E Shtunë, 31 Tetor 2026

Avantazhet dhe dizavantazhet e maxhorancës dhe opozitës në fushatën zgjedhore

Cilat do të jenë kartat që do të përdorin në fushatë PD-ja dhe dy partitë kryesore të së majtës, PS-ja dhe LSI-ja. Arsyet përse e majta konsiderohet më e favorizuar për të fituar zgjedhjet

Shaban Sulçe - Opozita, edhe pse do të garojë në zgjedhjet e 28 qershorit e ndarë në dy koalicione, rezulton të ketë më shumë avantazhe se sa maxhoranca. Këto avantazhe mund të jenë përcaktuese si gjatë zhvillimit të fushatës zgjedhore, ashtu edhe gjatë rezultatit përfundimtar të këtyre zgjedhjeve. Shumë prej pikave të kritikueshme dhe dështimeve të qeverisë “Berisha” pritet të përdoren nga dy koalicionet opozitare si “karta” për fushatën, por, nga ana tjetër, këto dështime do të jenë edhe burimi kryesor i fitimit të sa më shumë votave. Gjithsesi, edhe maxhoranca aktuale nuk mund të konsiderohet pa avantazhe në prag të kësaj fushate. Disa suksese të arritura gjatë këtyre katër viteve qeverisjeje, por edhe pasojat që ka sjellë përçarja e opozitës, avantazhojnë koalicionin e Partisë Demokratike dhe i japin mundësi asaj që të pretendojë rikonfirmimin në qeverisjen e vendit.

Dizavantazhet e maxhorancës

Dizavantazhet e maxhorancës në fushatën zgjedhore dhe gjatë zgjedhjeve të 28 qershorit lidhen kryesisht me dështimet, skandalet dhe premtimet e pambajtura të qeverisë. Këto dizavantazhe burojnë nga problemet e shkaktuara gjatë këtyre katër viteve qeverisëse dhe vijojnë me katër megaskandale, të cilat i kanë shpërthyer qeverisë në dorë. Bëhet fjalë për shpërthimin e Gërdecit, ku humbën jetën 26 shqiptarë dhe u plagosën 300 të tjerë. Skandali i dytë ka të bëjë me abuzimet në Rrugën Durrës-Kukës, të cilat, sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe Prokurorisë, kapin shifrën e 320 milionë eurove. Skandali i tretë i madh është çështja “Fazlliç”. Biznesmeni serbo-boshnjak është akuzuar për pastrim parash dhe për përfitim të paligjshëm, falë influencës së vajzës kryeministrit, Argita Berisha. Skandali i katërt është projekti i Jalës, ku rezulton i implikuar dhëndri i kryeministrit, Jamarbër Malltezi, skandal për të cilin qeveria shqiptare ka hapur një konflikt me Bankën Botërore. Këto katër skandale, por edhe shumë të tjerë, bëjnë që qeveria Berisha të hyjë në zgjedhje e humbur në luftën kundër korrupsionit, ndonëse ky ishte angazhimi kryesor i saj në zgjedhjet e 3 korrikut 2005. Maxhoranca aktuale do të hyjë në zgjedhje me ministra të pandehur dhe pa imunitet, si ish-ministri Mediu apo ministri Basha. Dizavantazhet e tjera të maxhorancës vijojnë me përplasjen që ka krijuar qeveria me faktorin ndërkombëtar, veçanërisht për ligjin e dosjeve dhe pavarësinë e hetimeve të Gërdecit, me Ambasadën Amerikane dhe Bashkimin Europian. Maxhoranca është kritikuar gjithashtu edhe për miratimin e një sërë ligjeve antikushtetuese, ndërkohë që ka vepruar në kundërshtim me interesat e mjaft kategorive të rëndësishme, si ish-pronarët, familjarët në zonat informale, ish-ushtarakët, si dhe të shkarkuarit nga administrata. Dizavantazh tjetër përcaktues i maxhorancës së kryeministrit Berisha është sepse disa parti të djathta, si PDK, LZHK dhe Partia Ligj e Drejtësi, do të konkurrojnë në një koalicion më vete, i cili quhet “Poli i lirisë”

Avantazhe të opozitës

Ndryshe nga zgjedhjet e 3 korrikut 2005, ku opozita u dëmtua si rezultat i ndarjes së votave, Kodi i ri Zgjedhor jo vetëm që nuk lejon përsëritjen e një fenomeni të tillë, por e favorizon opozitën. Arma më e fortë e opozitës në fushatë duket se do të jetë thellimi i krizës ekonomike në vend. Rritja e varfërisë dhe e papunësisë si dhe pakënaqësia popullore në rritje do të shfrytëzohen më së miri nga opozita në fushatën elektorale. Mbi këtë element shumë të rëndësishëm, dy koalicionet kryesore të opozitës, i PS-së dhe ai i LSI-së, do të përqendrojnë energjitë e tyre për të fituar sa më shumë vota në zgjedhjet e 28 qershorit. Partia Socialiste ka shpallur si prioritet zhvillimin e bujqësisë, ndërkohë që Lëvizja Socialiste për Integrim ka shpallur si prioritet luftën kundër varfërisë. Të dy këta prioritete prekin dy kategori, fermerët dhe të varfërit, të cilët përbëjnë shumicën e shqiptarëve.

Dizavantazhet e opozitës

Opozita shqiptare do të hyjë në fushatën zgjedhore dhe në zgjedhjet e 28 qershorit me të paktën 4 dizavantazhe të rëndësishme, të cilat jo vetëm do të ndikojnë në elektorat, por do të përpiqen të shfrytëzohen më së miri nga maxhoranca aktuale. Kështu opozita do të hyjë në fushatë me shumë energji të shpenzuara, si rezultat i konfliktit midis dy partive kryesore, Partisë Socialiste dhe Lëvizjës Socialiste për Integrim, të cilat kanë deklaruar se do të garojnë në koalicione më vete. Akuzat e ndërsjella midis liderëve të këtyre dy partive për bashkëpunime dhe pakte me Berishën kanë çoroditur elektoratin e majtë. E njëjta gjë mund të thuhet edhe me akuzat e ndërsjella për afera korruptive. Por disavantazhi kryesor i opozitës lidhet pikërisht me faktin që nuk do të garojë në një koalicion të vetëm. Mjafton të bësh një analizë të votave të zgjedhjeve të vitit 2005, ku sipas Kodit të ri Zgjedhor e Majta do të kishte të sigurt të paktën 84 deputetë. Gjithsesi, falë Kodit Zgjedhor, PS-ja dhe LSI-ja kanë shanse për të provuar forcat, duke mos devijuar asnjë votë të së majtës.

Avantazhet e maxhorancës

Avantazhet e maxhorancës në fushatën zgjedhore lidhen me disa suksese të arritura gjatë këtyre katër viteve qeverisëse. Por karta kryesore e PD-së në fushatë duket se do të jetë praganëtarësimi i Shqipërisë në NATO, për të cilin kryeministri Berisha ka deklaruar se ka ardhur si rezultat i reformave të suksesshme të qeverisë. Avantazhet e tjera të maxhorancës lidhen me përmirësimin e ndjeshëm në furnizimin me energji elektrike dhe ujë të pijshëm në shumë zona të vendit, në rritjen në sasi të konsiderueshme të pensioneve, rrogave për buxhetorët, në kryerjen e disa reformave për thjeshtëzimin e procedurave në fushën e regjistrimit të bizneseve, si dhe në investimet në infrastrukturë.

Avantazhet e maxhorancës në zgjedhje

1-Praganëtarësimi i Shqipërisë në NATO
2-Përmirësimi i ndjeshëm në furnizimin me energji elektrike dhe ujë të pijshëm në shumë zona të vendit.
3-Rritja në sasi të konsiderueshme e pensioneve, rrogave për buxhetorët.
4-Kryerja e disa reformave për thjeshtëzimin e procedurave në fushën e regjistrimit të bizneseve.
5-Investimet në infrastrukturë.
6-Shpenzimi i energjive të opozitës në konfliktin midis dy partive kryesore PS dhe LSI.
7-Çoroditja e elektoratit të majtë me akuzat e ndërsjella të liderëve të LSI-së dhe PS-së për bashkëpunim me Berishën.
8-Çoroditja e elektoratit të majtë me akuzat e ndërsjella për korrupsion të lidershipit të dy partive kryesore të opozitës.
9-Konkurrimi me dy koalicione i opozitës, përkatësisht i PS-së dhe ai i LSI-së.

Avantazhet e opozitës në zgjedhje

1-Thellimi i krizës ekonomike, rritja e varfërisë dhe papunësisë në vend.
2-Katër megaskandalet korruptive. Çështja Durrës-Kukës. Skandali i Jalës. Tragjedia e Gërdecit, çështja “Fazlliç”.
3-Dështimi në luftën kundër korrupsionit i qeverisë “Berisha”.
4-Maxhoranca hyn në zgjedhje me ministra pa imunitet dhe nën hetim.
5-Përplasjet e qeverisë me institucionet ndërkombëtare, veçanërisht për ligjin e dosjeve dhe pavarësinë e hetimeve të Gërdecit, me Ambasadën Amerikane, Bashkimin Europian
6-Miratimi i ligjeve antikushtetuese nga maxhoranca.
7-Pakënaqësia e kategorive të rëndësishme si ish-pronarët, ish-ushtarakët, të larguarit nga puna në administratë, banorët e zonave informale.
8-Kandidimi i të Djathtës me dy koalicione më vete.
9-Premtimi për të përmirësuar gjendjen ekonomike në vend si rezultat i thellimit të varfërisë.
10-Prioritetet për zhvillimin e bujqësisë dhe luftën kundër papunësisë.

4 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›