BB: Ekonomia mund të ngadalësohet
Banka Botërore njofton se Shqipëria mund të përballet me ngadalësim të rritjes ekonomike si pasojë e krizës së fundit globale. Në një intervistë të publikuar në uebin e BB, përfaqësuesja e këtij institucioni në Shqipëri, Camille Naumah thotë se shtrenjtimi i parasë në SHBA dhe BE, rritja e papunësisë në botën e zhvilluar ku jetojnë shumë shqiptarë emigrantë si dhe efekti i krizës globale në remitanca, mund të shkaktojnë zvogëlim të tregut të kreditimit në Shqipëri dhe ngadalësim të rritjes ekonomike.
Deklarata e Naumah është shumë e ndryshme nga deklaratat e vazhdueshme të ministrit të Financave, Ridvan Bode, i cili pak ditë më parë njoftoi se edhe vlerësimi paraprak i rritjes ekonomike të vitit 2007, do të rishikohet në rritje, nga 6 në 6.5%. Rritja e PBB-së për vitin e kaluar nuk ndryshoi nga parashikimi prej 6%, pavarësisht krizës së thellë të energjisë elektrike, importeve të elektricitetit sa 2.5% e PBB-së si dhe rritjes së importeve të tjera si pasojë e rritjes së çmimeve. Sektori i bujqësisë, i cili u vlerësua me rënie të prodhimit me -1.9% gjatë vitit 2007, si pasojë e mungesës së dukshme të prodhimit vendës për shkak të thatësirës, “do të rishikohet” sipas Bodes, për shkak se të dhëna të reja, vënë në dukje se thatësira nuk dha ndikim kaq negativ.
Shifra dhe realitete
Prodhimi i Brendshëm Bruto është treguesi i totalit të vlerës së shtuar, të krijuar nga aktiviteti ekonomik në një vend të caktuar. Rritja e PBB-së konsiderohet si një tregues jo i saktë i mirëqenies së popullit, për shkak se nuk merr parasysh se kush përfiton nga kjo rritje. Disa nga sektorët e ekonomisë, kanë ndikim të vogël ose nuk kanë ndikim fare në të ardhurat e popullatës. Bujqësia p.sh., sektori nga ku përfiton më shumë se gjysma e popullatës së vendit, ka patur një rritje mesatare të PBB-së me më pak se 2% në vit gjatë dhjetë viteve të fundit, gjë që tregon që në terma reale, popullata e fshatit është varfëruar vazhdimisht. Industria dhe minierat, të cilat gjatë vitit 2007 janë rritur me 14%, kanë shumë pak ndikim në ekonominë e vendit, për shkak se janë nën pronësi të huaj, kanë një normë punësimi relativisht të ulët dhe se fitimet transferohen jashtë duke thelluar deficitin e llogarisë korrente të vendit. Ndërtimi, që është sektori i vetëm i ekonomisë së vendit me ndikim tërësor në mirëqenien e njerëzve, ka qenë duke u ngadalësuar gjatë vitit të kaluar dhe pritet të ngadalësohet edhe këtë vit.
Shtrëngime financiare
Znj.Naumah bëri të ditur gjithashtu se FMN ka detyruar qeverinë që të tërhiqet nga disa politika fiskale që ishin planifikuar për 2008-ën, në mënyrë që të ngushtohet deficiti buxhetor nga 7,9 për qind, në 5,2 për qind. Vetë qeveria e ka mbajtur të fshehtë heqjen dorë nga politika e zbutjes së taksave. Banka Botërore thotë se për këtë vit, rreziku më i madh vjen sërish nga sektori i energjisë elektrike. Gjatë vitit të kaluar, Shqipëria u detyrua të blejë 180 milionë euro energji importi, ndërsa këtë vit ka nevojë për një shifër të ngjashme për të garantuar furnizim të rregullt.
Pasojat e krizës globale
Ekspertët thonë se kriza financiare globale mund të ulë investimet e huaja në Shqipëri gjatë këtij viti, ndërkohë që inflacioni dhe shkurtimi i vendeve të punës në vendet e zhvilluara do të sjellë më pak të ardhura nga emigrantët. Rritja e fortë e çmimeve të energjisë dhe të ushqimeve në tregun botëror do të shkaktojë shpenzime më të larta për importe për Shqipërinë, duke sjellë edhe ngadalësim të rritjes ekonomike. Por në termat e shifrave, ndikimi mund të kundërbalancohet nga shpenzimet e larta buxhetore këtë vit për ndërtimin e rrugës së Kukësit, investim që megjithëse konsiderohet pjesë e PBB-së, nuk jep ndonjë ndikim substancial në rritjen e mirëqenies së popullatës.