E Hënë, 2 Nëntor 2026

Borxhet rëndojnë llogaritë

08/03/2005  Auditi i brendshëm i llogarive të Albtelekomit ka treguar se ai ka fatura në vlera tepër të larta të paarkëtuara, për të cilat duket se nuk ka më asnjë shpresë. “Në Albtelekom gjendja e detyrimeve debitore në fund të 2002-shit ka patur vlerën e 2.7 miliardë lekëve dhe, duke zbritur faturat në udhëtim gjendja rezulton në rreth 1.7 miliardë lekë, nga të cilat 1.3 miliardë lekë janë pa shpresë arkëtimi”, ka bërë të ditur në Raportin e vet KLSH-ja. Këto humbje kanë ardhur kryesisht për mangësi në dokumentacion, mungesë fondesh, subjekte që kanë përfunduar së funksionuari, pa përjashtuar dhe mangësitë në hartimin dhe zbatimin e kontratave, sidomos tek afati 90-ditor i pagesës së faturave.

“Gjendja e lartë debitore dhe tendenca në rritje nga viti në vit tregon për një punë të mjaftueshme dhe pa efektivitet të organeve drejtuese ekzekutive, me pasoja të drejtpërdrejta në gjendjen financiare të tyre”, ka bërë të ditur KLSH-ja në Raportin vjetor.

Kështu, niveli i lartë i borxheve që të huajt i kanë Albtelekomit është evidentuar dhe në marrëdhëniet me shtetet e tjera. “Detyrimi i administratave homologe të Albtelekomit për shërbimin ndërkombëtar është rreth 6.4 miliardë lekë për të cilën lind nevoja e sistemimit të marrëdhënieve të ndërsjellta me shtetet e tjera”, ka bërë të ditur KLSH-ja. Me faj e ka gjetur KLSH-ja Albtelekomin dhe për sa i takon procesit të inventarizimit të aseteve të kompanisë. Në Albtelekom, ndonëse janë zbatuar procedurat ligjore për inventarizimin e pasurisë, janë shfaqur probleme në inventarizimin e linjave ajore dhe kabllore në proces, me një vlerë prej 645 milionë lekë, ku 63 për qind të saj e zënë “Produkte e mallra”. Për të gjitha këto duket se ka qenë e nevojshme ndërhyrja e KLSH–së, pasi kontrolli i brendshëm nuk ka funksionuar si duhet. “Ndonëse kontrolli ishte organizuar në nivel departamenti, inspektimi ka patur probleme të mosrealizimit të planit të kontrolleve, si dhe mangësi në përcaktimin e referencave ligjore për shkeljet e konstatuara”, ka bërë të ditur raporti. Mund të thuhet se për të gjitha shkeljet e konstatuara KLSH-ja ka mundur të dërgojë vetëm dy punonjës për kallëzim penal dhe duket se të dyja çështjet janë mbyllur nga Prokuroria.

Dëmet financiare në Albtelekom

Fatura të pashleyra 1.3 miliardë lekë

Shpërblime 295.3 milionë lekë

Kredi për punonjësit 168 milionë lekë

Borxhet nga homologët 6.4 miliardë lekë

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›