E Shtunë, 31 Tetor 2026

Autostrada Elbasan-Tirane zhvillohet nje takim per shpronesimet

Në prefekturën e Elbasanit është zhvilluar një takim përsa u përket shpronësimeve të banorëve që preken nga projekti i rrugës Elbasan-Tiranë.

Të pranishëm në këtë takim kanë qenë kryetarët e dy komunave nga ku kalon rruga, komunës Gracen dhe Bradashesh, specialist të Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve, drejtues të ALUIZNI-t dhe Hipotekës në Elbasan.

Sipas prefektit të Elbasanit, Shefqet Deliallisi, qeveria ka planifikuar fondet për këtë qëllim dhe shumë shpejt pritet shpronësimi i banorëve.

Prefekti ka kërkuar përshpejtimin e procedurave nga njësitë vendore, drejtoritë dhe institucionet në mënyrë që procesi për identifikimin e të shpronësuarve t’i paraprijë ndërtimit të rrugës.

Specialistë të Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve dhe Ministrisë së Transporteve janë shprehur se gjithçka është gati dhe se mbetet paraqitja e dokumentacionit nga banorët në mënyrë që të fillojë menjëherë procesi i shpronësimeve.

Kryetari i komunës Bradashesh, Sabri Sallaku, është shprehur se komuna do të ndihmojë banorët që të përgatisin në kohë dokumentacionin.

Ai ka kërkuar lehtësimin e procedurave në interes të banorëve

Nga ndërtimi i rrugës Elbasan-Tiranë do të shpronësohen 24 familje në Gracen e Bradashesh.

Shpronësimet përfshijnë shtëpi banimi e objekte të ndryshme si dhe tokë bujqësore.

Për banesat në proces privatizimi është kërkuar përshpejtimi i procedurave nga ALUIZN-i.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›