E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria aplikon me 28 prill në Pragë për statusin e vendit kandidat në BE

TIRANE - Ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha deklaroi të hënën, gjatë një vizite në rrethin e Elbasanit, se “Qeveria shqiptare do të aplikojë së shpejti  për statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Evropian”. Deklarimi erdhi vetëm pak minuta pasi një agjenci ndërkombëtare informative, Balkaninsight publikoi lajmin se kryeministri Berisha do të dorëzonte në Pragë, me 28 prill, kërkesën pranë presidencës çeke për marrjen e statusit të vendit kandidat. Anëtarët e BE-së e kanë mirëpritur nismën, por ende nuk dihet se si do të procedohet me kërkesat e fundit, pasi Komisioni Evropian ende nuk i ka kthyer përgjigje kërkesës së Malit të Zi, paraqitur në fund të vitit të shkuar.
Ministri Basha ka vijuar dje sot turin e takimeve me banorë të komunave Gostim, Klos dhe Mollas të Elbasanit, ku gjatë bashkëbisedimit me banorët, konfirmoi se “me të njëjtin vullnet që kjo qeveri bëri të mundur anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, do të bëjë të mundur edhe afrimin e Shqipërisë me Bashkimin Evropian”.
I sigurt se shqiptarët do t`i besojnë edhe një mandate tjetër 4 vjeçar të djathtës, Ministri i Jashtëm premtoi se “brenda një viti, qytetarët shqiptare do të lëvizin pa viza nëpër Evropë”.
Ministri Basha u konfirmoi banorëve se “Së shpejti qeveria shqiptare, Kryeministri Sali Berisha do të paraqesë personalisht aplikimin për statusin kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Ju them sot, të rinjve dhe gjithë qytetarëve, që brenda 12 muajve, me pasaportë shqiptare, pa vizë, do të mund të lëvizin lirisht nëpër hapësirën Shengen”, tha Ministri i Jashtëm.
Duke u ndalur te modeli I qeverisjes së mazhorancës, Basha tha se “reformat dhe lufta kundër krimit dhe korrupsionit bënë të mundur dyfishimin e pagave dhe pensioneve dhe shndërrimin e Shqipërisë në një kantier ndërtimi. Me të njëjtin vullnet dhe përkushtim do të vijohet dhe në katër vitet e ardhshme. Me besimin që na dhatë në katër vitet që shkuan, ne dyfishuam pensionet tuaja dhe tani me besimin që do të na jepni, në katër vitet që do të vijnë ne do t'i dyfishojmë sërish pensionet e fshatit në mandatin e dytë”, tha Basha. Duke u ndalur te zgjedhjet parlamentare, të cilat po afrojnë çdo ditë e më shumë, shefi i diplomacisë shqiptare ka kërkuar që “para se të vendosin se kujt do t’i besojnë fatin e tyre në katër vitet e ardhshme, qytetarët shqiptarë të reflektojnë ku ishin dhe ku janë”.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›