E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shembet pallati, largohen 56 vetë

 

BULQIZE/ HASAN PASHA

 Prej kohësh Bashkia e qytetit të Bulqizës kishte njoftuar kryefamiljarët se duhet të linin banesat e ish-hotelit të qytetit, pasi jeta e tyre vihej në rrezik. Por, ky urdhër nuk zbatohej, paçka se pallati kishte të çara, çatia pikonte, mungonin parmakët e shkallëve, banjat për çdo apartament dhe mbetjet grumbulloheshin fare pranë pallatit. Banorët kishin vendosur të qëndronin aty për shkak të pamundësisë për t’u strehuar diku tjetër. Dje, në të gdhirë të ditës, shembja e një pjese të pallatit të “kalbur” në katin e dytë, ka alarmuar sërish bashkinë e qytetit dhe vetë familjarët. Dëshmitarët okularë të ngjarjes thanë se rreth orës 08:00 është dëgjuar një zhurmë e madhe. Një arkitra dhe një pjesë e dyshemesë ishte rrëzuar, çka ka bërë që shumë shpejt familjarët e atij kati të dalin me shpejtësi jashtë. Pas largimit të banorëve të parë, këtë rrugë kanë ndjekur dhe banorët e tjerë të pallatit. Frika e paniku kishte pushtuar të gjitha familjet. Fatmirësisht shumica e fëmijëve ishin larguar nga pallati për të frekuentuar mësimin në shkolla, ndërkohë të rriturit janë larguar pa pasur lëndime dhe probleme për jetën. Dalja e familjarëve në oborrin e shtëpisë ka alarmuar Bashkinë dhe Policinë Lokale. Kryetari i Bashkisë Bulqizë, Roland Keta, shefi i komisariatit Mirash Loci e më pas dhe prefekti i Dibrës, Xhaferr Seiti janë ndodhur shpejt pranë njerëzve që kishin lënë pallatin dhe qëndronin para tij. Fillimisht autoritetet vendore janë interesuar për shëndetin e njerëzve dhe më pas kanë marrë të gjitha masat që askush të mos guxonte të hynte sërish në shtëpi. Prefekti Seiti tha se sapo është informuar nga Kryetari i Bashkisë Bulqizë ka udhëtuar në drejtim të këtij qyteti dhe ka ndjekur nga afër situatën. “Ndërtesa ku ishin strehuar 15 familjet nuk kishte përfunduar dhe nuk ishte menduar për apartamente banimi. Banorët ishin njoftuar me kohë se duhet të largoheshin nga pallati, pasi gjendja e tij ishte tejet e amortizuar dhe gjendja e tij paraqiste rrezik për jetën e tyre. Nga verifikimi në vend, kemi konstatuar se kishte rënë një arkitra i katit të dytë dhe një pjesë e dyshemesë së këtij kati, ndërkohë që katet e mësipërme të pallatit janë në rrezik, prandaj së bashku me kryetarin e bashkisë vendosëm largimin e banorëve nga ky pallat”. Prefekti sqaroi se kishte kërkuar nga Drejtoria Rajonale e Policisë Dibër dhe Komisariati i Bulqizës të marrin të gjitha masat që familjarët të mos lejohen për të hyrë në pallat, pasi jeta e tyre vihej në rrezik. “Janë 15 familje me 56 banorë që nuk do të banojnë më në pallatin e mëparshëm, pasi ai përbën rrezik serioz për jetën e tyre. Shembja e një pjese të tij mëngjesin e sotëm na imponoi të mos lejonim askënd të futej për të banuar në këtë objekt. Urdhëruam policinë lokale të merrte të gjitha masat që askush të mos banonte këtu, pasi kishim shumë frikë se gjatë ditëve në vazhdim mund të kishte të tjera probleme”, tha kryebashkiaku i Bulqizës. Familjarët kishin hyrë në këtë pallat pa lejen e autoriteteve të Bulqizës, në vitin 1990. Ky ishte një pallat i papërfunduar dhe askush nuk i kishte penguar ata të strehoheshin këtu, edhe pse gjendja e objektit ishte kritike dhe në pallat mungonin kushtet më minimale. Ndërkohë Kryetari i Bashkisë së Bulqizës tha se ai dhe shtabi i emergjencave civile në bashki kishin informuar zyrtarisht prefektin e Qarkut Dibër, Xhaferr Seiti, Këshillin e Qarkut dhe Ministrinë e Brendshme. Madje sipas Roland Ketës janë bërë kërkesa konkrete për t’u ardhur në ndihmë 56 banorëve të mbetur të pastrehë. Ngjarja e djeshme në Bulqizë shënoi përsëritjen e panikut të shkaktuar në Gjirokastër në nëntor të vitit të shkuar. Tronditja e themeleve të një pallati nga ndërtimi i një godine të re ngjitur me të, shkaktoi shembjen e një pjese të tij, me pasojë vdekjen e tre banorëve dhe plagosjen e disa të tjerëve.

Apel për ndihmë nga Kryetari i Bashkisë

Roland Keta, Kryetar i Bashkisë Bulqizë tha se urdhri i tij më në fund u zbatua, por pasi jeta e banorëve të pallatit u vu në rrezik serioz. Policia vendosi forca e mjete pranë pallatit dhe nuk lejoi askënd të banonte aty. Keta nënvizoi se shumë shpejt është mbledhur shtabi i emergjencave civile pranë bashkisë dhe fillimisht është diskutuar strehimi i përkohshëm i këtyre familjeve të pastreha. “Vendosëm që familjet të vendoseshin në mjediset e ish-ndërmarrjes gjeologjike, mirëpo asnjëra nga familjet nuk është vendosur në këto mjedise. Familjarët janë ftuar nga njerëzit e tyre të afërm në qytet dhe fshatrat përreth. Nëse familjet do të vendoseshin në ish-zyrat e gjeologjisë ne kishim menduar që ata të merrnin me vete rrobat dhe sendet që kishin në apartamentet e tyre, - tha Keta,- ndërkohë do të bënim të pamundurën për t’i furnizuar ato me ushqime e sende të tjera të domosdoshme”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›