E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sherri për makinën, vritet emigranti

 

BERAT/ DILAVER XHELILI

Për një xhirim gome, vritet emigranti 28-vjeçar. Vetëm dy ditë pas kthimit nga Greqia, Erjon Toska mbetet i vdekur nga dy plumba pistolete në kokë. Autori, Përparim Mahmutaj, u vu në pranga 3 orë më vonë, pas krimit që tronditi qytetin e Beratit që herët në mëngjes.
Vrasja e emigrantit ndodhi rreth orës 07:30, në lagjen “Barrikadë” të qytetit. Nga të dhënat në vendin e ngjarjes, mësohet se Toska, bashkë me të vëllanë, Besjanin 25 vjeç, kishin udhëtuar nga fshati i tyre Duhanas, komuna Velabisht, për të çuar motrën në një kurs rrobaqepësie që ajo ndiqte. Të dy vëllezërit jetonin në emigracion, në shtetin grek, dhe pas 2 vitesh larg kishin ardhur për pushime pranë familjes së tyre. Sapo kanë lënë motrën ata kanë marrë rrugën e kthimit. Në momentin që do të merrnin kthesën për të hyrë në rrugën kryesore, dy vëllezërit që udhëtonin me një makinë me targa greke, u përballën me një makinë që drejtohej nga 41-vjeçari Përparim Mahmutaj. Mjeti tip “Pontiac”, me targa amerikane, i Mahmutaj, ka xhiruar gomat në çastin kur po shkëmbehej me atë të dy djemve të rinj. Disa gurë të ngritur nga gomat e makinës amerikane ranë mbi makinën “Suzuki” të vëllezërve Toska, duke ciflosur xhamat e kësaj të fundit. Të dy vëllezërit, të befasuar nga kjo që u ndodhi kanë shkuar pas makinës së Mahmutajt. Ata e kanë arritur në afërsi të banesës, me qëllim t’i kërkonin llogari për atë që u kishte ngjarë. Por, nuk u është dhënë asnjë mundësi sqarimi. Përparim Mahmutaj, i është afruar Erjon Toskës që kishte zbritur nga makina, e me një pistoletë e ka qëlluar dy herë në kokë. Ai është larguar me shpejtësi, ndërsa ka lënë të shokuar vëllain e Erjonit. Besjan Toska ka marrë të vëllanë me shpejtësi, me shpresë se ai do t’i shpëtonte vdekjes. Por, sipas mjekëve të spitalit të Beratit, i riu kishte ndërruar jetë gjatë rrugës, për shkak të plagëve të rënda.
Menjëherë pas ndodhjes së ngjarjes, nga Drejtoria e Policisë qarkut Berat, në bashkëpunim me komisariatin e policisë së Kuçovës, u morën të gjitha masat për kapjen e autorit. Ai u identifikua shumë shpejt, madje rezultonte me precedentë të mëparshëm penalë. Për ndalimin e 41-vjeçarit u ngritën postblloqe operative në të gjitha rrugët, ku dyshohej që mund të largohej autori. Kërkimi intensiv i policisë, dhe bllokimi i shtigjeve nga mund të arratisej Mahmutaj, bënë që rreth orës 11:00 ai të pranonte të dorëzohej. Nga ana e policisë u kryen të gjitha veprimet për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje, si dhe arrestimi në flagrancë i autorit pas konsumimit të veprës penale të “vrasjes me dashje” dhe të “armëmbajtjes pa leje”.

viktima, baba i nje femije, priste nje tjeter

Burime nga familja Toska, që kanë deponuar në polici, bëjnë të ditur se dy vëllezërit Erjon Toska, 28 vjeç dhe Besmir Toska, 25 vjeç, kishin dy ditë që ishin kthyer nga Greqia ku punonin si emigrantë ekonomikë. Pa u çmallur ende me familjen mirë, ndodhi tragjedia. Erjoni ishte i martuar, kishte një fëmijë, ndërsa priste të dytin. Familjarët kanë kërkuar drejtësi nga qeveria se djali i tyre ishte i pafajshëm dhe për një sqarim iu mor jeta.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›