E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Pengu” i CIA-s në Kuçovë, paditen Ministria e Brendshme dhe Mbrojtjes

 

TIRANE - Qendra për Zhvillim dhe Demokratizim në Shqipëri ka ngritur padi ndaj Ministrisë së Brendshme dhe asaj të Mbrojtjes lidhur me rastin e shtetasit gjerman, me origjinë libaneze Khaled El Masri, i cili para 4 vjetësh u dërgua nga Kandahari/Afganistan në Shqipëri, ku u torturua si i dyshuar për lidhje me organizatat terroriste. Drejtori i Qendrës, Ilir Aliaj në një intervistë të dhënë për shërbimin shqip të radios “Deutsche Welle” ka pohuar se Qendra për Zhvillim dhe Demokratizim ka ngritur padi ndaj Ministrisë së Brendshme dhe asaj të Mbrojtjes për fshehje të së dhënave dhe shkelje të ligjit për të drejtën e informimit. “Historia e Khaled El Masri filloi para 5 vitesh, në vitin 2003, kur ai gjendej në Maqedoni si turist. Atje Khaled El Masri u arrestua, u burgos dhe u torturua. Autoritetet maqedonase e dërguan më pas në Kandahar, në Afganistan, në burgjet e CIA-s ku u mbajt për një kohë të gjatë, duke iu nënshtruar torturave te rënda. Më 24 maj 2004 atë e sollën nga Kandahari në aeroportin ushtarak të Kuçovës. Të nesërmen, më 25 maj, në orën 05.00 të mëngjesit u largua nga aeroporti i Rinasit për në Frankfurt, me linjën ajrore “Albanian Airlines”. Ne kemi fotokopjen e pasaportës së tij gjermane, ku është vula e aeroportit “Nënë Tereza” të Rinasit dhe data”, tha Aliaj për DW. Sipas tij, Qendra për Zhvillim dhe Demokratizim ka kërkuar të dhëna mbi fluturimin nga Kandahari në Kuçovë dhe nga Kuçova në Tiranë dhe më pas në Frankfurt. “Kemi kërkuar detaje si p.sh., cili person ka zbritur nga Ministria e Mbrojtjes bashkë me Khaled El Masrin në aeroportin e Kuçovës? Çfarë ka ndodhur me shtetasin gjerman në udhëtimin e tij nga aeroporti ushtarak i Kuçovës në Tiranë dhe që andej në aeroportin e Rinasit? Këto janë informacionet që kemi kërkuar dhe na janë refuzuar me pretekstin se përgjigjja e këtyre pyetjeve nuk lidhet me kërkesat tona”, tha më tej Aliaj. Ai theksoi se Ministria e Brendshme është përgjigjur zyrtarisht, duke thënë se posedojnë vetëm një informacion, që tregon se shtetasi gjerman Khaled El Masri është larguar nga Shqipëria me linjën “Albanian Airlines” me itinerarin Tiranë-Frankfurt më 29 maj 2004 dhe se nuk kanë asnjë lloj informacioni tjetër. Kurse Ministria e Mbrojtjes na ka thënë se informacioni, që kërkojmë është ushtarak dhe jocivil dhe prandaj nuk ka asnjë lidhje me ligjin për të drejtën e informimit. Sipas autorit të padisë, në bazë të ligjeve të Shqipërisë, policia kufitare ka çdo të dhënë për hyrje-daljet e personave në Shqipëri. “Policia kufitare nuk na e jep këtë të dhënë. Prandaj jemi të bindur se e kanë informacionin, por nuk duan ta bëjnë publik. E mbajnë të fshehtë. Arsyet? I dinë ata. Por bazuar në ligjin shqiptar për të drejtën e informimit i kemi hedhur në gjyq”, shpjegoi Aliaj. Sipas tij, hetimi është ndihmuar nga organizata e “Open Society - Justice Initiative” në SHBA, që ka bërë lidhjen me avokatin e Khaled el Masri-it, Manfred Gdinjiçe përmes, të cilit mbaj lidhje me Khaled el Masrin, i cili për fat të keq nuk ka tani një shëndet të mirë mendor, pas gjithë torturave që ka kaluar. “Avokati tij, zoti Gdinjiç, i dha Qendrës sonë një prokurë të posaçme, që na jep të drejtën për të marrë të dhënat personale për shtetasin gjerman”, tha më tej Aliaj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›