E Diel, 1 Nëntor 2026

Borxhi, qeveria do të marrë valutë në tregun vendas



Qeveria është vënë në nevojë për para, kryesisht valutë, pasi i duhet të shlyejë interesin e kredisë që mori për rrugën Durrës-Kukës dhe të financoje disa projekte të tenderuara në valutë. Por, në pamundësi për të marrë borxh përmes eurobondit, Ministria e Financave është detyruar të gjejë një zgjidhje tjetër. “Në strategjinë tonë për të diversifikuar financimin do të shohim mundësinë e emetimit të bonove të brendshme në euro”,- ka bërë të ditur Xhentil Demiraj, Drejtor i Borxhit në MF-ë. Bonoja do të emetohet në ankand nga Banka e Shqipërisë, njëlloj si letrat me vlerë në lekë. Kjo është hera e dytë kur qeveria provon të marrë borxh në valutë nga bankat private vendase. “Likuiditeti në tregun e brendshëm vazhdon të mbetet në nivele të konsiderueshme. Norma ka qenë 150% në muajt e fundit”,- ka sqaruar Demiraj. MF-ja u është përgjigjur edhe akuzave të opozitës për rritjen e huamarrjes së brendshme. “Huamarrja e 2010-ës vijon të jetë në përputhje me ligjin. Gjithçka do të bëhet me huamarrjen e brendshme, por edhe atë të jashtme”,- ka shtuar Demiraj. Qeveria është zotuar se do të reduktojë deficitin tregtar gjatë vitit 2010 në kufijtë 4 për qind. Sipas MF-së, një pjesë e eurobodit që Shqipëria do të emetojë në tregun ndërkombëtar do të përdoret për të financuar deficitin buxhetor, tregues që ka arritur vlerën e 49.7 miliardë lekëve. MF-ja ka planifikuar që deficiti buxhetor prej 49.7 miliardë lekë të financohet në masën 39.6 miliardë lekë nga huamarrja e brendshme dhe 10.1 miliardë lekë nga financimi i huaj nëpërmjet kredive të zhvillimit. Zyrtarët e këtij dikasteri bëjnë të ditur se interesat e bonove në tregun e brendshëm kanë pësuar rënie dhe kjo përkthehet në një reduktim të kostove për buxhetin e shtetit.

Shkurt////////////////////////////////////
Qeveria i rikthehet projektit të trenit elektrik

Qeveria shqiptare i rikthehet projektit të trenit elektrik. Kryeministri Berisha ka pranuar dje që financimin e projektit të studimit të fisiblitetit për hekurudhën Tiranë-Durrës, i cili përfshin dhe aeroportin e Tiranës ta kryeje Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Kryeministri Berisha ka takuar sot drejtorin për vendet e Ballkanit Perëndimor të BERZH, Claudio Viezoli ku vlerësoi kontributin e kësaj banke në financimin e projekteve siç është rehabilitimi i rrugës Fier-Tepelenë, projekti i zhvillimit të rrugëve bashkiake, projekti Levan-Vlorë, TEC i Vlorës, Porti i Durrësit etj. Historia e projektit të trenit elektrik ka nisur vite më parë qysh në kohën e ish-kryeministrit Nano dhe ish ministrit të Transporteve, Spartak Poçi. Në 2005 qeveria shqiptare e sapo dalë nga zgjedhjet dhe e kryesuar nga Berisha prishi në mënyrë të njëanshme kontratën me kompaninë amerikane “General electric”, çështje e cila i kaloi në 2008 Gjykatës Ndërkombëtare të arbitrazhit e cila gjobiti Shqipërinë me 20 milion dollarë. Projekti i trenit elektrik përfshinte ndërtimin e një hekurudhe të re 38 kilometra të gjatë që do të lidhte Tiranën me Durrësin e më pas me Golemin. Bashkë me hekurudhën parashikohej edhe ndërtimi i infrastrukturës përfshirë sinjalistikën dhe sistemin e telekomunikacionit që mendohej të montohej në vagonët dhe stacionet e trenit. Krahas kësaj, parashikohej edhe ndërtimi i një degëzimi rreth 6 kilometra të gjatë që do të lidhte hekurudhën me aeroportin "Nënë Tereza". Më një shumë totale rreth 75 milionë dollarë, projekti parashikohej të përmbyllej brenda një periudhe kohore 2 vjeçare duke filluar më pas shfrytëzimin e saj.

10 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›