E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: E mbajtëm premtimin në vitin e parë të mandatit të dytë

Kryeministri flet nga Lapardhaja: Shumë ishin skeptikë atëherë

Kryeministri shqiptar, Sali Berisha, ka deklaruar se me heqjen e vizave mazhoranca ka realizuar një nga premtimet kryesore të saj në fushatën zgjedhore për zgjedhjet e 28 qershorit. Nga Lapardhaja e Beratit, ku ka marrë pjesë në përurimin e një shkolle, kreu i qeverisë shqiptare, ka përfituar të komentojë sërish vendimin e Komisionit Europian, duke i dhënë një sens më të madh politik. “Heqja e vizave për shqiptarët përbën një ndër arritjet më madhore në historinë e lirisë së tyre. Me heqjen e vizave, qytetarët e një vendi të vogël, qytetarët shqiptarë që vetëm 20 vite më parë jetonin të rrethuar nga tela me gjemba do të mund të lëvizin të lirë, në mbarë hapësirën europiane, si kurrë ndonjëherë në historinë e tyre. Me heqjen e vizave lëvizjen tuaj e të mbarë shqiptarëve, në hapësirën e pafundme europiane, çdo qytetar shqiptar, çdo qytetar i këtij vendi fiton dinjitet të ri, fiton dinjitetin e të qenit qytetar europian”, deklaroi Berisha, i cili më pas ka hyrë drejt e në temë duke kujtuar zgjedhjet parlamentare. “Heqja e vizave përbën gjithashtu një ndër premtimet më madhore të mbajtura të qeverisë sime.

Vendimi i Brukselit ka në themel dhe në bazë vlerësimin e të gjitha arritjeve tona, vlerësimin e të gjitha përpjekjeve tona, vlerësimin e seriozitetit dhe përgjegjshmërisë sonë”, theksoi Kryeministri. Në fjalën e tij, Berisha ka lëshuar edhe një silur politik ndaj opozitës për të theksuar se vendimi i Brukselit është një premio pas zgjedhjeve siç tha ai të “lira”. “Vizat u hoqën para së gjithash dhe mbi të gjithë se ne zhvilluam zgjedhje të lira e të ndershme dhe festojmë kudo, pritemi në këtë vend, si përfaqësuesit tuaj, si përfaqësuesit e qytetarëve të votuar në liri të plotë”, deklaroi Kryeministri në kohën kur Bashkimi Europian ka iniciuar një nismë politike për të arritur një kompromis mes mazhorancës dhe opozitës për hetimin e zgjedhjeve të 28 qershorit, të cilat opozita i ka cilësuar si të “deformuara”. Por Berisha, ka shkuar edhe më tej, duke e cilësuar viston e Komisionit Europian si një “rezultat i luftës me zero tolerancë, i çlirimit të Shqipërisë, nga Aldo Baret, nga Nehat Kullat e dhjetëra e dhjetëra bosë të mafies që bënin ligjin.

Heqja e vizave erdhi si rezultat i luftës me zero tolerancë ndaj të gjitha formave të krimit dhe arritjes në këtë vend, të treguesve të kriminalitetit më ulët se treguesit e mesatares europiane. Heqja e vizave erdhi si rezultat i shembjes së murit të korrupsionit që kishte ngritur sistemi kleptokratik. Kur ne u zotuam se brenda vitit të parë të mandatit të dytë do të merrej vendimi për heqjen e vizave, pati mjaft skeptikë. Pati nga ata të cilët u përpoqën t’ju bindnin se kjo nuk do të ndodhte kurrë”.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›