E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trafiku në Tiranë, policia, letër kryebashkiakut për bashkëpunim



TIRANË - Drejtori i Policisë së Qarkut Tiranë, Tonin Vocaj, i ka dërguar një letër kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, ku i deklaron se “konstatohet kaos në lëvizjen e mjeteve, sidomos në segmentet që kanë lidhje me qendrën”. Letra erdhi vetëm një ditë pasi ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, deklaroi se trafiku në Tiranë ka hyrë në kaos. Në letrën e tij, Vocaj i sugjeron Ramës se nevojitet një zgjidhje urgjente e situatës. Pak minuta pas publikimit të letrës reagoi dhe Bashkia e kryeqytetit, ku theksoi se është e habitur për këtë letër të dytë të Vocajt, pasi, sipas saj, “trafiku nuk ka asnjë rëndim jonormal dhe ky është tashmë një problem i zgjidhur pas bashkëpunimit”. Duke iu referuar qendrës së kryeqytetit, ku prej disa javësh vazhdojnë punimet nga Bashkia e Tiranës për rehabilitimin e zonës, Vocaj shprehet në letrën drejtuar Ramës se kaosi në lëvizjen e automjeteve vërehet konkretisht në nga Rruga e Kavajës te 21 Dhjetori, nga Rruga e Durrësit te Zogu i Zi, nga aksi “Zogu i Parë” drejt qendrës, nga rruga “Dedë Gjon Luli”, te Rruga e Dibrës drejt qendrës, si dhe te rruga “5 Maji”. Kreu i Policisë së qarkut Tiranë i ka ofruar Ramës bashkëpunimin e policisë për zgjidhjen e problemit. “Bllokimi i qendrës ka rënduar trafikun e automjeteve. Konstatojmë se problemi ka ardhur nga zbatimi i skemës së Bashkisë së Tiranës. Ofrojmë bashkëpunimin tonë për zgjidhjen e problemit”, - thekson Vocaj në letër.
Por, pas letrës që drejtori i Policisë, Tonin Vocaj, i dërgoi Bashkisë së Tiranës për rëndimin e trafikut, vjen edhe reagimi i saj. Nëpërmjet këtij reagimi Bashkia e Tiranës thekson se është e habitur për këtë letër të dytë të Vocajt, pasi, sipas saj, “trafiku nuk ka asnjë rëndim jonormal dhe ky është tashmë një problem i zgjidhur pas bashkëpunimit”. Sipas deklaratës së Bashkisë, kjo “skemë po funksionon çdo ditë e më mirë”.

Në Librazhd aksidentohet një e moshuar
Fëmija 8-vjeçar në gjendje të rëndë, u përplas nga një makinë
SHKODËR - Dy aksidente me të plagosur kanë ndodhur gjatë ditës së djeshme, një në Shkodër dhe një në Librazhd. Burime nga Policia e Shkodrës kanë bërë të ditur se, rreth orës 11:20, në fshatit Mjedë, bashkia Vau Dejës, ka ndodhur një aksident ku është përplasur një fëmijë 8 vjeç. Ngjarja ka ndodhur pikërisht pranë shkollës së mesme të këtij fshati, kur mjeti tip “Volkswagen”, me targa SH 5934 E, me drejtues David Nikajn, 21 vjeç, banues në Laç, Vau Dejës, ka aksidentuar 8-vjeçarin Albmir Gj., 8 vjeç, lindur e banues në fshatin Shelqet. Fëmija ishte duke ecur në këmbë kur është marrë para nga makina. Si pasojë, i mituri është dëmtuar rëndë dhe është dërguar për mjekim më të specializuar në Spitalin Ushtarak, Tiranë. Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur forcat e policisë dhe grupi hetimor, të cilët ka kryer veprimet e duhura procedurale e hetimore. Policia ka ndaluar drejtuesin e mjetit, David Nikajn.
Një tjetër aksident ka ndodhur në Librazhd, fatmirësisht pa viktima. Burime nga Policia e Elbasanit thanë se një 70-vjeçare me inicialet L. S. është përplasur nga një makinë tip “Benz”, me targë LB 25 97. Automjeti drejtohej nga Enver Tocka, i cili është ndaluar nga uniformat blu. 70-vjeçarja ndodhet në spital dhe gjendja e saj është e rëndë.

Lënë qelinë miqtë e Alban Rexhës, ndryshoi masa e sigurisë

TIRANË – Dje, dy miqtë e Alban Rexhës lanë qelinë. Gjykata pranoi kërkesën e tyre për ndryshimin e masës së sigurisë. Rexha, personazhi i njohur i Kafazit të Artë, akuzohej bashkë me miqtë e tij se në shkurt të këtij viti qëlluan me armë kundër një patrulle policie. Manjola Xhaxho ndryshoi masën e sigurimit nga arrest me burg në arrest shtëpie për të pandehurin Enea Gega. Masa u ndryshua edhe për të pandehurin tjetër, Pajtim Serjani. Ndërsa sot pritet të sillet para gjykatës i pandehuri Alban Rexha. Ndërkohë që në kërkim është edhe një tjetër personazh i njohur. Mbi Enea Gegën, Pajtim Serjanin dhe Shamet Mejdanin rëndon akuza e vrasjes së mbetur në tentativë. Konflikti ka ndodhur me efektivë të policisë mbrëmjen e 29 dhjetorit të vitit 2009. Për këtë ngjarje është arrestuar edhe ish-futbollisti Alban Rexha, i vetëquajtur "ujku", një nga personazhet e njohura të ish-programit reality show “Kafazi i Artë".

10 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›