E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nis mbledhja e Këshillit Bashkiak për pesë vendime

Dy prej projektvendime kanë të bëjnë me dhënien e titullit “Qytetar Nderi i Tiranës”, për Kryeministrin e Kuvajtit dhe aktoren e mirënjohur shqiptaro-amerikane, Eliza Dushku, ndërsa projektvendimi tjetër lidhet me kalimin e Futboll-Klub “Tiranës” në një shoqëri aksionere, siç e kërkon dhe vendimi i fundit i Federatës Shqiptare të Futbollit. Ky projektvendim synon fuqizimin e Futboll-Klub Tiranës, uljen e shpenzimeve të taksapaguesve dhe vënien në efiçencë të plotë të aseteve të këtij klubi, duke mundësuar financime.

Dy projektvendimet e tjera lidhen përkatësisht me rikonceptimin e strukturës dhe organikës së bashkisë së Tiranës që konsiston në krijimin e pesë Drejtorive të përgjithshme dhe gjashtë drejtorive të tjera dhe ngritjen e Agjencisë së Mbrojtjes së Konsumatorit. 

Në strukturën e re të bashkisë pritet të funksionojë për herë të parë Drejtoria e Turizmit, një Drejtori për investimet e huaja dhe Drejtoria e Përgjithshme e Investimeve Strategjike, që përveç Drejtorisë së Investimeve të Huaja dhe Parkut Teknologjik do të kujdeset për disa nga projektet strategjike të kryeqytetit në katër deri në tetë vitet e ardhshme siç janë shtrirja e aksit kryesor nga bulevardi verior i qytetit, rehabilitimi i lumit të Tiranës, ndërtimi i linjave të Trampit, përfundimi në faza i Unazës së Madhe dhe investime, etj. 

Gjithashtu Drejtoria e Sportit, Artit, Kulturës dhe Rinisë do të ndahet në dy drejtori të veçanta, një për artin dhe kulturën dhe një për sportin dhe rininë. Vendimi tjetër që i është paraqitur Këshillit Bashkiak për miratim ka të bëjë me eliminimin apo uljen e 60 taksave apo tarifave bashkiake. Projektvendimi ka të bëjë me përmirësimin e konkurrueshmërisë së Tiranës, në raport jo vetëm me bashkitë dhe komunat e Shqipërisë, por edhe me rolin që kryeqytetit duhet të luajë në vend, rajon e më gjerë, si një ekonomi kompetitive dhe si terreni më i përshtatshëm për të bërë biznes.

Ulja e këtyre taksave e tarifave, kombinuar me funksionimin e një sporteli të vetëm për dhënien e liçencave dhe lejeve, proces që është në zhvillim e sipër në bashkëpunim me Bankën Botërore, janë dy nga premtimet e Bashës sa i përket hapjes së vendeve të punës dhe stimulimit të rritjes ekonomike, nëpërmjet krijimit të hapësirave për biznesin e vogël, të mesëm, VIP, kompanitë ekzistuese dhe ato që duan të investojnë në Tiranë.

Në këtë mënyrë synohet të shmanget çdo burokraci apo abuzim që është vënë re më parë, duke treguar kështu se Tirana është e hapur për biznes dhe mirëpret biznesin vendas dhe të huaj. Edhe pse jo e përfshirë në rendin e ditës, Kryebashkiaku Basha do t’i kërkojë Këshillit të konsiderojë aprovimin, në kuadrin aktual buxhetor, e hapjes së tenderit për projektin teknik të një segmenti të dytë të Unazës së Madhe, nga Shkolla Teknologjike, tek Qendra “Kristal”. /Start/

                                                                                             2011-10-12 17:20
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›