E Shtunë, 31 Tetor 2026

Autostrada virtuale dhe “Besa” e shqiptarëve

Prej disa vitesh ka marrë jetë një ndër projektet më të rëndësishme për shkencën dhe kulturën shqiptare, projekti “Besa”, ideuar dhe pagëzuar me këtë emër nga profesor Françesko Altimari. Por “Besa”, tashmë në gjuhën shqipe në formën e një akronimi ka edhe një kuptim tjetër, që ka të bëjë jo vetëm me fjalën e dhënë, por edhe me fjalët e thëna në gjuhën shqipe, të cilat të mbledhura, të shkruara e të përpunuara dhe tashmë të dixhitalizuara, përbëjnë fondin e Bibliotekës Elektronike të Sajteve Arbëreshe

Në të njëjtën kohë kur në Shqipëri vazhdojnë punimet për ndërtimin e autostradës Durrës-Kukës-Morinë në drejtim të Veriut, e cila do të mundësojë integrimin e Shqipërisë në sistemin evropian të komunikimit, në drejtim të Perëndimit, Shqipërisë i është hapur një rrugë me anë të së cilës asaj i jepet mundësia për t’u lidhur dhe integruar me autostradat virtuale evropiane të komunikimit nëpërmjet kulturës dhe shkencës, edhe pse ende nuk është anëtare e Bashkimit Evropian.

Rruga për në autostradat virtuale evropiane kalon nëpërmjet një ndërtese në formë kubi. Kjo ndërtesë quhet Kubi 20A, departamenti i Gjuhësisë në Universitetin e Kalabrisë, njërit prej 10 universiteteve më të mëdha në Itali ku vetëm ura për të lidhur fakultetin e parë me të fundit është rreth 3 kilometra në vijë të drejtë me 3 kate. Në brendësinë e Kubit 20A, i cili, siç e përmenda dhe me lart, ka formën e një hard disku modern, ndodhen disa ambiente të cilat përbëjnë trurin dhe procesorin e Kubit 20A.

Janë hapësirat dhe zyrat e Sportelit Gjuhësor të Albanologjisë, i krijuar dhe i drejtuar nga prof. Françesko Altimari.

Në këtë sportel, prej disa vitesh ka marrë jetë një ndër projektet më të rëndësishme për shkencën dhe kulturën shqiptare, projekti “Besa”, ideuar dhe pagëzuar me këtë emër nga profesor Françesko Altimari. Emri “Besa” u zgjodh për të evokuar njërin nga virtytet më të larta që ka karakterizuar shqiptarët e vërtetë. Pagëzimi me emrin “Besa” evokon besën e dhënë nga arbëreshët për të mos e harruar kurrë dheun e të parëve. Motivin e besës e ndeshim dhe në veprat e Homerit shqiptar, Jeronim de Rada, ashtu si dhe në veprat e intelektualëve të shquar arbëreshë. Por “Besa”, tashmë në gjuhën shqipe në formën e një akronimi ka edhe një kuptim tjetër, që ka të bëjë jo vetëm me fjalën e dhënë, por edhe me fjalët e thëna në gjuhën shqipe, të cilat të mbledhura, të shkruara e të përpunuara dhe tashmë të dixhitalizuara, përbëjnë fondin e Bibliotekës Elektronike të Sajteve Arbëreshe. Për të mbajtur fjalën e dhënë, projekti “Besa 2” është menduar të quhet dhe Biblioteka Elektronike e Sajteve Albanologjike.

Nëse “Besa1”, e cila kishte për qëllim grumbullimin, përpunimin dhe dixhitalizimin e veprave dhe dokumenteve me interes arbëresh dhe albanologjik vetëm në kontekstin italian ku bëjnë pjesë minorancat arbëreshe, - ndër veçoritë e projektit përmendim këtu dixhitalizimin e veprave origjinale të Jeronim de Radës, që mund të shkarkohen lirisht – “Besa 2” synon të zgjerohet në të gjitha strukturat bibliotekare të komuniteteve të ndryshme shqiptare që gjenden në provincat e tjera kalabreze, në krahinat e tjera të Italisë dhe në zonën e Ballkanit, duke realizuar kështu një katalog kolektiv on-line me regjistrime bibliografike, të cilat gjenden në biblioteka të ndryshme ballkanike.

Në këtë fazë, katalogimi është përqendruar në vëllimet antike e moderne të shtypura në gjuhë apo me interes arbëresh o albanologjik. Parashikohet në një fazë të mëvonshme zgjerimi i rilevimit dhe i katalogimit të revistave, të materialeve minore të shtypura, të dorëshkrimeve, të dokumenteve të tjera arkivore, si dhe të materialeve audiovizive dhe të burimeve të tjera elektronike. Do të jetë pikërisht “Besa 2”, projekti i cili zgjeron akoma më shumë rrugën e hapur nga “Besa 1”, duke hapur porta të reja drejt autostradës virtuale të dijes dhe kulturës evropiane e pagëzuar me emrin “Europeana”, pagëzimi i së cilës u bë në datën 20 dhjetor 2008, festimi dhe pagëzimi i bibliotekës më të madhe të realizuar deri më sot nga mendja dhe pikërisht në një ditë kur shqiptarët festonin100-vjetorin e Kongresit të Manastirit dhe njësimit të gjuhës shqipe. Por nëse për shqiptarët festimet u mbyllën me sukses e me hare, për evropianët të cilët sakrifikuan fundjavën e tyre të çmuar duke u mbyllur në shtëpi para kompjuterit për të festuar, shijuar e udhëtuar në autostradën më të madhe të dijes dhe komunikimit, gëzimi dhe udhëtimi ishin shumë të shkurtër.

Me keqardhje, stafi i projektimit të “Europeanës” njoftoi për mbylljen e përkohshme të ueb sajtit gjatë punimit të të cilit nuk ishin parashikuar më shumë se 10 milionë klikime në një orë. Ishte pikërisht etja për dije e evropianëve adultë në moshën e internetit që bëri bllokimin e “Europianës” e cila pritet të rihapet sërish në mesin e dhjetorit 2008. Por nëse evropianët po punojnë për riparimin e një defekti të vogël teknik, ç’duhet të bëjmë ne shqiptarët për të riparuar të gjitha defektet shekullore, jo vetëm teknike, por edhe të qëllimshme?

Për të shkelur në autostradën virtuale, shqiptarëve u duhet shumë më tepër punë dhe më shumë sakrifica sesa për të ndërtuar autostradën Durrës-Kukës-Morinë. Më parë se të nisim udhëtimin për në rrugën e integrimit, në tempullin më të madh të dijes dhe të kulturës evropiane, do të na duhet të mësojmë e të njohim rregullat dhe tabelat e qarkullimit të kësaj autostrade virtuale ku navigatorët satelitorë në makinat luksoze të shqiptarëve nuk hyjnë në punë.

Po çfarë është “Europeana” ? “Europeana” është një projekt që ka filluar në vitin 2007, është një bibliotekë gjigande, muze dhe arkiv virtual shumëgjuhësh e cila fillimisht do të jetë në gjuhët franceze, angleze dhe gjermane. Ashtu si Google Library, projekti i kolosit amerikan, i destinuar për të sjellë falas në ueb trashëgiminë e bibliotekave amerikane on-line, edhe “Europeana” nuk është më e pakët. “Europeana” është një projekt madhështor, që përfshin të gjithë trashëgiminë kulturore të bibliotekave të 27 shteteve anëtare të Bashkimit, në një përmbledhje prestigjioze të ndërtuar me bit, e cila përfshin një trashëgimi prej disa miliona veprash në formatin elektronik, ndër të cilat kryeveprat e pavdekshme të letërsisë botërore, por edhe vepra multimediale dhe audiovizive, si p.sh. fotografi, vepra arti, regjistrime të operave klasike, filmime, si dhe riprodhime të dokumenteve themelore me rëndësi historiko-kulturore.

Për këtë projekt janë dashur disa vite punë dhe një komision i posaçëm, si dhe një investim prej më shumë se 2,5 milionë euro në vit.

Por ky është vetëm hapi i parë, nëse vërejmë se Komisioni Evropian që ka ndjekur projektin “Europeana” ka deklaruar që brenda vitit 2010, biblioteka evropiane do të bëjë të mundur vënien në dispozicion të publikut on-line gati 10 milionë vepra të dixhitalizuara dhe me mundësitë që lejon interneti, të bëjë të mundur bashkëveprimin edhe të përdoruesve për të rritur komunitetin e të apasionuarve dhe personave të cilët do të konsultohen me bibliotekën dhe për t’i dhënë jetë një lloj kloni enciklopedik të Wikipedia-s në strukturë prurëse të bibliotekës në mënyrën që ajo të ushqehet në mënyrë autonome.

Në rastin kur bëhet fjalë për një projekt falas me shpërndarje në të gjithë botën, “Europeana” nuk do të lërë jashtë vëmendjes ekstreme problemin e shfrytëzimit të të drejtave të autorit të veprave, ashtu siç ka vepruar dhe Google Library, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pikërisht për të mos rënë në morsën e këtij problemi jo të vogël dhe për të respektuar të drejtat e autorit dhe punës intelektuale, Këshilli i Evropës po studion një ligj, i cili do ta shtyjë kohën e të drejtave të autorit nga 70 në 100 vjet pas vdekjes së autorit. Në të njëjtën kohë ka nisur dhe projekti Arrow (Accessible Register of Rights information and Orphan Works towards “Europeana” ).

“Europeana” funksionon si një portal multimedial dhe veprat që mund të arrihen nëpërmjet saj, nuk do të jenë në një kompjuter qendror, por do të mbeten në sajtin e institucionit qendror kulturor që funksionon si network. Fillimisht “Europeana” , në harkun kohor 2009 – 2011 do të jetë e financuar kryesisht gati 80% në shumën prej 2 milionë eurosh në vit, nga BE-ja. Shtetet e tjera anëtare të BE-së dhe institucionet e tjera kulturore do të paguajnë pjesën tjetër.

Siç është bërë e ditur, biblioteka elektronike “Europeana” u përket të gjithëve, por në të bëjnë pjesë vetëm vendet që bëjnë pjesë në BE. Cilat janë shanset e Shqipërisë për t’u bërë pjesë e këtij projekti gjigand evropian? Duke qenë një vend në pritje të ftesës për të qenë kandidate për hyrjen në BE, Shqipëria ka shumë pak shanse për t’u bërë pjesë e këtij projekti nëse “Europeanën” do ta shikojmë në optikën e kontekstit shqiptar. Por, e parë në një kontekst më të gjerë, duhet të kemi parasysh se jemi përpara një shansi shumë të madh historik për shkencën dhe kulturën shqiptare.

Porta e vetme, derisa Shqipëria të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian, mbetet pikërisht projekti “Besa”, i cili është një pjesë e projektit “Europeana” për rajonin e Kalabrisë (Itali).

Për sa u përket financimeve, “Besa” u mbështet nga Komuniteti Evropian, brenda projektit 2000-2006 me anë të krahinës së Kalabrisë, në bazë të një projekti i paraqitur nga Asesorati i Pakicave i Provincës së Kozencës dhe i realizuar nga dega e Albanologjisë e Universitetit të Kalabrisë.

Sigurimi i fondeve dixhitale të “Besës” sigurohet duke filluar që nga bibliotekat private, bibliotekat e minibashkive, bibliotekat e bashkive, bibliotekat rajonale dhe nacionale, të cilat të marra së bashku janë një pjesë e konsiderueshme e fondit të albanologjisë në projektin “Europeana” .

Si përfundim, projekti “Besa” është e vetmja rrugë për kulturën shqiptare dhe albanologjinë në veçanti për të qenë pjesë e këtij projekti gjigand “Europeana” , edhe pse Shqipëria nuk bën pjesë zyrtarisht në BE.

Projekti “Besa” do të na jepte mundësinë që të paktën një herë të jemi një hap më përpara se kombet e tjera që synojnë, ashtu si dhe ne, për t’u integruar në familjen e madhe evropiane.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›