E Hënë, 2 Nëntor 2026

Autovetura godet furgonin,1 i vdekur, 7 të plagosur

24/04/2005  Aksident i rëndë, në autostradën Tiranë-Durrës

DURRES - Një person ka vdekur dhe shtatë të tjerë janë plagosur dje në mesditë në autostradën Tiranë-Durrës.

Dy automjete, njëri prej të cilëve furgon me udhëtarë kanë qenë duke lëvizur në të njëjtin drejtim, ndërsa janë përplasur pas një gabimi në kohën e parakalimit.

Grupi hetimor, që ka mbërritur pak minuta pas aksidentit në vendin e ngjarjes, ka deklaruar se ka qenë humbja e kontrollit të drejtuesit të autoveturës tip “Benz”, si dhe shpejtësia tej limiteve të lejuara, shkaku që ka pasuar me viktimën e radhës në autostradë dhe numrin e madh të të plagosurve. Ndonëse për të transportuar të plagosurit drejt spitalit të Durrësit janë vënë në shërbim dy ambulance dhe ekip mjekësh, një burrë 56-vjeçar nuk i ka shpëtuar vdekjes.

Ngjarja

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 12:30 të së shtunës, në afërsi të Sukthit. Automjeti tip “Benz” me targa TR 7995 F që drejtohej nga shtetasi Mersin Hoxha, është përplasur me furgonin me targa TR 1907 D me drejtues Dashnor Paja. Sipas burimeve nga policia ka qenë shpejtësia e madhe e “Benz” ajo që ka shkaktuar edhe goditjen nga mbrapa furgonit, për pasojë edhe aksidentin e rëndë në rrugë.

Pas këqyrjes së vendit të ngjarjes ekspertët e grupit hetimor kanë arritur në konkluzionin se, autovetura tip “Benz” ka provuar të bëjë parakalim të gabuar dhe veç kësaj drejtuesi i mjetit, që ka qenë së bashku me të bijën në automjet, ka qenë me shpejtësi mbi 100 km në orë. Ngjarja ka ndodhur rreth 200 m pa hyrë te mbikalimi i Sukthit. Kjo ka sjellë edhe pasoja fatale, veçanërisht për njërin nga udhëtarët në furgonin me targa Tirane, i cili ka qenë i ulur në sedilen e fundit.

Ndërkohë që Benzi është dëmtuar rëndë, ashtu si dhe dy personat në të, shtetasi Myslym Zotaj 56 vjeç ka gjetur vdekjen e menjëhershme. Përplasja ka qenë shumë e fortë dhe krahas viktimës ka pasur edhe udhëtarë të tjerë në furgon, që kanë pësuar lëndime të rënda.

Viktimat

Uniformat blu të Durrësit si dhe dy ambulanca kanë shkuar në pak minuta në vendngjarje, duke bërë edhe transportimin e të dëmtuarve drejt spitalit të Durrësit. Burime policore kanë pohuar se të dy drejtuesit e automjeteve janë banorë të Tiranës, ashtu si dhe të plagosurit, ndërkohë që viktima dhe gruaja e tij janë banorë të lagjes nr.14 në Shkozet të Durrësit.

Një ekip mjekësor është vënë në shërbim të të aksidentuarve dhe bluzat e bardha kanë thënë se asnjëri prej tyre nuk paraqet rrezik për jetën. Të njëjta pohime bëjnë të ditur se, në spitalin e Durrësit gjenden shtetasit Fiqerete Zotaj 40 vjeç nga Durrësi,

e shoqja e vitimës, Fatbardh Dalipi 50 vjeç, Qemal Dema 50 vjeç dhe Miti Koçi 55 vjeç, të gjithë nga Tirana. Nën trajtim mjekësor si dhe nën mbikqyrjen e uniformave blu është edhe drejtuesi i “Benz”, Mersin Hoxha, ndërkohë që edhe drejtuesi i furgonit. Pas aksidentit, dy drejtuesit e mjeteve janë shoqëruar në polici.

Jashtë rrezikut për jetën, sipas mjekëve të Durrësit, është edhe 15-vjeçarja Adela Hoxha, vajza e drejtuesit të benzit që shkaktoi

aksidentin.

Vdekur

Myslym Zotaj 56 vjeç, nga Sukthi

Plagosur

Fiqerete Zotaj, 40 vjeç, bashkëshortja e Myslymit

Mersin Hoxha, drejtuesi i autoveturës, nga Tirana

Adela Hoxha, 15 vjeç, vajza e drejtuesit të autoveturës

Dashnor Paja, drejtuesi i furgonit

Fatbardh Dalipi 50 vjeç, nga Tirana

Qemal Dema 50 vjeç nga Tirana

Miti Koçi 55 vjeç, nga Tirana

Megjithë masat edhe 21 të plagosur

Vitit 2005, 11 aksidente, 6 të vdekur

Gjatë katër muajve të këtij viti, në qarkun e Durrësit kanë ndodhur 11 aksidente dhe kanë gjetur vdekjen 6 shtetas, ndërkohë që janë plagosur 21 të tjerë. Ndonëse policia e qarkullimit rrugor në Durrës ka shpeshtuar numrin e pikave të kontrollit, si dhe ka ndëshkuar një numër shumë të madh drejtuesish të amutojmeteve, viktimat në aksidentet automobiliste janë të shumtë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›