PR shpërndan dokumente: Faji i Shtabit për Gërdecin
TIRANË- Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Republikane, Arjan Madhi, ka publikuar dje materiale të tjera në lidhje me skandalin e Gërdecit. Dokumentet e djeshme kanë lidhje me administrimin e municioneve në magazinat e Gërdecit. Sipas shkresës së publikuar nga Madhi, kontrata ka pasur kontestime në lidhje me transportimin e municioneve, sasinë e furnizimit ditor dhe magazinimin. “Komanda Mbështetëse e Logjistikës ka shprehur kontestime në lidhje me ngarkimin, transportin e municioneve me forcat dhe mjetet e saj nga depot në qendrën e grumbullimit në Gërdec, Vorë. Nuk përballon grafikun e furnizimit ditët me municion për demontim industrial. Nuk merr përsipër administrimin e municioneve në magazinën qendrore në Gërdec”,- thuhet në shkresën e drejtuar nga drejtori i MEICO, Luan Pinari për Shefin e Shtabit të Forcave të Armatosura, Luan Hoxha. Me anë të kësaj shkrese Pinari i shpjegon se të gjitha praktikat eksport- importit të armatim- municionit janë bërë nga forcat dhe mjetet e Forcave të Armatosura. Për këtë arsye Pinari i kërkon Luan Hoxhës ndihmë në mënyrë që të vazhdojë procesin e demontimit industrial me firmën kontraktuese që ka kontratën. Një tjetër dokument i publikuar nga Partia Republikane tregon se Shefi i Shtabit të Forcave të Armatosura, Luan Hoxha kishte dijeni për Gërdecin pasi me urdhrin e tij aty u dërgua që të punonte eskavatoristi i ushtrisë, Ilirian Malçi.