E Shtunë, 31 Tetor 2026

Babai rrëmben fëmijën, denoncohet

FIER/ Blerina Qoli ka denoncuar ish-bashkëshortin e saj i cili ka marrë djalin e tyre dhe nuk dihet se ku është


Mësohet se nuk është hera e parë që babai nuk e ka kthyer djalin në shtëpi sipas vendimit të marrë nga gjykata


FIER - Ish-bashkëshorti ka marrë djalin dhe nuk e ka sjellë më në shtëpi, ndërkohë që asnjëri prej tyre nuk dihet ku ndodhet. Blerina Qoli, 26 vjeçe, banuese në fshatin Radostinë Vadhizë, komuna Qendër, në rrethin e Fierit rrëfen për "Shekulli"-n rrëmbimin e djalit të saj nga ish-bashkëshorti. "Djalin e ka marrë që në datë 20 dhe, sipas vendimit të gjykatës, në datën 21 në orën 10:00 ai duhet të ishte në shtëpi", -thotë ajo e shqetësuar.


Por një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Blerina tregon se ajo është ndarë para dy vjetësh nga bashkëshorti, ndërkohë që gjykata i ka lënë asaj për rritje dhe edukim djalin sot 4-vjeçar.


Ajo shprehet se djali i saj, Mario Beqaj, është rrëmbyer nga i ati dhe nuk dihet fati i tij, ndërkohë që policia është e pafuqishme të gjejë fëmijën. Gruaja ka bërë edhe një kallëzim në prokurori, ka shkuar edhe në Ministrinë e Brendshme, por ende asgjë.


Historia


Blerina Qoli dhe Erjon Beqaj janë martuar disa vite më parë. Pas martesës ata kanë shkuar në Greqi, ku në vitin 2006 është lindur djali Mario. Gjatë këtyre viteve, 26-vjeçarja tregon se martesa ka shkuar mbarë. Mosmarrëveshjet mes çiftit duket se kanë lindur në kohën që edhe prindërit e bashkëshortit të saj kanë mbërritur në vendin ku ata jetonin. Pikërisht në këtë kohë martesa ka marrë edhe krisjet e para.


Blerina shprehet se ish-bashkëshorti dhe ajo u përpoqën që martesa të funksiononte, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Si rrjedhojë, vajza është kthyer në Shqipëri, ku dhe ka kërkuar divorcin. Vështirësia më e madhe, sipas saj ishte se kush do ta merrte fëmijën.


Të dy ata kanë kërkuar që ta rrisnin djalin vetë. Madje, Blerina tregon se para se çështja të shkonte në gjykatë, ish-bashkëshorti e ka marrë djalin dhe e ka çuar në shtëpinë e prindërve të tij, në fshatin Drenovë të Mallakastrës.


Gjithsesi, gjykata në vitin 2008 vendosi përfundimisht që fëmija Mario Beqaj lindur në vitin 2006 t'i kalonte nënës Blerina Qoli për rritje dhe edukim, por duke i dhënë babait të drejtën që ta merrte dy të shtunat e çdo muaji dhe ta mbante 24 orë, si dhe ta mbante gjatë gjithë muajit korrik të çdo viti.


Të shtunën më datën 20 mars ka ndodhur e njëjta gjë. Erjon Beqaj ka marrë djalin dhe është larguar. Por, nuk e ka kthyer të nesërmen. Sipas të ëmës, edhe dy muaj më parë, ish-bashkëshorti e kishte thyer vendimin e gjykatës duke mos e kthyer më në shtëpi dhe ishte dashur ndërhyrja e policisë për kthimin e fëmijës 4-vjeçar. Por një gjë e tillë është ripërsëritur.


Frika


Nëna e djalit 4-vjeçar thotë se e kanë njoftuar se i biri tashmë ndodhej jashtë shtetit dhe ajo nuk kishte për ta marrë më. Si rrjedhojë ajo i është drejtuar policisë, duke treguar edhe vendimin e gjykatës që ia cakton asaj fëmijën për rritje. Mësohet se nga blutë është dhënë garancia se djali do të kthehet në shtëpi, por ende asgjë nuk ka ndodhur. "Kemi pritur ditë të tëra se mos e sillte djalin në shtëpi, - shprehet babai i Blerinës, Spiro Qoli. - Më pas shkuam në polici ku bëmë dhe denoncimin.


Nuk e kemi idenë ku ndodhet djali dhe druhemi se mos e kanë larguar jashtë vendit. Kemi shkuar në polici, në prokurori, në Ministrinë e Brendshme. Jemi të shqetësuar. Druhem dhe për vajzën, pasi as ajo nuk është mirë. Ndaj i bëj thirrje ish-bashkëshortit që të kthejë fëmijën".

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›