Mosshlyerja e kredive, ATK-ja nis në 1 korrik konfiskimin e pasurive
Ervin KOÇI
Të gjithë debitorët që nuk kanë shlyer kreditë e marra në ish-bankat shtetërore në vitet 1990-’98, kanë si afat të fundit shlyerje fundin e këtij muaji. Data 30 qershor mbetet muaji i fundit për të përfituar nga lehtësitë më të favorshme për shlyerjen e detyrimit që kanë krijuar këta debitorë ndaj Agjencisë së Trajtimit të Kredive. Qeveria dhe ATK-ja kanë vendosur që të mos tolerojnë më asnjë debitor pas datës 30 qershor, ku duke filluar nga data 1 korrik, për këta individ do të nisin sekuestrot e pronave dhe të mirave materiale, ose përndjekja penale sipas ligjit. Aktualisht ATK-ja numëron rreth 12.000 debitorë të cilët kanë lidhje me kreditë e marra në periudhën ‘93-‘98 nga ish-bankat shtetërore të nivelit të dytë. Sipas VKM-së nr. 681, datë 11/06/2009 dhe udhëzimit të ministrit të Financave nr. 35, datë 14/07/2009, debitorët përfitojnë faljen në masën 75-80 për qind të interesave, kamatëvonesave dhe gjobave në rast se paraqiten për të likuiduar vullnetarisht detyrimin deri më 30 qershor të këtij viti. Ndërkohë, duke filluar nga 1 korriku 2010 e në vazhdim, kjo falje zbret në shifrat 60-65 për qind, për të vazhduar kështu deri në likuidimin e qindarkës së fundit edhe nga debitori i fundit për këto lloj detyrimesh.
Borxhlinjtë
Debitorët e ATK-së janë rënduar me interesa, kamatëvonesa dhe gjoba, por edhe me penalitete të tjera për shumë arsye, ku më kryesorja është mosinteresimi i tyre për të likuiduar në kohë e me korrektësi detyrimin e krijuar ndaj shtetit. Kjo lloj indiference e palogjikshme debitorësh, i ka shtyrë ata deri në kufijtë e krijimit të “bindjes” se këto kredi do të harrohen me kalimin e kohës nga shteti, ndaj sot, kur ballafaqohen me shumën e detyrimit që kanë dhe sanksionet ligjore për vjeljen deri në qindarkën e fundit të tij, sipas rastit bëjnë “të paditurin”, “të varfrin”, “të fortin”, “të dëmtuarin”, “të painformuarin”, e kështu me radhë. Një arsye tjetër që e ka shtyrë këtë kategori debitorësh ta flejë mendjen është edhe trajtimi jocilësor, me përzgjedhje e në mënyrë korruptive, që është bërë nga organet drejtuese të ATK-së përgjatë 7-8 viteve të para, që nga krijimi i këtij institucioni në vitin 1998. Përveç të tjerash, në favor të këtij konkluzioni flet edhe rendimenti tejet i ulët i arkëtimeve të kryera në këtë periudhë, në të cilën, sikundër ishte përcaktuar në nenin 23, pika 1 e ligjit nr. 8894, datë 14/05/2002, ishte parashikuar likuidimi i të gjithë portofolit të transferuar të këtyre kredive në masën e 36 miliardë lekëve, ndërkohë që nuk u arkëtuan më shumë se 3,7 miliardë lekë, apo vetëm 10 për qind e tij.
Shansi i fundit
Sipas drejtuesve të ATK-së, debitorët nuk kanë pse e ndërlikojnë më tej situatën e tyre, duke mos reaguar ndaj ofertave favorizuese për momentin aktual. Organet drejtuese të Agjencisë janë të vendosura deri në fund për zbatimin e rreptë të ligjit, jo vetëm ndaj debitorëve hileqarë e të papërgjegjshëm, por edhe ndaj institucioneve kryesore bashkëpunuese, si Shërbimi Përmbarimor dhe zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme, që indirekt apo drejtpërdrejt i favorizojnë këto veprime spekulative. Ndërkohë po punohet edhe për të bërë ndryshimet e duhura ligjore, në mënyrë që të mbyllen të gjitha shtigjet e shmangies nga shlyerja e detyrimit dhe nxjerra e përgjegjësisë për çdo debitor. Sipas ATK-së, “gjithkush duhet të bindet se shlyerjes së borxhit, sidomos borxhit ndaj shtetit, mund t’i dredhosh po aq sa ç’mund t’i dredhosh dhe vdekjes”. Pas përfundimit të afatit të përfitimit, mbetet në dorën e debitorëve të zgjedhin penalizimin dhe turpërimin publik, ose shlyerjen e borxheve. Ata kanë tashmë jo më shumë se 20 ditë kohë për të zgjedhur favorizimet maksimale që u ofron ligji.
10 Qershor 2010