E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Topi i Artë", Kristiano Ronaldo "mbret" i Evropës

Ende nuk është zyrtare (mbrëmja gala do të zhvillohet të martën e ardhshme), por tashmë duket se gjithçka ka përfunduar: Kristiano Ronaldo është fitues i "Topit të Artë" për vitin 2008. Lajmi bëhet i ditur nga tabloidi britanik, "The Sun", që theksonte se fotografët e revistës "France Football" ishin në Mançester për t‘i bërë foto, ku portugezi mban në dorë trofeun prestigjioz. Pamjet do të shërbejnë si për faqen e parë të revistës, ashtu edhe për mbrëmjen kur do të bëhet publik fituesi, ku do të dorëzohet çmimi. Fakt mjaft domethënës është se një lojtar i Junajted nuk shpallej si "Lojtari Evropian i Vitit" në 40 vitet e fundit, që prej kohës së Xhorxh Best. 23-vjeçari bëhet lojtari i katërt i "Djajve të Kuq" që fiton këtë vlerësim, ku, përveç Best, më parë e kishin marrë edhe Bobi Çarlton në vitin 1966 dhe Denis Lav, më 1964-ën. Por, asnjëherë si në këtë edicion, pothuajse të gjithë kishin mendim të njëjtë për lojtarin fitues (madje, edhe kundërshtarët e Ronaldos në fushën e lojës). Me 42 golat e realizuar gjatë sezonit të kaluar, mesfushori ishte lojtari kryesor i skuadrës së Ferguson drejt triumfeve në Premiership dhe në Ligën e Kampioneve. Për vetë karakteristikat që ka si çmim, "Topi i Artë" i jepet një futbollisti spektakolar, pra që di t‘i emocionojë tifozët me lojën dhe driblimet e tij. Ashtu siç ndodh në çdo edicion, ishte folur edhe për konkurrentët e mundshëm të Kristiano Ronaldos, si Lionel Mesi, Iker Kasiljas, Fernando Torres dhe Zlatan Ibrahimoviç. Megjithatë, rivalët as që nuk mund të krahasoheshin me portugezin: një prej kritereve më të rëndësishme për marrjen e trofeut është fitorja e një titulli të rëndësishëm me klubin, ose me ekipin kombëtar. Kjo bënte që alternativat Mesi dhe Ibrahimoviç të dilnin automatikisht nga gara. Ishin hedhur edhe hipoteza se fituesi mund të ishte një prej anëtarëve të përfaqësueses spanjolle, që në Austri dhe Zvicër u shpallën Kampionë të Evropës, por duket se asgjë nuk mundi ta frenonte Ronaldon. Ylli i Mançesterit është fitues i "Topit të Artë", trofeu më i rëndësishëm individual, që jepet çdo vit nga "France Football" që prej 1956-ës, kur iu dorëzua Stenli Methjus.

Lojtarët - Edhe ylli i Barcelonës, Lionel Mesi, nuk e ka fshehur faktin se Kristiano Ronaldo e meriton "Topin e Artë". "Ai ka fituar titullin në Angli dhe Championsin, ishin fjalët e argjentinasit, dhe më duket e drejtë që të shpallet fitues". Edhe Robinjo, që synon të shndërrohet te Mançester Siti në idhull (ashtu siç është Ronaldo te Junajted), tha se portugezi meriton të fitojë edhe çmimin si "Lojtari më i Mirë në Botë". "Është një prej lojtarëve më të mirë në botë, pohoi braziliani, jam i bindur se do të fitojë edhe këtë çmim. Ronaldo e meriton".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›