Ylli Kelmendi fut në sherr Policinë me Prokurorinë
Seanca e radhës në procesin për Lavdërim Tufën u shoqërua me debate mes përfaqësuesit të akuzës dhe trupit gjykues. Shkak i mollës së sherrit u bë dëshmitari Ylli Kelmendi. Policia solli në seancë një shkresë zyrtare ku i shpjegonte gjykatës që pavarësisht disa ditëve kërkime, nuk kishin arritur ta gjenin Kelmendin për ta sjellë në sallën e gjyqit. Për këtë arsye, gjykata vendosi ta përjashtojë Kelmendin nga lista e dëshmitarëve duke hequr dorë nga kërkesa për të gjetur vendndodhjen e Kelmendit. Ky vendim solli reagimin e menjëhershëm të prokurorit të çështjes, i cili u shpreh në sallën e gjyqit se dëshmitari po lëviz lirshëm çdo ditë nëpër kryeqytet. Prokurori këmbënguli më tej që Kelmendi të mos përjashtohej nga lista e dëshmitarëve për shkak se ai cilësohet si dëshmitar kyç në këtë proces. Gjykata pas këtij reagimi u shpreh se nëse prokuroria do të ketë prova të reja është e gatshme ta revokojë këtë vendim. Kelmendi ka dëshmuar në Gjykatën e Krimeve të Rënda, mirëpo pavarësish se në vrasjen e Fatmir Ramës ai mbeti i plagosur, dëshmoi që nuk i njohu autorët se ishin me maska.
Në ngjarjen që ndodhi pak kilometra larg kryeqytetit mbeti i vrarë Fatmir Rama, apo Miri i Xhikes, Julian Durishti dhe u plagos Kristaq Cami. Apeli i Krimeve të Rënda vendosi katër vite pas dënimit me “burgim të përjetshëm” të Tufës, ta rikthejë çështjen për rigjykim, por kësaj radhe në Gjykatën e Tiranës. Shkak, sipas arsyetimit të vendimit të trupës gjyqësore për dhënien e këtij vendimi, kanë qenë shkelje të shumta procedurale, mes të cilave më kryesorja, moskompetenca. Sipas kësaj trupe gjykuese, i pandehuri Tufa nuk duhet të ishte gjykuar nga Krimet e Rënda, por nga Gjykata e kryeqytetit. Prokuroria e Tiranës dorëzoi dje dosjen për rigjykim dhe shorti elektronik përcaktoi treshen e gjyqtarëve që do të rigjykojnë këtë çështje. Kryesuesi u përcaktua gjyqtari Albert Meçe. Vrasja e Fatmir Ramës (Mirit të Xhikes) ndodhi më 29 mars 2002, gjatë një ndeshjeje futbolli në kohën që ai ndodhej te “Kartodromi 2000”, pronë e tij, së bashku me shokët e tij, duke ndjekur një ndeshje futbolli. Nga ana e policisë, por edhe e prokurorit të çështjes, u fol për dy ekzekutorë, ndërkohë që njëri prej tyre mbetet edhe sot i pazbuluar, ndërsa personi i dytë i akuzuar, Lavdërim Tufa. Përgjatë procesit hetimor e gjyqësor, por edhe shpalljes së vendimit, Tufa dhe familjarët e tij kanë pretenduar pafajësinë.
Procesi i Aldo Bares
Avokati dhe prokurori kundërshtojnë vendimin e KLD-së
Vendimi i Këshillit të Lartë të Drejtësisë për zëvendësimin e një gjyqtari në procesin e Aldo Bares u kundërshtua dje nga të dyja palët në proces. Dje, në Gjykatën e Krimeve të Rënda u zhvillua seanca e radhës gjyqësore ndaj Aldo Bares, i njohur ndryshe si Alfred Shkurti. Seanca u shoqërua me debate për shkak të zëvendësimit nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë i gjyqtarit Artan Broci me gjyqtaren Ardiana Beraj, por leximi i këtij vendimi nga gjyqtarja Fatmira Hajdari ka shkaktuar reagimin e prokurorit të çështjes Besnik Muçi. Ai ka kërkuar që Beraj të mos jetë pjesë e trupit gjykues pasi, sipas tij, ajo ka marrë pjesë në një seancë për sigurim prove në procedimin ndaj Rexhep Gines, një nga të akuzuarit e Bandës së Aldo Bares. Ndërkohë, avokati mbrojtës i Bares kërkoi të dinte nëse përzgjedhja e Ardiana Berës është bërë me short ose jo. Debatet e shkaktuara në sallë detyruan trupin gjykues që të pezulloje seancën dhe ta shtyjë atë për një datë tjetër. Aldo Bare akuzohet për një sërë veprash të rënda penale, mes të cilave krijim dhe drejtim të organizatave kriminale, për vrasje të kryera në kuadër të organizatës kriminale dhe pengmarrje.
Qafë-Gjashta, dëshmitari rikthen ngjarjen e 13 viteve më parë
Gani Fevzia tregoi dje përpara trupit gjykues të kryesuar nga gjyqtari Fran Prendi, momentet e 13 viteve më parë. Sipas dëshmitarit, ai ka qenë në banesën e tij kur ka dëgjuar shpërthimin e një bombe që i kishte shkaktuar gjendjen e të fikëtit një anëtari të familjes së tij. Më pas ai kishte dëgjuar të shtëna armësh. “Dola nga shtëpia dhe duke shkuar për në lokalin e vogël që kisha rreth 200 metra larg, dëgjova njërin që thoshte ‘mos e vrit’. Kam parë edhe një grup personash, por nuk kam njohur ndonjë prej tyre”, - deklaroi dje dëshmitari Fevzia. Më tej ai i sqaroi gjykatës se nga një fqinj i tij ishte vënë në dijeni se në atë ngjarje ishte vrarë dhe më pas djegur punonjësi i Policisë së Shtetit, Gjergj Mehmeti, si dhe ishte plagosur një tjetër. Gjatë seancës së djeshme i pandehuri Nestor Sinani i kërkoi gjykatës sjelljen në gjykatë për të dhënë deklarimet e tij dëshmitari Eduart Aliaj, i cili është marrë peng nga të pandehurit. Seanca e radhës pritet që të zhvillohet javën e ardhshme. Ngjarja për të cilën akuzohen të pandehurit ka ndodhur më 4 mars të vitit 1997, në Qafë-Gjashtë të Sarandës. Ditën e ngjarjes, Sokol Bizhga, atëherë shef i Krimeve në Vlorë, Gjergj Mehmeti, shef policie në Vlorë dhe Eduart Alia, punonjës policie, po udhëtonin drejt Sarandës. Në vendin e quajtur Qafë-Gjashta i pritet rruga nga disa persona të armatosur dhe të maskuar. Eduart Alia u mor peng prej tyre dhe pas një jave torturash lirohet. Ndërsa Gjergj Mehmeti u qëllua me bajonetë nga grupi kriminal dhe më pas në gjendje mjaft të rëndë u spërkat me napalm duke u djegur i gjallë. Në makinën me të cilën po udhëtonin punonjësit e policisë u vendos një sasi mjaft e madhe eksplozivi. Për shkak të shpërthimit të saj ngeli i plagosur në këmbë Sokol Bizhga.
10 Qershor 2010