Autostrada Levan - Vlorë, denoncohet firma ndërtuese
FIER/ Punëtorët e firmës nënkontraktore kanë protestuar për pagat e pamarra prej 10 muajsh
FIER - Punëtorët e autostradës Levan -Vlorë dje paradite i kanë zhvendosur protestat e tyre para prokurorisë së rrethit gjyqësor Fier. Ka qenë vetë presidenti i firmës nënkontraktuese "Palmir", Përparim Gropa, ai që ka bërë denoncimin ditën e premte në prokurorinë e Fierit.
Kjo firmë punon për objektet e veprave të artit të autostradës për llogari të firmës "Alban Tirana" e cila është kontraktore. Sipas denoncimit, kjo firmë i ka "Palmir"-it një borxh prej 1,5 milionë lekë, i padhënë prej 10 muajsh. Për situatën e krijuar punëtorët kanë lënë punën në autostradë dhe në shenjë zemërimi kanë protestuar disa here, por askush nuk i ka dëgjuar.
Ata ankohen për firmën "Alban Tirana" duke u shprehur se ajo ka marrë paratë nga shteti për t'i paguar ata, por nuk ka denjuar jo vetëm t'u japë borxhin, por as të kontaktojë me ta. Sipas tyre, përfaqësuesit e firmës kontraktore janë zhdukur, ndërkohë që shteti bën sehir për këtë gjendje.
Ndërsa punimet në autostradë janë ndërprerë, shumë prej veprave të artit do të kenë pasoja. Gjithsesi dje punëtorët kanë shkuar në prokurorinë e Fierit ku kanë kërkuar një takim me drejtuesit.
"Është e drejta jonë që këtë vjedhje ta denoncojmë", janë shprehur ata. Ndërkohë lidhur me urdhrin e dhënë nga policia për largimin e tyre nga hyrja e prokurorisë, punëtorët u shprehën se kjo nuk ishte e drejtë. "Ne nuk po ndërpresim punën e këtij institucioni, as kemi bllokuar rrugën, - u shprehën ata. - Kjo është e drejta jonë. Ne do të denoncojmë dhe më pas do të largohemi".
Por policia i ka larguar punëtorët nga porta pas një bisedimi të bërë mes tyre. Këta të fundit pasi kanë qëndruar rreth dy orë një nga një kanë shkuar në zyrat e prokurorisë ku dhe kanë bërë denoncimin në drejtim të firmës kontratuese Alban Tirana.