Edvini, si Mao Ce Duni, 1000 faqe fletërrufe dhe 100 mashtrime për alternativë elektorale

Publikohet programi elektoral kinez i Partisë ylberiste të Edvinit, dokument që është i mbushur me numra, por edhe me kërcënime për shqiptarët, se i presin ditë të vështira, në rast se ai do të vijë në pushtet. Frikacaku në krye të PS-së s’po vendos ende të lërë bashkinë, të paktën derisa të ketë përzënë nga partia, disa prej deputetëve të bezdisshëm, si Majko apo Blushi
Edvini dje ka thyer një rekord. Ka publikuar fletërrufenë më të gjatë në historinë e postkomunizmit shqiptar. Duke i paraqitur 1000 faqe akuza ndaj Berishës e fraza të përgjithshme pa zgjidhje si alternativa elektorale, Rama shpalli dje atë që ai e quan “programi prej 1000 faqesh, i cili përshkohet nga një vizion i ri. Idetë që e kanë plazmuar këtë program janë ide të reja, zgjidhjet të reja. Vullneti ynë për ta qeverisur ndryshe Shqipërinë për integrimin evropian është i ri” thotë ai. Por përtej dacibaove, ai veç përsërit se do të jetë ndryshe Sali Berishës në arsim, shëndetësi, por edhe për kapërcimin e krizës ekonomike, por pa dhënë hollësi e duke marrë rolin e kasandrës, ai shton se vendin e presin vite të vështira, prandaj shqiptarët të mos përgatiten për kohë të thjeshta. “Berisha e qeveria e tij nuk janë përgjegjës për krizë botërore, por janë përgjegjës për mohimin e krizës dhe për mos marrjen e asnjë mase në përpjekjen për të thënë se Shqipëria është i vetmi në botë që nuk është prekur nga kriza. Ato po manifestojnë nivelin më të lartë të papërgjegjshmërisë. Prandaj na duhet të reagojmë me shpejtësinë maksimale që në ditën e parë të punës tonë. E them hapur, do të gjendemi në një situatë që për shkak të mohimit të krizës, dhe për shkak të shpenzimeve pa asnjë kriter do të kemi të bëjmë me një punë shumë specifike për të eliminuar dhe të përballemi me këto pasoja”, paralajmëron Edvini pa pikë përgjegjësie, me sa duket, sepse edhe vetë është i bindur se nuk do të gjendet para mundësisë për t’u marrë me qeverimin e vendit.
Me një frymëzim të mirëfilltë kinez, ku spikasin 1000 faqe fletërrufe e që thuhet se ngërthejnë në vetvete 100 zgjidhje, na shkon mendja shpejt tek loja me numrat e Mao Ce Dunit, tek 100 shkollat, 100 idetë, 100 klasat... me fjalë të tjera, 100 budallallëqet e programit elektoral të Partisë Socialiste.
E vetmja gjë që paraqet interes në daljen e sotme kineze të Edvinit është mbretërimi i pasigurisë dhe i panikut. Ai ende s’ka vendosur të bëjë sakrificën e madhe të lënies së bashkisë, për t’i prirë listës së kandidatëve socialistë për në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Ajo është një sakrificë e madhe për Edvinin, prandaj, përderisa s’i ka lexuar mirë erërat elektorale, atij i duhet të presë e të mos zgjedhë asgjë – fiks si kopilat. “Listat e deputetëve nuk janë në rendin e ditës. Do paraqitet në kohën e duhur dhe në vendin e duhur para rënies së gongut të fushatës elektorale”- iu përgjigj Rama pyetjes së gazetarëve, por është e sigurtë se të gjithë lexojnë se ai ende s’ka gati gijotinën për deputetët aktualë. Pandeli Majko tashmë është shpallur dëshmori i parë i urrejtjes antiNATO të tij, ndërkohë që Ben Blushi ka dalë nga rreshti e po bën thirrje që të gjithë të paraqiten në zyrat e gjendjes civile për të marrë kartat e identitetit. Kohët e vështira po vijnë tani për rishtarin që është mësuar të japë pa kriter leje ndërtimi, por jo edhe që të qeverisë një vend, ende të brishtë e me plot halle. Është aventurë e vërtetë të lexohen 100 mashtrimet kineze të 1000 faqeve program, kur Edvini ende s’po vendos nëse do të jetë deputet apo kryebashkiak frikacak, që qëllon pas llogores së bashkisë, njëlloj si kalamajtë pas cepave të pallateve (se si na dalin gjithmonë përpara syve këto tipologjitë e pallateve).