E Diel, 1 Nëntor 2026

LSI-ja shpreh mbështetje ndaj grevistëve tetraplegjikë



Drejtues të Lëvizjes Socialiste për Integrim vizituan dje 20 invalidë që prej dy ditësh janë futur në grevë urie. Zëvendëskryetari i LSI-së, Pëllumb Xhufi, i shoqëruar nga nënkryetarja Filloreta Kodra dhe deputeti Ndre Legisi, janë solidarizuar me grevistët në ambientet ku po zhvillohet greva e urisë. Duke u shprehur mbështetje për realizimin e kërkesave të tyre, përfaqësuesit e LSI-së u angazhuan se do të përkrahin këtë kategori shoqërore, e cila ka ndërmarrë këtë vendim ekstrem dhe tepër të vështirë për t’u përballuar nga kjo kategori. Gjatë bashkëbisedimit me anëtarët e grevës, zëvendëskryetari i LSI-së, Pëllumb Xhufi, u shpreh: ‘Kjo qeveri ka bërë demagogji me këtë kategori shoqërie, e cila, edhe pse i ka premtuar shumë gjëra për t’i zgjidhur, me mungesën e vëmendjes së treguar prej saj sot kjo kategori ndodhet në këtë situatë tepër të vështire”. Xhufi, nga ana e tij, i bëri apel qeverisë, e cila, me buxhetin rezervë që disponon, duhet të ndërhyjë sa më shpejt që të plotësojë kërkesat e tyre. “Gjatë fushatës elektorale, Berisha premtoi se do të bënte politika të forta sociale, gjë që sot e shohim që ai jo vetëm të mos ketë ndjekur këtë politikë, por ka arritur që të fusë në grevë urie këtë kategori të shoqërisë sonë. Ne jemi një forcë politike mjaft e ndjeshme ndaj problemeve sociale. Ashtu sikurse ju e dini kemi bërë edhe projektligje që kanë të bëjnë me moshën e tretë, ku përfshihen kategori të ndryshme të shoqërisë sonë, ndaj ne angazhohemi plotësisht në plotësimin e kërkesave tuaja dhe daljen sa më shpejt nga greva e urisë”, - tha Xhufi.

4 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›