Shullazi e Ferhati nga 13 vjet burg
Armand Bajrami
Gjykata për Krimet e Rënda i dha fund dje procesit gjyqësor në ngarkim të Emiliano Shullazit dhe Ervin Ferhatit, duke i shpallur ata fajtorë dhe dënuar në total me 26 vjet heqje lirie. Në seancën e djeshme kryesuesja e pesëshes gjykuese, gjyqtarja Nertina Kosova, lexoi përpara palëve dispozitivin e vendimit që dënonte me nga 13 vjet burg Shullazin dhe Ferhatin për veprën penale të “trafikut të lëndëve narkotike të kryer më shumë se një herë”. I veshur me një bluzë sportive ngjyrë bezhë, Ervin Ferhati ka qenë i vetmi i pandehur në kafazin e hekurt të sallës së gjyqit, pasi i pandehuri Emiliano Shullazi kishte zgjedhur të përfaqësohej nga avokati i tij mbrojtës. Edhe pse pak ditë më parë, gjatë paraqitjes së konkluzioneve përfundimtare të mbrojtjes, nga i pandehuri Ferhati u kërkua kohë për të përgatitur një mbrojtje të tijën, ai dje nuk ka pranuar të bëjë komente. “Nuk kam për të shtuar gjë. Jam dakord me konkluzionet përfundimtare të paraqitura nga avokati im mbrojtës”, deklaroi Ferhati. Në vijim pesëshja gjykuese u tërhoq në dhomën e këshillimit për të marrë vendimin përfundimtar. Ndërsa gjykata shpalli fajtorë të pandehurit vetëm për një nga veprat penale, për të cilat akuzoheshin pak muaj më parë. Në konkluzionet e saj përfundimtare prokuroria pati kërkuar nga 18 vjet heqje lirie për ta. Në vendim gjykata i deklaroi të pafajshëm dy të pandehurit për veprën tjetër penalë për të cilën ata akuzoheshin, atë të “organizimit, drejtimit e financimit të një organizate kriminale me qëllim trafikimin e heroinës”. Ndërkohë që rezultoi e provuar dhe e faktuar akuza e trafikut të lëndës narkotike, vepër për të cilën të pandehurit morën edhe dënimin. Sipas prokurorisë, Shullazi dhe Ferhati kanë drejtuar një organizatë kriminale që trafikonte heroinë nga Turqia drejt Italisë, duke kaluar transit nëpër Shqipëri. Në konkluzionet përfundimtare pala e akuzës pretendoi faktimin e 4 prej këtyre episodeve të kryera gjatë vitit 2004. Zbardhja e trafikut dhe të emrave të anëtarëve të tjerë të përfshirë në të, është bërë në bazë të përgjimeve telefonike të kryera nga prokuroria. Sipas Prokurorisë, furnitori i Shullazit dhe Ferhatit ishte një shtetas turk, ndërsa korrierët ishin shtetas kosovarë, shqiptarë dhe kroatë. Bëhet e ditur se totali i lëndës narkotike heroinë dhe përzierës të trafikuar arrin në masën e 150 kilogramëve.