Vajza e Kristopullit: Babai i masakruar pas lirimit nga SHIK
Alma Kristopulli tregoi para gjykatës bisedën me të atin në Qytetin Studenti
TIRANË- Alma Kristopuli, e bija e të rrëmbyerit prej SHIK-ut,Ziso Kristopullit kujtoi dje para gjykatës momentet kur i ati kishte shkuar me plagë në qytetin Studenti, ku ajo banonte bashkë me të motrën studente, mesnatën e 23 tetorit 1995. “Ka qenë mesnata e datës 23 tetor 1995, kur babai ka trokitur në derën e dhomës së konviktit 2829 të Qytetit Studenti dhe ka hyrë brenda, duke ecur me vështirësi. Aty kemi mësuar se ai ishte rrëmbyer nga SHIK-u për pesë ditë dhe ndaj tij ishte ushtruar dhunë çnjerëzore me sende të forta. Ai mezi ecte për t’u ulur në krevat të dhomës, pasi shputat e këmbëve i kishte të nxira e po ashtu edhe barkun. Nga fjalët e tij mësuam se ishte rrëmbyer me datë 18 tetor nga punonjësit e SHIK-ut në Ksamil, të cilët i ishin prezantuar si punonjës të Kontrollit të Lartë të Shtetit që më pas e kishin dërguar në Tiranë dhe nga këtu në Vain të Lezhës, duke ushtruar dhunë të tmerrshme ndaj tij. Tek dera e konviktit e priste një makinë, me disa persona brenda dhe babai vendosi të rrinte tek ne se ata e kishin liruar. Atë natë na tregoi të gjithë tmerrin dhe të nesërmen motra e ka shoqëruar për në Livadhi të Sarandës, ku pas 20 ditësh qëndrimi aty është dërguar në Greqi për mjekim”-tha ajo me një zë të ngjirur, duke shtuar se më shumë se gjysmën e rrugës e kishte bërë babai me kokë të mbuluar nga efektivët e SHIK-ut.