E Hënë, 2 Nëntor 2026

Koha për të zgjedhur mes debateve

07/03/2005  Duke parë kryelajmet që prodhojnë dy partitë e mëdha shqiptare, s’na ngelet gjë tjetër veç t’u bëjmë karshillëk dhe, sa për variacion, t’u shtojmë një kolonë zanore që shumicës së deputetëve do t’i provokonte lotë mallëngjimi: “Nga lufta vijmë në luftë shkojmë.”

Sa mbaroi kacafytja për ndarjen e zonave elektorale nisi menjëherë ajo për caktimin e datës së zgjedhjeve. Përplasjet pozitë opozitë nuk kanë të mbaruar dhe më e keqja: sa më të ashpra që janë ato aq më absurde është arsyeja. Të nderuarit deputetë që harxhojnë kohë duke bërë ligje, kur ua lyp nevoja për të qëndruar në lajmet e para nuk e çajnë kokën as për kushtetutën.

Vjeshtën e kaluar, zgjati me javë të tëra sherri për të hequr një anëtar të KQZ-së, të cilit nuk i kishte mbaruar mandati, që në vend të tij të vihej një anëtar tjetër. Ndërsa muajin e kaluar u bë sherr disa javor për një ndarje të re zonave zgjedhore të cilat, pas një rrëmuje të madhe, u ndryshuan. Tashmë, jemi duke pritur me “ankth”: kur do të caktohet dita e zgjedhjeve?

Ajo që shikohet si diçka për t’u menduar një hop është koketëria e deputetëve karshi ligjit themeltar të këtij. Nuk kuptohet se çfarë pritet nga qytetarë që nuk dinë as shkrim e këndim kur vet hartuesit e ligjeve i shkelin ligjet në mënyrën më flagrante, ose sikur të kenë lindur nja dhjetë mijë vjetë më herët se Sokrati – diçka për të cilën do të sqarohem në fund.

Pastaj, justifikimi që sillet për afrimin e kësaj date nuk duket se është shumë i gjetur. Po t’iu referohemi kushteve klimaterike të Shqipërisë, gjithmonë kemi për t’i patur dy stinë me klimë ekstreme, dimrin me dëborën që bllokon, dhe verën me vapën që i shkreton zonat më të populluara. E kështu, dita e votimeve do të rastisë shumë herë në këto stinë, prandaj ose duhet rishikuar kushtetuta që të mos lihet i përcaktuar afati – pra, para çdo raundi zgjedhjesh partitë duhet të bëjnë marrëveshje – ose ajo duhet të respektohet pavarësisht kapriçove të motit.

Pastaj, qysh kur mëtohet se në kohë më të ftohtë zgjedhësit do të jenë më të prirur të votojnë, ky është një realitet i atyre që përfytyrojnë vetëm turma të cilat shkojnë dhe votojnë për ta, dhe një lloj naiviteti për të mos dalluar se cilat janë prioritetet e momentit.

Opozita më shumë se kushdo s’duhet që ta vrasë mendjen në këtë pikë. Po të përdorim një llogjikë të thjeshtë ja përfundimi: fanatikët do të votojnë edhe sikur ditën e votimeve të bëhen në ditë cunami; qytetarët e kujdesshëm do të votojnë edhe nëse ikin me pushime sepse do të regjistrohet në vendet ku do të kalojnë pushimet; ndërsa ata që nuk duan të votojnë nuk do të votojnë edhe sikur t’ua çosh kutinë e votimit tek koka e krevatit.

Dhe më tej: opozita s’duhet të shqetësohet sepse nuk janë anëtarët e saj, të papunë e të varfër, që mund të ikin me pushime, brenda apo jashtë vendit, por pas qejfit do të rendin ata që janë majmur në këto tetë vite dhe këta njerëz s’kanë asnjë arsye të votojnë për opozitën e sotme. Ndërsa qengjat që pinë dy nëna, pa dyshim, që qëndrojnë në llogore të tregojnë “fytyrën” tjetër.

Atë energji që opozita e harxhon për ndryshimin e datës së zgjedhjeve, bën mirë ta harxhojë, për të nxjerrë në pah të palarat e pozitës, siç ka bërë kohët e fundit me harxhimet e qeverisë. Por t’i kushtojë edhe më shumë kohë çështjes së kazinove të cilat një ditë do të rezultojnë më të dëmshme se piramidat e një pafundësi absurditetesh të tilla.

Ndërsa qëndrimi i pozitës në këtë çështje nuk është më optimist. Ajo do të votojë që të mos ndryshohet data e zgjedhjeve, por nuk do ta bëjë këtë (megjithëse kështu do të mëtojë) si e përkushtuar ndaj ligjit, thjesht do të hakmerret ndaj kartonave në minorancë të opozitës, në shkëmbim të shpullës që kjo e fundit i dha në ndarjen e zonave zgjedhore.

Dhe të kthehemi tek Sokrati. Kur filozofi ishte në burg, shokët e ndihmuan që të arratisej. “Eja, - i thanë, - se je i pafajshëm.” Ai refuzoi: “E di që jam i pafajshëm, por në qoftë se arratisem do të shkel ligjin.”

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›