Berisha: Rama të sjellë Planin e Tiranës
Kryeministri Sali Berisha i bën thirrje kryebashkiakut Edi Rama të paraqesë sa më parë në mbledhjen e KRRTRSH-së planin rregullues të Tiranës. Thirrja u bë nga mbledhja e mbrëmshme e KRRTRSH-së në të cilën mungonin përfaqësuesit e pushtetit lokal të kryeqytetit. "Dua t'i bëj thirrje Kryetarit të Bashkisë së Tiranës që të finalizojë sa më shpejt planin urbanistik të kryeqytetit, sepse po tejkalohet çdo lloj limiti kohor. Çdo lloj shtytje është shumë e dëmshme për kryeqytetin, Ta sjellë, unë e kuptoj që ai plan duhet të bëhet", deklaroi kreu i KRRTRSH-së, Sali Berisha. Kryeministri deklaroi se ligji i ri i urbanistikës e redukton në 45 ditë kohën e marrjes së lejeve të ndërtimit, duke e shoqëruar me parimin "heshtja është miratim". Ndërsa debati në këtë mbledhje ka qenë në lidhje me çështjen e tokës bujqësore, ku për shkak të ndërtimit të rrugëve të reja tjetërsohen. "Ndaj dhe në ligjin e ri të urbanistikës është kërkuar që të pranishëm në këtë mbledhje të jenë edhe përfaqësues të shoqatave të qeveritarëve vendor, shoqatave të bashkive, komunave dhe shoqatave të qarqeve. Kjo e rrit transparencën e këtij forumi, të cilin mendoj që duhet ta mbajmë kështu siç është aktualisht", u shpreh Berisha. Kryeministri ngriti shqetësimin se në këto projekte duhet të merren në konsideratë që kursehen sa më shumë tokë bujqësore. "Duke mbetur gjithnjë i vendosur për pikat më të shkurtra, atëherë kur është e mundur, ne do të kursejmë tokën bujqësore. Nëse by pass-i merr një sipërfaqe toke të mirë bujqësore, le ta konsiderojmë këtë një minus", tha Kryeministri. Ndërsa Ministri i Bujqësisë e ngriti këtë shqetësim duke kërkuar që të bëhet kujdes, pasi në disa prej vendime preken 164 ha tokë bujqësore. Për rrugën Lushnje-Berat u paraqitën 3 variante, prej të cilave varianti i rikonstruksionit të rrugës ekzistuese u vlerësua si varianti më i mirë nga ana teknike dhe ekonomike për lidhjen e këtyre dy qyteteve. Njëri nga variantet e propozuara ishte varianti që merr parasysh ndërtimin e 3 by pass-ve në këtë rrugë, i cili sipas Kryeministrit nuk është i favorshëm pasi kalon në tokë bujqësore. Kryeministri kërkoi që të nisë menjëherë projekti i ndërtimit të Boshtit të Jugut. "Ndërtimi i Boshtit të Jugut do të jetë projekti kryesor i 4 viteve që vijnë, në rast se shqiptarët do të votojnë për këtë maxhorancë. Por besoj se çdo maxhorancë do ta konsiderojë të dobishëm ndërtimin e saj, pasi me atë bosht ne realisht kompletojmë ndërtimin e rrugëve të shkurtra zhvillimore në vend. Ndërtimi i rrugëve të shkurtra është një politikë kombëtare", theksoi kryeministri. Duke diskutuar për ndërtimin e një segmenti të rrugës transballkanike Vlorë-Fier, Berisha kërkoi që kjo rrugë të plotësojë standardet e kërkuara pasi parashikohet në të ardhmen që qyteti i Vlorës të ketë portin më të madh në Shqipëri.
Vendimet e KRRTRSH-së
Miratohet Plani Rregullues i bregdetit të Divjakës
Miratohet Plani Rregullues për Peqinin
Miratohet Plani për ndërtimin e rrugës transballkanike,Vlorë-Fier
Miratohet Plani për ndërtimin e Rrugës Berat-Lushnjë
Miratohet në parim Plani për ndërtimin e kompleksit tregtar në Kashar
Miratohet Plani për ndërtimin e parkut energjetik në Lukovë
Miratohet Plani për ndërtimin në Porto-Romano
Miratohet Plani për ndërtim Vilash Private në Lundër
Miratohet miratoi edhe një ndryshim në planin rregullues të qytetit të Tiranës, në lidhje me zonimin funksional të zonës prioritare pranë stadiumit "Qemal Stafa"
Miratohet studimin e projektit pjesor për zonën tregtare me sipërfaqe 18. 6 ha, në territorin brenda studimit urbanistik të zonës perëndimore të qytetit të Tiranës (Fusha e Aviacionit)