Autostrada drejt fundit, ikin nga puna 1 mijë vetë
KUKES - Afrimi i përfundimit të projektit Rrëshen-Kalimash ka bërë që ditët e fundit, qindra punonjës dhe specialistë të punësuar nga konsorciumi turko-amerikan “Becthel Enka”, të lënë jo pa dhimbje vendet e punës. Shkurtimi i vendeve të punës sipas drejtuesve të firmës, që mori përsipër këtë segment të rëndësishëm të të gjithë korridorit është i detyruar, sepse janë mbyllur shumica e vendeve të punës. Projekti po shkon drejt përfundimit dhe në muajin nëntor pritet që të gjithë punonjësit vendas dhe të huaj të jenë larguar. Janë afro 1 mijë vende punë të shkurtuara në pjesën Rrëshen–Thirrë. Jo vetëm punëtorë vendas por dhe specialistë të huaj, kryesisht turq, kanë ditë që janë larguar. Është shkatërruar plotësisht kampingu i Thirrës, ku ishin strehuar punëtorët, ndërsa po vazhdon puna për prishjen e kampingut të Repsit. Tashmë ata pak specialistë turq po strehohen në Kukës, kjo falë dhe shkurtimit të rrugës nga fronti i punës deri në qytet. I njëjti fat është dhe për kampingun e Kolshit matanë tunelit të Kalimashit. Punëtorët e shkurtuar kanë punuar kryesisht në autostradë dhe jo në tunel, pasi këta të fundit janë angazhuar në punimet që po kryhen te të dy galeritë. Ky segment është 65 km i gjatë me 27 ura dhe me tunelin e Kalimashit me gjatësi 5.6 km. Në këto frontet pune u punësuan rreth 3 mijë vetë, shqiptarë dhe të tuaj. Ky punësim masiv ka bërë që mijëra punëtorë vendas të papunë kryesisht nga Kukësi e Rrësheni të merrnin paga deri në 800 euro në muaj dhe të jetonin në kampingje në kushte shumë të mira. Ndërkohë që kanë nisur shkurtimet, të marrë në punë janë vetëm 25 vetë, pjesëtarë të stafit të sigurisë në tunelin e Kalimashit, kryesisht zjarrfikës dhe punonjës të sigurisë. j.h