Situata aktuale, pasojë e ndryshimeve kushtetuese
Ndryshimet kushtetuese të 21 prillit 2008 janë shkaku themelor i situatës së krijuar me rrëzimin e dekretit të Presidentit për kandidaturën e Vangjel Kostës. Ish-kryetari i Gjykatës së Lartë, Thimjo Kondi, ka vlerësuar dje në fjalën e mbajtur në tryezën për pushtetin gjyqësor, se problemet e krijuara së fundmi nga politika burojnë në fakt nga goditja që iu dha Kushtetutës. “Unë mendoj se kjo që po ndodh zë fill me ndryshimet e miratuara në Kushtetutë dhe për të cilën ka përgjegjësi e gjithë klasa politike. Madje edhe ata që e kundërshtuan këtë gjë, më vonë ndryshuan mendim”, tha Kondi. Si ilustrim për ndërhyrjet e politikës ai ka sjellë edhe rastin e vet në kohën kur përgatitej zëvendësimi në detyrën e kryetarit. “Kur dihej që unë dhe disa anëtarë të tjerë na mbaronte mandati, pse atëherë nuk përgatitej kjo gjë me kohë, por lihej për në fund. Unë nuk kisha as kujt t’ia dorëzoja detyrën asokohe...”, ka shtuar ndër të tjera Kondi duke lënë të kuptohet për mënyrat e ndërhyrjes së politikës në hallkat e gjyqësorit. Sipas tij, e njëjta dukur po vihet re edhe në funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, për shkak të moszëvendësimit të disa anëtarëve që aktualisht kanë fituar mandate të papajtueshme me detyrën e anëtarit të KLD.
#