E Shtunë, 31 Tetor 2026

Autostrada e vdekjes u merr jetën dy të rinjve

Autostrada e vdekjes, ashtu siç është cilësuar ajo që të çon drejt Shkodrës për nga niveli i lartë i aksidenteve rrugore, është përgjakur sërish në orët e para të mëngjesit të djeshëm. Pas aksidentit të rëndë të ndodhur pak javë më parë, ku gjetën vdekjen 7 persona, këtë radhë mësohet se janë dy të rinj, të cilët kanë humbur jetën duke udhëtuar me një çiklomotor. Nga ekspertët hetimorë është duke u dokumentuar e gjithë situata dhe provat në vendin e ngjarjes. Mësohet se aksidenti ka ndodhur saktësisht në segmentin rrugor Fushë-Krujë - Laç, në kryqëzimin e Patokut dhe dy të rinjtë e identifikuar me emrat Fatjon Deda, 26 vjeç dhe Skënder Thaçi, 28 vjeç, që të dy banues të Laçit, ishin duke udhëtuar me një çiklomotor. Ky i fundit, në ato momente ka devijuar nga rruga duke shkaktuar menjëherë vdekjen e dy të rinjve. Ekspertët rrugorë ende nuk i kanë përcaktuar shkaqet e ngjarjes, por deri tani mendohet të jetë kryesisht ajo e shpejtësisë së lartë, me të cilën po udhëtonin në ato momente dy viktimat.
Ndërsa një aksident tjetër i rëndë me pasojë plagosjen e një shtetasi ka ndodhur në orët e vona të darkës në hyrje të Shkodrës në vendin e quajtur "Ura e Bahçallëkut". Ka qenë vetë drejtuesi i një motoçiklete, Zenel Kastrati, protagonist i aksidentit, i cili pasi ka humbur kontrollin, është përplasur te parmakët e urës. Ndihma e parë i është dhënë nga disa kalimtarë. Pas ndërhyrjes së mjekëve në spitalin rajonal të Shkodrës, personi i aksidentuar e ka kaluar rrezikun për jetën. Ndërsa në Korçë aksidenti i ka marrë jetën një 52-vjeçari, që udhëtonte me motor. Autori i këtij aksidenti është larguar nga vendi i ngjarjes, por kanë qenë dëshmitarët e shumtë, të cilët kanë vënë në dijeni policinë për mjetin që është bërë shkak për vdekjen e motoristit. Pandeli Caci ka gjetur vdekjen në spitalin civil të Korçës, për shkak të dëmtimeve të shumta dhe frakturave në kokë. Viktima është aksidentuar rëndë në afërsi të stacionit të furgonëve të linjës Korçë-Tiranë në momentin kur po lëvizte me një çiklomotor. Sipas policisë, Pandeli Caci është përplasur me forcë nga prapa nga mjeti tip "Mitsubishi", me targa KO 0474 B. Policia ka identifikuar si autor Fredi Xhaferllarin. Autori i aksidentit është larguar nga vendi i ngjarjes, por po punohet për kapjen e tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›