E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bulqiza e Shkodra tronditen nga tritoli

 Policia lokale bëri të ditur se shpërthimi ka ndodhur në derën e banesës së shtetasit Ardian Duriçi, duke shkaktuar vetëm dëme materiale.

 Ngjarja ndodhi rreth orës 02:30 të mëngjesit të sotëm. Policia ka shoqëruar disa persona si të dyshuar.

Kujtojmë se ky shtetas qe arrestuar kohë më parë, pas një konflikti për kromin në qendër të qytetit të Bulqizës, ngjarje e cila përfundoi me një të vdekur dhe dy të plagosur. Policia arrestoi në atë kohë shtetasin Arben (Ilia) Duriçi, Ardian Duriçi, vëllezër si dhe u shpall në kërkim Ilir Jangulli.

Konflikti kishte nisur midis familjes Duriçi dhe Jangulli për shfrytëzimin e kromit në minierën e Bulqizës. Forcat e rendit kanë shkuar në vendin e ngjarjes ku kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e ngjarjes. Ende nuk dihen motivet e shpërthimit, ndërsa policia pritet të sqarojë më vonë.

Ndërkohë, një shpërthim i fuqishëm tritoli ndodhi mëngjesin e sotëm në lagjen “Vasil Shanto” të qytetit të Shkodrës, duke lënë të plagosur një shtetas. (foto nga shpërthimi)

Zëdhënësja e policisë së Qarkut, Fatbardha Çelepia, sqaroi se ngjarja ndodhi rreth orës 06:40 minuta të së enjtes, ku ka marrë flakë një automjet tip Benz, me ngjyrë gri.

Si pasojë e këtij shpërthimi, ka pësuar dëmtime drejtuesi i mjetit shtetasi Mark Gjoni, 60 vjeç, banues në lagjen “Mark Lula” të qytetit Shkodër, i cili është dërguar në Spitalin Rajonal Shkodër, me plagë të rënda, djegie dhe bëhet me dije se ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Aktualisht në vendin e ngjarjes ndodhen ekspertë të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Shkodër, të cilët në bashkëpunim me ekspertë të ardhur nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit dhe me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër, po punojnë për zbardhjen e plotë dhe sqarimin e rrethanave të ngjarjes. Në përfundim të kryerjes së veprimeve hetimore e procedurale, do dërgojmë dhe një informacionin më të plotë në lidhje me ngjarjen. /S.Ll/Start/

                                                                                             2011-10-13 08:43
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›