Avdyl Loshaj do të pyetet nga Gjykata e Kosovës
Laureta Rryçi
Ministria e Drejtësisë i thotë “Po” kërkesës së Avdyl Loshajt, i cilësuar si dëshmitari kyç në procesin gjyqësor për zhdukjen dhe më pas vrasjen e Remzi Hoxhës në vitin 1995. Avdyl Loshaj kërkoi që për arsye sigurie, seanca e dëshmisë të zhvillohet në Kosovë. Në seancën e djeshme gjyqësore, e cila u zhvillua në Gjykatën e Krimeve të Rënda, përfaqësuesi i Ministrisë së Drejtësisë tha se dikasteri është i gatshëm të pranojë kërkesën e dëshmitarit dhe për këtë ka dërguar një letër- porosi në Ministrinë e Drejtësisë së Kosovës për të mundësuar organizimin e kësaj seance.
Dëshmia
Avdyl Loshaj pritet të japë dëshmi të rëndësishme mbi atë çfarë ndodhi në tetorin e 1995-s, kur së bashku me Ziso Kristopulin dhe Remzi Hoxhën (trupi i të cilit ende nuk është gjetur), u rrëmbyen nga SHIK-u dhe u dërguan në Vain të Lezhës. Loshaj kërkoi që dëshmia e tij të merret në Kosovë për arsye sigurie. Fillimisht letër-porosia për Loshajn u dërgua në Holandë, atje ku mendohet se jeton dëshmitari. Mirëpo për arsye sigurie, Loshaj nuk e tregonte adresën ku jeton dhe ai ka pranuar që të dëshmojë në lidhje me këtë ngjarje vetëm në Kosovë. Loshaj mësohet të jetë shprehur se nuk ka ndër mend të mbërrijë në Shqipëri për këtë çështje, pasi i kërcënohet jeta. Tani u mbetet autoriteteve në Kosovë të vendosin nëse do të lejohet zhvilli i kësaj seance apo jo.
Të akuzuarit
Të akuzuar për rrëmbimin dhe torturimin e Avdyl Loshajt, Ziso Kristopulit, Remzi Hoxhës, në vitin 1995, me pasojë zhdukjen e këtij të fundit janë: Arben Sefgjini, Avni Koldashi dhe Ilir Kumbaro. Gjykatat e Apelit të Romës dhe Trevizos bëjnë me dije se kanë pranuar të pyesin dëshmitarët për gjyqin ndaj ish-pjesëtarëve të Shërbimit Informativ Kombëtar. Këto gjykata kanë caktuar si data të seancave 23 qershorin dhe 8 korrikun. Për të marrë në pyetje shtetasin kosovar Abdyl Loshaj, Drejtësia italiane ka kontaktuar me autoritetet e shtetit të Kosovës. Gjatë këtij procesi pritet të merren në pyetje, në cilësinë e dëshmitarit, Martin Miraj, ish – shefi i SHIK-ut në Lezhë, i cili ndodhet në Itali. Ai do të dëshmojë më 8 korrik 2010 në një nga sallat gjyqësore në Gjykatën e Romës, me vendim të kësaj të fundit. Ndërsa më 23 qershor pritet të merret dëshmia e Riza Shehut, edhe ky ish-punonjës i SHIK-ut (Shërbimi Informativ Kombëtar).
10 Qershor 2010