E Diel, 1 Nëntor 2026

Lushnjë, qyteti prej tre muajsh me ujë të ndotur

Banorët e qytetit të Lushnjës dhe disa rrethinave të tij prej tre muajsh po furnizohen me ujë të ndotur. Tre muaj më parë kanë qenë drejtuesit e Ndërmarrjes së Ujësjellësit, si dhe ata të Inspektoratit të Higjienës në Drejtorinë e Shëndetit Publik që i kanë bërë thirrje popullatës që të mos e përdornin ujin për konsum. Për pasojë rreth 73 mijë banorë janë të detyruar të blejnë ujin, sepse prej tre muajsh në rubinetet e çezmave, uji vjen së bashku me fekale dhe tregues të tjerë të ndotjes. "Ka aromë shumë të rëndë dhe nuk mund të përdoret as për larje rrobash e jo më të mendosh për gatim", tregon Fatos Dervishi, banor i njërës prej lagjeve qendrore në Lushnjë.

Stacioni i ri nga ku merr ujë i gjithë qyteti i Lushnjës përfundoi së ndërtuari në muajin qershor të këtij viti. Por ndonëse kanë kaluar 6 muaj, stacioni nuk funksionon për shkak të ujit që vjen nga burimet. Një numër stallash që derdhin mbetjet e tyre në një kanal afër stacionit të ujësjellësit konsiderohet shkak i ndotjes. Burime zyrtare të Ndërmarrjes së Ujësjellësit shpjegojnë për gazetën se i kanë kërkuar bashkisë dhe nënprefekturës për të ndërhyrë në largimin e stallave, por ende nuk janë marrë masa. "Këto dy institucione nuk janë treguar të gatshme përballë kërkesës së Ndërmarrjes së Ujësjellësit, e cila ka kërkuar largim të stallave me anën e Inspektoratit Ndërtimor. Mbetet që këtë "mision" që nuk e kryen vendorët ta realizojnë ata të inspektoratit kombëtar në Tiranë", ka thënë drejtori Leonard Gogu. Që nga inaugurimi i përfundimit të punimeve deri më sot, ujësjellësi ka funksionuar për afro dy muaj, kurse gjatë periudhës tjetër ka qenë në funksion të mbledhjes së ndotjeve të stallave që i ndodhen pranë.

M. Troka

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›