E Hënë, 2 Nëntor 2026

I shëpton nënës nga dora, përplaset për vdekje 6-vjeçari

24/04/2005  Akisdent i rëndë në qendër të Tiranës, i dyti në 24 orë

TIRANË - Një tjetër aksident rrugor ndodh në qendër të Tiranës, ku humbi jetën një vogëlush 6 vjeç. Ngjarja ka ndodhur dje paradite pranë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, në kryqëzimin e ndërtesës së Kryeministrisë dhe hotel “Rogner”, dhe viktima është 6-vjeçari Elci Kongo.

Vogëlushi, sipas burimeve të Qarkullimit Rrugor, ishte i shoqëruar me nënën e tij, por në një moment ai i shpëtoi vëmendjes së saj. Pikërisht në këtë moment, një mjet i tipit “Benz”, me targa TR 3716K, e ka përplasur fort 6-vjeçarin. Megjithë përpjekjet për t'i dhënë ndihmën e shpejtë, si pasojë e plagëve të rënda, sidmos në pjesën e kokës, fëmija ka vdekur rrugës për në spital. Dëshmitarët në vendngjarje thanë për gazetën se nëna e tij ishte duke biseduar me një shoqe të saj dhe nuk e ka parë vogëlushin që mori rrugën i vetëm dhe u godit nga makina. Policia, e cila ka mbërritur disa minuta më vonë në vendgjarje, ka shoqëruar shoferin e “Benz”, i cili është 27-vjecari Klodian Elezi dhe po heton për shkaqet e aksidentit.

I pyetur nga gazeta “Metropol”, një nga shitësit e shumtë me tezga në këtë zonë tha se kishte parë me sytë e tij skenën e llahtarshme, e cila i kishte mbetur në mendje. Fjalët e nënës së Elcit, sipas shitësit që nuk pranon të japë emrin, ishin tepër shokuese dhe mallëngjyese. Ajo kishte bërtitur, pasi pa djalin e saj të gjakosur “O bir, o jeta ime”, ndërsa me dhjetëra njerëz ishin afruar dhe u treguan të gatshëm për t’i dhënë të miturit ndihmën e parë mjekësore.

Aksidenti i djeshëm, pason një tjetër aksident tragjik, i cili ndodhi rreth orës 10.00, të dy ditëve më parë ku një automjet i tipit maune, me targa TR 4604 F, ka përplasur për vdekje 24-vjeçaren Blerina Limaj, ngjarje e ndodhur pranë Drejtorisë së Policisë, së Tiranës.

Policia, sipas burimeve të Qarkullimit Rrugor, ka arrestuar shoferin e maunes, Kujtim Rizai, 53 vjeç, ndërsa viktima është çuar në morgun e Tiranës. Policia po heton për zbardhjen e mëtejshme të ngjarjes, ndërsa burime nga morgu thanë se trupi i vajzës ishte shpërfytyruar, pasi maunia e kishte zënë nën rrota, duke i shkaktuar një vdekje të tmerrshme e tepër të dhimshme. Vajza, sipas dëshmive të të pranishmëve, në momentin e aksidenit të rëndë, kishte rrëshqitur dhe nuk mbajti dot ekuilibrin. Ky ishte momenti fatal, ku ajo u pengua dhe koka i preku rrotat e makinës e më pas u fut e gjitha nën të.

Shoferi nuk kishte parë asgjë, deri në momentin kur dikush i bërtiti të qëndronte.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›