E Hënë, 2 Nëntor 2026

“Shtrimi në spital dhe lidhja 50-vjeçare me ‘bluzën e bardh뒔

24/04/2005  Historia e Bardh Dostit, infermieri që e njohin për “doktor”

BERAT – “E kam filluar punën në vitin 1955, në repartin e patologjisë me mjekët dr.Llukën, dr.Ymer Dëshnicën, dr.Pandeli Çinën, dr.Majro Kondo dhe dr.Afrim Çeçon në spitalin e vjetër të qytetit, me rreth 30 shtretër, që ishte në lagjen “Çlirim”, pas një kursi njëvjeçar për infermierë që mbarova në qytetin e Vlorës”. Kështu e ka filluar rrëfimin e tij 65-vjeçari Bardhi Dosti (Zaloshnja) për jetën dhe aktivitetin e tij mjekësor për 50 vjet në shërbim të të sëmurëve, i cili pohon se nëpër spitale u rrit dhe u formua si njeri dhe si profesionist. Në një bisedë për gazetën “Metropol”, “doktor Bardhi”, sikurse e njohin dhe i thërrasin infermierit veteran, tregon përballjen e tij si pacient me bluzat e bardha kur edhe i lindi dëshira për këtë profesion, por edhe vitin e mbrapsht 1997, ku në morgun e spitalit, ku ai punon prej 35 vjetësh, vetëm për katër muaj të këtij viti, “kaloi nëpër duar”, plot 228 kufoma. Dhe për atë, tashmë pragpensioni është i dhimshëm...

Si lindi tek ju pasioni për mjekësinë?

Kam një histori të veçantë përsonale, që më ka lidhur që herët me mjekësinë. Kur isha fëmijë, u shtrova në spital, atëherë jetonim në fshat dhe unë nuk dija se çfarë ishin bluzat e bardha, por në spital një mjek që më vizitoi me përkëdhelte dhe unë ndjeja përkëdheljen e duarve dhe të fjalëve të tij dhe shërbimin që më bënin infermierët e spitalit. Atëherë më lindi dëshira që të punoja si ata për t’iu shërbyer njerëzve në nevojë.

Kur u gjendet për herë të parë brenda një spitali në profesionin që keni ende sot?

Isha vetëm 15 vjeç dhe për momentin gjithçka e shikoja edhe me habinë e moshës, mbaj mend që kur fillova punë i ndjeri dr.Lluka, që ishte edhe drejtori i spitalit, më tha kur më pa me dëftesën në dorë... “Po, je i vogël për të punuar me të sëmurët more djalë”. Dhe sërish, pas një pauze, shtoi, “eja djalë përvishu punës, vish bluzën e bardhë se do bëhesh në të ardhmen një mjek i mirë”. Nga ky moment e vesha atë bluzë me pasionin që kisha, e nuk e kam hequr për 50 vjet dhe sa herë që e shikoj edhe në garderobën e shtëpisë më kujtohet viti i parë i punës dhe të gjithë mjekët me radhë.

Po pas kontaktit të parë me një ambient spitalor, si rrodhi puna juaj?

Dy vjet kam punuar në spital, kur ai ishte në lagjen “Çlirim”. Në vitin 1957, spitali u transferua, me bërjen e godinës së re, në vendin që është tani dhe vështirësitë e punës u reduktuan, duke u përmirësuar edhe shërbimi mjekësor ndaj të sëmurëve. Në shërbimin mjekësor kam lëvizur nga njëri repart në tjetrin dhe kam punuar për 10 vjet në repartin e kirurgjisë me tre mjekët e shquar dr.Maksut Drrasën, dr.Hysen Picarin, dr.Ylvi Binozin e dr.Panajot Boga. Ato vite kanë qenë më të vështirat e punës time, punonim 24 orë pa pushim, ndërsa kishim raste që nuk shkonim në shtëpi për 5 ditë rresht, jo vetëm unë, por edhe mjekët.

Si ishte puna në ato vite?

Ato vite kishim shumë vështirësi, pasi punonim thuajse me mjete primitive dhe për emrin e mirë që kishin mjekët e spitalit të Beratit, kishim shumë punë, pasi vinin pacientë nga të gjitha rrethet për t’u operuar. Pacientët vinin nga qytetet e Vlorës, Lushnjës, Durrësit, madje mbaj mend se kemi pasur pacientë edhe nga Shkodra. Ndonjëherë, kur mungonin shtretërit, të operuarit i shtrinim përtokë.

Si ndodhi që njerëzit nisën t’iu merrnin për mjek?

Nga përvoja e punës dhe popullariteti që fitova nëpërmjet punës nuk njihesha si infermier, por si mjek, pasi u shërbeja shumë të sëmurëve para dhe pas operacionit, madje edhe vetë mjekët kishin shumë besim te puna ime dhe sa herë që largoheshin thoshin: “Ikim se është Bardhi me shërbim”. Kështu që unë detyrohesha të jepja porosi për llojin e mjekimit apo të dietës që duhet të përdornin. Në këtë mënyrë ngela robi i bluzës së bardhë.

Tani jeni në prag të pensionit. Si po e përjetoni ndarjen me punën tuaj 50-vjeçare?

Do dal në pension, por nuk do largohem nga puna edhe pse drejtoria do të më zëvendësojë, unë sërish do vij të punoj në spital qoftë edhe pa u paguar. Nuk e kuptoj se vjen një ditë dhe të largojnë nga puna si pa të keq dhe pse, vetëm nga mosha 65 vjeç.

Tre ndërhyrje kirurgjikale atë natë

Viti i Ri 1965, na gjeti në sallën e operacionit

Më ka ngelur në mendje një natë dhjetori, kur po afronte viti i ri 1965, ndërsa të gjithë ishin larguar për të festuar vitin e ri, ne vazhdonim punën në sallën e operacionit dhe sapo mbaruam një operacion u nisëm për në shtëpi, por sa dolëm te porta e spitalit erdhi një tjetër urgjencë. Në këto kushte filluam sërish punën dhe sapo mbaruam këtë urgjencë mbërrin një tjetër urgjencë dhe duke u gdhirë operuam edhe urgjencën e tretë, duke e pritur Vitin e Ri në sallën e operimit.

Rreth 35 vjet punë në morgun e spitalit

“Kam parë me sy fenomene që edhe mjekët s’i kanë parë”

“Ishte viti 1970, kujton “doktor Bardhi”, kur unë fillova punë në morgun e spitalit me mjekët Andon Koka, Gramos Ylli dhe Fatos Sinani dhe tashmë jam në pragun e pensionit. Sigurisht ishte e vështirë për mua që nga shërbimi me pacientë të gjallë të vija t’u “shërbeja” edhe pacientëve të vdekur, por punës nuk ke çfarë t’i bësh. Në këtë repart më solli edhe specialiteti që unë mora në kursin trevjeçar dhe në përfundimin e shkollës të mesme të mjekësisë në qytetin e Vlorës. Këtu e them pa ndrojtje se u bëra vërtet “mjek”, edhe pse nuk kam shkollën përkatëse. Ka shumë mjekë që nuk kanë parë llojet e fenomeneve që unë i kam parë dhe i kam prekur me dorën time gjatë autopsisë që u bënim të vdekurve.

Nuk kam për ta harruar kur për herë të parë kam parë njerëz me zemër të vendosur në krahun e djathtë. Njerëz me një veshkë apo me organet e barkut të futura në kavitin e gjoksit me mushkëritë e shtypura. Ndoshta nuk u besohet, por i kam parë me sytë e mi. Vështirësi kam patur edhe kur kam bërë autopsitë e fëmijëve.

Mund të kujtoj si raste më jo pak problematikë edhe ato kur në morg kanë mbërritur shumë viktima njëherësh. Ka pasur raste që në morg kanë mbërritur deri në 11 të vdekur, si në rastin e tragjedisë të fshatit Terpan në shkurt të vitit 1994”, kujton Bardh Dosti.

Viti më i keq...

“Në ’97, për katër muaj, 228 autopsi”

Në kujtimet e Bardhi Dosti, viti 1997 ka mbetur i ngulitur thellë.

“Edhe pse kisha një stazh të gjatë pune në morg, tre muajt e vitit 1997 ishin më të vështirat, të duhej të punoje mes plumbave. Kemi kaluar mbi 200 të vdekur në tavolinat tona të punës. Ikje në mëngjes në punë dhe mendoje se do ktheheshe në darkë në shtëpi apo jo? Çdo ditë në atë kohë të vinin nga tre, katër, pesë e gjashtë të vrarë dhe kishte ditë që të vinin në morg deri edhe 10 të vrarë nga mosha të ndryshme dhe kryesisht të rinj të moshës 17 deri 25 vjeç. Them se duhet të kem kaluar me duart e mia autopsinë e 228 viktimave për më pak se 4 muajve të trazirave të atij viti të mbrapshtë. Në të shumtën e rasteve të vrarët vinin pa këmbë, pa krahë ose me një këmbë e një krah të këputur nga plumbat e bandave rivale, por kishte edhe raste që koka mbahej vetëm nga lëkura e qafës dhe pak lëkurë nga kafka e kokës, ndërsa kishte viktima që kishin marë në trup deri në 40 e 50 plumba, duke i lënë viktimat pa organet e brendshme ose të këputur e të ndarë në mes që mbaheshi vetëm falë lëkurës. Të gjtha këtyre rasteve ishim të detyruar t’u bënim autopsinë mes plumbave, mes kriminelëve që ishin të armatosur deri në dhëmbë. Kishte edhe më keq, kur shumë nga anëtarët e bandave vinin dhe shikonin se sa plumba i kishin futur në trup rivalit kur e kishin vrarë, ose kishte raste që familjarët nga frika e hakmarrjes nuk vinin të merrnin deri edhe për tre e katër ditë viktimën, deri sa gjenin ndërmjetësinë që banda tjetër ta lejonte marrjen e viktimës, ndërsa varrimet vazhdonin të bëheshin me roje të armatosur, duke rrethuar varrezat dhe ruajtur nga kodrat përreth, ndërsa ne mundoheshim të bindnim me keqardhje familjarët dhe të afërmit e tyre që të mos e hapnin arkivolin edhe kur autopsinë ua bënim në shtëpi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›