E Hënë, 2 Nëntor 2026

Autovetura bie në Bistricë,tre të vdekur, një e plagosur

08/03/2005  Aksidentohen dy çifte bashkëshortësh

SARANDË - Tre persona humbën jetën dhe një i katërt u plagos, në një aksident automobilistik në rrugën Sarandë–Gjirokastër. Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 22.00 të mbrëmjes së diel, në afërsi të fshatit Mesopotam.

Aksidenti

Automjeti, i drejtuar nga shtetasi Sefedin Mihasi, ka dalë nga rruga, duke përfunduar në lumin Bistrica. Pasojat e aksidentit jane tre të vdekur dhe një e plagosur. Personat që kanë humbur jetën në këtë aksident janë Ardian Bajrami, Marjeta Bajrami dhe drejtuesi i automjetit Sefedin Mihasi. Nga kjo tragjedi ka shpëtuar bashkëshortja e shoferit Violeta Mihasi. Ajo është plagosur lehtë dhe është jashtë rrezikur për jetën. Të gjithë të prekurit nga kjo ngjarje janë nga komuna e Ksamilit.

Pas aksidentit, Violeta Mihasi ka qëndruar për disa orë në spitalin e Sarandës, ku ka marrë ndihmën e parë dhe më pas ka shkuar në banesën e saj në Ksamil.

Sipas burimeve policore nga komisariati i policisë në Sarandë mësohet se trupat e pajetë të viktimave janë nxjerrë nga uji rreth orës 04.00 të ditës së djeshme.

Tragjike ka qenë kjo ngjarje për familjen Barjami, ku çifti Ardian dhe Marjeta u mbytën në ujërat e ftohta të Bistricës, duke lënë jetim dy fëmijë nga 6 dhe 8 vjeç secili. Ata ishin pronarë të një hoteli dhe bar-restoranti, në hyrje të qytezës turistike.

Sipas policisë, mësohet se drejtuesi i automjetit kishte vetëm një vit që ishte pajisur me dëshminë e aftësisë për drejtimin e automjetit.

Viktimat

Sipas të afërmve të çiftit, që humbi jetën në lumin Bistrica, mësohet se dy prej viktimave nuk dinin të notonin, ndërsa Ardiani, i njohur si notar i mirë, mendohet të jetë mbytur në tentativë për të shpëtuar dy të tjerët.

Tre viktimat pas rënies së automjetit në lumë kanë dalë nga makina dhe janë përpjekur të dalin në tokë, por rryma e fortë e lumit e ka bërë të pamundur shpëtimin e tyre, të cilët kanë qenë të lidhur dorë për dorë për të ndihmuar njëri-tjetrin.

E mbijetuara Violeta Mihasi u ka treguar disa të afërmve të saj se nuk ishte e lidhur më nga duart e viktimave. Ajo ka rënë jashtë makinës, e fundit pas tre viktimave. Sipas të afërmve të saj, ajo ka notuar për 200 metra në ujin e trubullt dhe të rrëmbyeshëm, derisa u kapë për disa barëra të gjatë dhe më pas ka dalë në tokë, duke kërkuar ndihmë shoferëve të rastësishëm.

Më pas ka shkuar policia në vendngjarje.

Sipas banorëve të fshatit Mesopotam, përreth vendit ku ndodhi ky aksident kur bie shi dhe moti është i keq rrezku për të rënë në lumë me automjet është shumë i madh.

Viktimat

Sefedin Mihasi, vdekur

Ardian Bajrami, vdekur

Marjeta Bajrami, vdekur

Violeta Mihasi, plagosur

Motra e Sefedinit

“Te mua piu kafen e fundit...”

Motra e drejtuesit të mjetit, Sefedinit, Dafina Mihasi, ka qenë personi i fundi që ka parë vëllanë e saj gjallë. Ajo tregon se banon në Gjirokastër, prej nga udhëtonin drejt Sarandës dy çiftet.

“Sefedini kishte ardhur tek unë, rreth orës 19.00, të ditës së diel.

Kishte ardhur në Gjiorkastër, pasi e kishte faturuar si taksi Ardi sepse kishte të shtruar vjehrrën e tij të paralizuar në spitalin e Gjirokastrës. Ndenjën rreth dy orë tek unë dhe u nisën për në Sarandë”, tregon Dafina.

“Para se të ikte, më kërkoi të ndërronim telefonat dhe vendosa t’i jap telefonin tim dhe unë mora celularin e tij. Kur u nis për në Sarandë nuk ishte i pirë, ka ikur me një kafe nga shtëpia ime. Ai asnjëherë nuk pranonte të pinte. Thoshte gjithmonë se kur jam në timon nuk dua të pi asnjë gotë”.

“U nis për në Ksamil dhe kaq mbaj mend nga vëllai im, i cili vinte shpesh tek unë në Gjirokastër. Pas një orë që iku nga Gjirokastra e provova celularin e tij dhe nuk më përgjigjej. Nuk më vajti mendja se do ta humbisja përgjithmonë, vëllanë tim Sefedinin”, përfundon motra e tij.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›