Tiranë, qindra afishe në vendet publike kundër luftës në Gaza
TIRANE – Luftimet e ashpra që po zhvillohen në Gaza kanë shkaktuar dje një reagim të veçantë edhe në Tiranë. Me qindra afishe dhe postera kundër luftës janë vendosur dje në mbrëmje në vendet publike të kryeqytetit. Në stacionet e urbanëve, në rrugët kryesore dhe në sheshe janë vendosur afishe në të cilat janë paraqitur imazhe të ndryshme nga lufta në Gaza, në krye të të cilave qëndron thirrja “Ndal Luftës”. Pas vendosjes së afisheve në vendet publike të ndryshme në Tiranë, gazeta mësoi se një veprim i tillë është bërë nga xhamitë e kryeqytetit. “Ne jemi një popull i vogël që shpesh kemi vuajtur nga luftëra të padrejta, rasti i fundit i Kosovës flet qartë për këtë. Lufta në Gaza e ka tronditur njerëzimin në themel, pamjet që vijnë janë të paimagjinueshme për kohën tonë. Mbarë opinioni botëror është ngritur për t’i thënë ndal luftës, ndaj edhe ne si xhami të kryeqytetit me një kontribut modest menduam të sensibilizojmë për të treguar se paqja është e vetmja alternative e njerëzimit. Aq më tepër që si shqiptarë kemi sakrifikuar në strehimin e hebrenjve gjatë pushtimit nazist dhe si popull paqedashës kemi për detyrë të kontribuojmë sadopak që kjo luftë e tmerrshme të marrë fund sa më parë. Fotografitë në këtë poster flasin më qartë se ç’po ndodh atje”, tha njëri nga organizatorët e fushatës së afisheve të shpërndara në Tiranë me thirrje kundër luftës në Gaza.