E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia e Tiranës ndalon Genc Mullaymerin



TIRANË - Arrestohet një 39-vjeçar në Tiranë, pasi ishte denoncuar nga vajza e tij 12-vjeçare për përdhunim. Por jo vetëm kaq. Denoncim ndaj tij kishte bërë dhe bashkëshortja, e cila pretendonte se dhunohej nga bashkëshorti. Ishte Policia e Tiranës që gjatë ditës së djeshme ka bërë të ditur se nga specialistët e Seksionit Kundër Marrëdhënieve Seksuale me Dhunë u realizua kapja e personit të shpallur në kërkim Genc Mullaymeri, 39 vjeç, lindur e banues në Tiranë. Arrestimi i tij është bërë në lagjen e Kombinatit. Burime nga grupi hetimor kanë bërë të ditur se një vit më parë në polici është paraqitur bashkëshortja e të arrestuarit së bashku me vajzën 12-vjeçare. Të dyja femrat kanë bërë denoncime ndaj 39-vjeçarit. Vajza e mitur ka akuzuar të atin se e kishte dhunuar seksualisht disa herë. Në denoncimin e bërë thuhet se i arrestuari i djeshëm kishte ushtruar dhunë ndaj së bijës për të kryer marrëdhënie seksuale me të. Sipas policisë, kjo sjellje e Mullaymerit kishte vazhduar disa kohë, aq sa familja e tij është detyruar që ta denoncojë në polici. Por denoncim ndaj tij kishte bërë dhe bashkëshortja. Ajo ka deklaruar para oficerëve të Komisariatit Nr. 6 në kryeqytet se bashkëshorti e dhunonte sistematikisht. Menjëherë pasi ka marrë denoncimet, policia ka shkuar ta arrestojë 39-vjeçarin, por ai ishte larguar. Që nga ajo kohë ai ishte në kërkim dhe është ndaluar vetëm mesditën e djeshme. Burime nga policia thanë se ai ishte larguar dhe dje ishte kthyer sërish në lagjen e tij. Me të marrë informacionet në rrugë operative, policia ka organizuar aksionin për kapjen e tij. 39-vjeçari Genc Mullaymeri është akuzuar për konsumim të veprës penale “marrëdhënie seksuale me dhunë me të mitura dhe në gjini”. Kapja e tij është bërë e mundur në Vaqarr të Tiranës. Me arrestimin e tij është bërë dhe ekzekutimi i udhrit të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Kapet banda, vidhte makina dhe i shisnin për pjesë
Arrestohen dy të dyshuarit, Julian Morava dhe Petrit Shtjefni, ky i fundit pronar i një varreze makinash
Dy të arrestuar, dy të tjerë në kërkim, akuzohen për një sërë vjedhjesh në Tiranë

Artan CENA
TIRANË - Vjedhja e një makine në parkingun e QSUT-së ka zbuluar një bandë që prej disa kohësh ishte në ndjekje të policisë. Burime zyrtare nga Policia e Tiranës thanë gjatë ditës së djeshme se kanë vënë në pranga dy persona, ndërkohë që dy të tjerë janë shpallur në kërkim si bashkëpunëtorë të tyre. Pasi vidheshin, makinat dërgoheshin në Lezhë ose në Laç, ku më pas shiteshin ose çmontoheshin me qëllim që të shiteshin pjesë-pjesë. Përmes një deklarate për shtyp, zëdhënësja e Policisë së Tiranës njoftoi dje se kanë rënë në pranga në orët e vona të mbrëmjes së dy ditëve më parë, Julian Morava dhe Petrit Shtjefni, përkatësisht 30 dhe 38 vjeç, të dyshuar si autorët e vjedhjes së një automjeti pranë QSUT-së "Nënë Tereza" në Tiranë. Nga hetimet paraprake ka dalë se dy persona, në bashkëpunim edhe me dy shtetas të tjerë, të shpallur në kërkim, rezulton se po gjatë ditës së djeshme kanë vjedhur në Laprakë të Tiranës një tjetër automjet tip "Benz".
Hetimet
Arrestimi i dy të dyshuarve për disa vjedhje dhe shpallja në kërkim e bashkëpunëtorëve, sipas policisë, është bërë pas një pune hetimore të kryer nga specialistë të hetimit të krimit pranë Komisariatit Nr. 4. Rezultoi se këta dy persona, bashkë më të shpallurit në kërkim, të cilët janë tashmë të identifikuar, kanë kryer vjedhjen e një tjetër automjeti, tip “Benz”, i vjedhur dy ditë më parë në Laprakë. Por, policia nuk është ndalur me kaq. Menjëherë kanë nisur verifikimet dhe për disa vjedhje makinash të ndodhura në zonat e Laprakës dhe Qendrës Spitalore Universitare. Gjatë hetimeve është zbuluar se autorë të dyshuar janë të ndaluarit e djeshëm. Pas këtyre verifikimeve, strukturat e hetimit të krimit kanë bërë të mundur dokumentimin e një sërë vjedhjesh të tjera të kryera nga ky grup, me tendencë kryesisht vjedhjet e automjeteve në Tiranë, si dhe procedurën e tyre për dërgimin me qëllim shitjen e tyre në qytete të tjera të Shqipërisë, kryesisht në qytetin e Lezhës.
Sekuestrimet
Pas arrestimit të dy të dyshuarve për një sërë vjedhjesh, policia ka kryer dhe një sërë kontrollesh në disa prej vendeve ku dyshohej se ishin fshehur makinat e vjedhura. Kështu, gjatë mbrëmjes së dy ditëve më parë dhe mëngjesit të djeshëm, në cilësinë e provës materiale u sekuestrua automjeti i vjedhur te QSUT “Nënë Tereza”, si dhe një sërë targash të automjeteve të ndryshme në një varrezë në fshatin Balldren Lezhë, në pronësi të Petrit Shtjefnit. Dosja me materialet hetimore të përpiluara në ngarkim të tyre i kanë kaluar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për hetime të mëtejshme ndaj tyre, për konsumim të veprave penale të “vjedhjes” e realizuar në bashkëpunim.

Në pranga dhe një mjek për moskallëzim krimi
Përdhunohet 7-vjeçari, policia arreston Mandi Dokun
ELBASAN - Policia e qytetit të Elbasanit ka arrestuar ditën e djeshme një person të akuzuar se ka ushtruar dhunë seksuale ndaj një të mituri dhe një mjek, sepse ka vizituar të miturin, ka parë se ai ishte i përdhunuar dhe nuk ka denoncuar. Lajmin e bëjnë të ditur burime policore lokale, sipas të cilave, në pranga ka përfunduar shtetasi Mandi Doda, i cili akuzohet se ka dhunuar 6-vjeçarin me inicialet R. K. Në pranga është vënë dhe Alban Hoxha, 32 vjeç, mjek në Spitalin Kirurgjik Elbasan. Burime zyrtare nga policia lokale thanë se dje është paraqitur dhe ka bërë kallëzim penal i mituri me iniciale R. K., 7 vjeç, lindur dhe banues në Peqin. Nga denoncimi i bërë është mësuar se më datë 19 maj 2010, Mandi Doda ka kryer marrëdhënie seksuale më të miturin. Por në vijim të zbardhjes së kësaj ngjarjeje të rëndë është bërë edhe arrestimi në flagrance i Alban Hoxhës, i cili është mjek roje te urgjenca në Spitalin kirurgjik Elbasan. Hoxha, pasi kishte bërë ekzaminimin dhe mjekimin e të miturit me inicialet R. K., ka konstatuar se te pacienti kishte shenja të marrëdhënieve seksuale dhe nuk ka njoftuar organet kompetente, policinë, për kryerjen e hetimeve të tjera. Me të marrë denoncimin, policia ka nisur menjëherë hetimet duke dokumentuar këtë ngjarje të rëndë. Menjëherë është marrë masa e “arrestit me burg” për Mandi Dokun dhe për mjekun Alban Hoxha. Akuza e ngritur ndaj Dokut është “marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me të mitur” dhe për mjekun Hoxha “moskallëzimit të krimit”.

10 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›