Varri shekullor, vend lutjesh për vajzat e pamartuara
Mes varresh shumëshekullore në Shushicë, syri të kap dhe një gdhendje sa enigmatike, aq dhe të çuditshme. Kjo ndjesi sikur të shtohet, kur veshi dëgjon një legjendë jo shumë të besueshme. Shumë nga më të moshuarit tregojnë çfarë u kanë thënë stërgjyshërit e tyre prej stërgjyshërve të vet. Në këtë zonë sipas gojëdhënave, paska jetuar një burrë i fortë, por dhe qejfli në jetë. Për kohën që ka jetuar, djali pa emër ka lënë pas famë, e cila është shndërruar në legjendë. Tregojnë se ka qenë i gjatë afro dy metra, opingat e të cilit bëheshin vetëm prej lëkure me porosi. Mbetej i vetmi i pëlqyer prej grave të kohës, burrat e të cilave i merrte turku nizam nëpër shkretëtirat e Arabisë, ku jo pak prej tyre nuk ktheheshin më gjallë. Gojëdhëna tjetër për të thotë se ishte i vetmi që mbeti gjallë nga sëmundja e kolerës shekuj më parë që mori shumicën e burrave, ku edhe sot tregohet në një varr masiv të përbashkët te një dardhë mes një parcele varresh. Sipas traditës, nuset e reja nuk duhej të martoheshin sërish. Nuk është thashethem që edhe sot, te ky varr, shkojnë të pamartuarat apo të vejat, që luten e qajnë për jetën që u mungon. Varri i tij është shndërruar si një "vend i mirë" ku nata mbetet më e përshtatshme për "vajtim" a lutje për martesë.