E Diel, 1 Nëntor 2026

PSD: Berisha po rikthen izolimin e viteve 1996-1997



Partia Social-Demokrate shpreh shqetësimin e saj për qëndrimet konfliktuale që po mban qeveria dhe kryeministri Berisha ndaj partnerëve ndërkombëtarë dhe ndaj institucioneve të rëndësishme ndërkombëtare. Sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun në Partinë Social-Demokrate, Diana Çuli, tha se qeveria, përveçse nuk po reagon ndaj kritikave të bëra nga SHBA dhe Bashkimi Europian, por po futet edhe në konflikte me to. Çuli e cilësoi absurd insistimin e qeverisë për të aplikuar për vendin e statusit kandidat për Bashkimin Europian. “Tani, pas 4 vjetësh, Bashkimi Europian i thotë qartazi e pa ekuivoke kësaj qeverie se nuk është gati, se kushtin për zgjedhjet e ktheu në shans të humbur që me zgjedhjet lokale të 2007-s, ku u shkelën standardet; i thotë kësaj qeverie se kushtin e reformave e shndërroi përsëri në shans të humbur me antireformën dhe me ligjet antikushtetues të tipit të pastrimit, që megjithë paralajmërimet ndërkombëtare e solli me kokëfortësi në parlament. Kjo qeveri vazhdon të mashtrojë opinionin publik me deklaratat absurde të kërkesës në qershor, kur në të vërtetë, me konfliktualitetin që e ka vënë vendin me ndërkombëtarët, po e riizolon Shqipërinë njësoj si në ‘96 – ‘97-n. Sepse, të njëjtin qëndrim kjo qeveri mban edhe me SHBA-të, ndaj të cilëve jo vetëm që nuk reagon ndaj kritikave të qarta për kapje shteti dhe korrupsion, por kërkon edhe ta zhvlerësojë raportin e DASH, duke u tallur që nuk është lexuar mirë, duke e detyruar DASH-in të rishprehet për të disatën herë nëpërmjet ambasadorit amerikan në Tiranë”, - tha deputetja e PSD-së Diana Çuli.

4 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›