më gjerë në Prishtinë, kjo zonë kthehet dalëngadalë në një nyjë strategjike, tepër të rëndësishme, për të zhvilluar bizneset e ndryshme, ku padyshim rriten mundësitë për një nivel të lartë punësimi. Për ta, tashmë ka filluar një epokë e re. Repsi është qendra kryesore e administratës në terren e “Bechtel-Enka”. Aty janë të punësuar qindra të rinj dhe të reja nga Shqipëria dhe nga Kosova. Shefja e departamentit të Marrëdhënieve me Publikun Ela Ruçi na tregon se infrastruktura në Reps është tërësisht e ndërtuar. Ajo na informon se aty ndodhen të punësuar qindra të rinj dhe të reja, banorë të zonave përreth. Aty nuk mungon asgjë, duke filluar që nga energjia elektrike dhe uji. Kushtet janë tërësisht moderne. Mësojmë se paga minimale është 80 mijë lek të reja, ku janë të shumta rastet ku një familje ka të punësuar mbi 4 anëtarë të saj. E kush nuk do ta lakmonte këtë luks... Megjithatë Ruci, na bën me dije, se pjesa dërrmuese e punonjësve janë djem të rinj të rikthyer nga emigracioni, nga vende perëndimore si Italia, dhe ndjehen komodë me kushtet dhe pagat që ofron firma “Bechtel-Enka”. Atje ndodhen të punësuar 3200 punonjës, 2/3 e tyre janë punonjës shqiptarë. Aty gjithçka shkon për mrekulli. Jeta normale ka rifilluar... Drejt Kalimashit, tuneli 6 km, çertifikata që i jep kësaj vepre statusin “e rrallë” Pasi kemi udhëtuar kilometra të tëra, gjendemi në mënyrë të befasuar përballë dy tuneleve në Kalimash. Të habitur, të mrekulluar, studentët e Fakultetit Filologjik, të degëve Gjeografi, Gjuhë Letërsi dhe disa të Shkencave Politike, të shoqëruar nga Profesor Romeo Hanxhari, që ishin pjesë e pelegrinazhit, nuk po u besonin dot syve, se një vepër e tillë po ndërtohej në vendin tonë, në territorin e Shqipërisë. Tani jemi te tunelet e Kalimashit, tha udhërrëfyesi ynë, Koordinatori i Marrëdhënieve me Komunitetin, Erjon Piperku. Teksa po zbritnim nga autobusi, dalëngadalë po u afroheshim grykave të tunelit. Mahnitëse! I errët, i ftohtë dhe njëherazi të lë përshtypjen e një vendi të frikshëm. Ishim mësuar që vepra të tilla të ishin të ndaluara të ndërtoheshin në vendin tonë dhe taksat që mblidheshin me pretekstin se do të ndërtohet një autostradë gjigante, s’dihet se nga kanë përfunduar. Por tani, po jetojmë një epokë të re. Shqipëria nuk mund të konsiderohet më si vendi i pamundësive, por si një vend që ka ndryshimin në thelb. Kur ishim thuajse vetëm 10 m larg hyrjes për në tunel, punonjësit e “Bechtel-Enka”, shqiptarë dhe turq, na pritën me shumë mirësjellje dhe në fytyrat e tyre dukej qartë se puna në këtë objekt tejet të vështirë po shkonin drejt fundit pas 2 vitesh gërmime intensive. Ato fytyra të gëzuara, pranojnë si detyrim madhor ndaj vendit, pranojnë si detyrim ndaj kombit shqiptar, ndërtimin e kësaj vepre madhore. Teksa ende udhëtojmë drejt arritjes së objektivit, për të shkuar në fund të tunelit, aty ku është e përqendruar pjesa më e rëndësishme dhe më e specializuar e punonjësve dhe makinerive të firmës “Bechtel-Enka”, shoqëruesi ynë, Erjon Piperku, na thekson në vazhdimësi të gjithë punën kolosale që është bërë dhe po bëhet në të. Ai shton se puna në tunel, nuk ka qenë aspak e lehtë, gjë që e pranuan dhe punëtorët në brendësi të tunelit, nën dritën e llambave elektrike, që janë të instaluara çdo 10 cm të murit mbajtës të tunelit, për t’u mundësuar në maksimum një lehtësi punonjësve, sado pak, por tepër të rëndësishme, në kushtet e pamundësisë së ndriçimit natyral, punohet me kapital të plotë në tunel. Nuk harron të na theksojë, se nga të dhënat e tij, janë shumë të pakta vendet në botë, që aktualisht bëjnë punime në tunele, aq më pak në Evropë, plotësisht fare në rajon. Shqipëria është vendi i vetëm në Ballkan, që bën një ndërtim të tillë, kolosal, i kushtueshëm, por tepër i domosdoshëm, për qytetarët shqiptarë të të dy vendeve, të Shqipërisë dhe të Kosovës, por njëherazi për të gjithë banorët e atyre zonave, të cilat i përshkon kjo rrugë. Ata i janë kthyer jetës normale... ... Mbërritëm atje ku ende gërmohet. Përshkuam plot 4 km e 900 m në thellësi të tunelit. Makineritë e shpimit e ndalën punën vetëm për disa minuta. Punëtorët dhe teknikët e firmës ndalin të gjitha veprimet e tyre dhe ndjekin me vëmendje të gjithë interesimin dhe vazhdimin tonë, megjithëse ne përpiqemi t’i aktivizojmë edhe ata, t’u marrim opinionin për ndërtimin e kësaj vepre gjigante. Ne po e mbarojmë tunelin, edhe vetëm 320 m na kanë ngelur. Çdo ditë, ne ecim me një ritëm prej 20 metrash shpim, thotë Çetin, me profesion minator, i ardhur nga Stambolli. Ai na siguron se me mbarimin e procesit të hapjes apo të shpimi, brenda jo më shumë se 3 javëve, përfundon traseja dhe asfaltimi i tunelit. Ndonëse, thekson ai, puna do të vazhdojë me ndriçimin dhe procese të tjera teknike, por e rëndësishme është që në muajin qershor ky tunel do të jetë funksional për automjetet. Mrekulli edhe vetëm dy muaj dhe shqiptarët do të ndjehen më të afërt. Do të ndjehen më të bashkuar. Kam punuar mbi 7 vite në Greqi, por kur mësova se në vendin tim po ndërtohej një vepër e përmasave dhe standardeve evropiane, nuk u mendova dy herë dhe ja ku ndodhem tani, thotë një punonjës nga Dibra. Gjurma e rrugës Tiranë-Durrës-Vorë-F.Krujë-Milot-Rrëshen-Reps-Thirrë-Kalimash-Kukës-Morinë Të dhëna të përgjithshme: Gjatësia totale e rrugës - 170 km Gjatësi e re rruge - 120 km Kostoja e ndërtimit - 600 milionë euro Shpejtësia e lëvizjes - 80 – 100 km/h Koha e përshkrimit - 2 orë Aksi Rrëshen-Kalimash: Rruga e ndarë në 3 segmente: Rrëshen - Reps 19.6 km Rreps - Thirrë 26.5 km Thirrë - Kalimash 14.8 km Gjatësia totale: 60.8 km Rruga me 4 korsi Shpejtësia 80-100 km/h Tunelet në segmentin Thirrë- Rrëshen. Dy tunele (vajtje- ardhje), 5.5 km secili. 29 ura në të gjithë rrugën, ndër to kanë përfunduar thuajse plotësisht 24 prej tyre. Gjatësia totale e urave shkon në 4 km. Ç’përfaqëson në të vërtetë rruga Durrës-Kukës-Morinë Arteria që pas 2 muajsh do të bashkojë Shqipërinë me pjesën tjetër të Kombit Rajonet e Kosovës (Prizreni, Prishtina, Dukagjini, Peja, Drenica) historikisht kanë qenë lidhur me pjesën tjetër të Shqipërisë, kryesisht me Shkodrën, nëpërmjet luginës së Drinit. Vau i Dejës dhe Vau Spas kanë qenë njohur si vend- kalime të lashta të luginës së Drinit; njëra në afërsi të Shkodrës dhe tjetra gati në gjysmën e rrugës për në Kosovë. Në atë kohë ka qenë i vështirë, ndoshta i pamundur ndërtimi i tuneleve të gjate apo shumë të gjatë, veçanërisht nga pikëpamja ekonomike, kapërcimi i 5-6 qafave rreth 1000 m mbi nivelin e detit dhe i një terreni tepër malor që karakterizon këto rajone të Shqipërisë së Veriut, nuk mund të mendohej ndryshe, veçse në mënyrën siç është zgjidhur. Siç mund të jetë e qartë për shumicën e njerëzve, rruga që lidh portin e Durrësit (apo edhe Tiranën) me Morinën, si pikë kufitare e Kosovës, aktualisht përshkohet nga dy drejtime rrugësh ekzistuese, që në parantezë, as njëra dhe as tjetra, në gjendjen aktuale, nuk i përgjigjen kërkesave për një rrugë që do të lidhte dy rajonet në fjalë, nevojave të trafikut dhe të lëvizjes mallra/pasagjerë. Përse? Sepse si njëri dhe tjetri variant ekzistues, kalojnë në qafa mali në lartësi mbi 1000 m dhe zbresin në lugina në kuota 300-600 m duke përshkuar distancën prej 234 apo 214 km në 5 deri 7 orë, me shpejtësi 30-45 km/orë, krejtësisht të pamjaftueshme për nevojat e transportit dhe trafikut midis dy rajoneve. Autostrada e re që është drejt përfundimit të plotë, në mbi 70 për qind të saj, është rrugë e re, trase tërësisht e re, buzë lumit Fani i Vogël, që shkurton në mënyrë të ndjeshme, duke e çuar në vetëm 170 km, distancën Tiranë-Durrës-Kukës-Morinë. Shembje të tunelit?! Reagon “Bechtel-Enka” “Lajme të rreme nga media që nuk punojnë për interesin e shqiptarëve” Vetëm pak ditë më parë, një e përditshme shqiptare shkruante se tuneli i Kalimashit, ka pësuar shembje, dhe se ky fakt po mbahet i fshehtë nga drejtues të firmës. Iu drejtuam përfaqësuesve të firmës fillimisht, të cilët i hodhën poshtë menjëherë dhe theksuan me keqardhje se lajme të tilla i nxjerrin dhe i botojnë vazhdimisht vetëm dy të përditshme, të cilat punojnë për interesa të dyshimta. Shkuam te tuneli, atje nuk shihje shembje të tij, por punë kolosale. Aludimet e dyshimta të disa mercenarëve keqndjellës, nuk do të kenë impakt për të bllokuar punimet në veprën e jashtëzakonshme të Rrëshen-Kalimash. Antishqiptarët që kundërshtojnë ndërtimin e kësaj rruge, nuk do të mundin ta sabotojnë këtë projekt me të tilla sulme, pasi tashmë atje po përfundohet puna dhe ndëshkimi për këta endacakë do të vijë shumë shpejt, madje jo shumë larg, por në qershor, atëherë kur kryeministri Berisha të inaugurojë përfundimet e punimeve në tunel dhe autostradën Durrës-Kukës-Morinë në tërësi.
...