Grushte mes katër zyrtarëve të burgut
Një sherr mes drejtuesve të Burgut të Burrelit ka habitur të gjithë banorët e zonës, kur ata janë rrahur me grushte mes një lokali. Ngjarja ka ndodhur dy net më parë, ku ka dyshime se është përfshirë edhe drejtori i burgut, megjithëse në një prononcim për shtyp, ai e ka mohuar këtë akt. Sipas të dhënave policore nga Komisariati i Matit, rreth orës 20:00 të së mërkurës, Ilir Domi, 44 vjeç, banues në Burrel, me arsim të lartë, me detyrë specialist informacioni në Burgun e Burrelit ka kallëzuar se është rrahur nga tre kolegë të tij. Ai ka shpjeguar se ngjarja ka ndodhur në një lokal të Burrelit. Sipas tij, rreth orës 16.10, është goditur me grushte nga Shkëlqim Gjeçuka, 52 vjeç, me detyrë drejtor i burgut, Fatmir Xheka, 52 vjeç, me detyrë shofer burgu dhe Shkëlqim Dedolli, 42 vjeç, me detyrë, shef i policisë së burgut. Policia shpjegoi se konflikti ka ardhur, kur ata kanë qenë në gjendje të pirë. Megjithatë, në një prononcim për "Shqip", drejtori i burgut ka shpjeguar se nuk ka qenë i pranishëm në konflikt. Madje, ai shpjegoi se këtë ngjarje e ka hetuar edhe SHKB-ja, ku ka nxjerrë konkluzion se Domi është rrëzuar në gjendje të pirë dhe nuk është rrahur. Në përfundim të të gjitha procedurave, policia ia ka referuar materialet përkatëse prokurorisë së rrethit.