E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aviacioni Civil, marrëveshje mes Italisë e Shqipërisë

Nënshkruhet memorandumi i bashkëpunimit ndërmjet Autoritetit të Aviacionit Civil Shqiptar dhe Entit Kombëtar të Aviacionit Civil Italian. U nënshkrua dje memorandumi i bashkëpunimit ndërmjet Autoritetit të Aviacionit Civil Shqiptar dhe Entit Kombëtar të Aviacionit Civil Italian, ENAC. Memorandumi në fjalë u nënshkrua nga drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit të Aviacionit Civil Shqiptar, z. Ervin Mazniku dhe nga drejtori i Përgjithshëm i Entit Kombëtar të Aviacionit Civil Italian, z. Alessio Quaranta. Qëllimi i këtij memorandumi është të thellojë dhënien e asistencës teknike Autoritetit të Aviacionit Civil Shqiptar, nëpërmjet hartimit dhe respektimit të një plani mbikëqyrjes së operimeve dhe funksionimit të Operatorëve Komercialë Ajrorë Shqiptarë dhe atyre të huaj. Gjatë fjalës së tij, z. Mazniku u shpreh se metodologjia që do të përdoret gjatë zhvillimit në praktikë të këtij plani do të jetë e bazuar në standardet e Organizatës Ndërkombëtare të Aviacionit Civil, ICAO, Agjencisë Evropiane të Sigurisë Ajrore, EASA, rregulloreve të operimit dhe funksionimit të Operatorëve Ajrorë të Bashkimit Evropian, si dhe në bazë të praktikave më të mira të Entit të Aviacionit Civil Italian, ENAC. Nëpërmjet këtij Memorandumi, do të arrihet në përmirësimin dhe modernizimin e kapaciteteve mbikëqyrëse të Autoritetit të Aviacionit Civil, në rritjen e nivelit të performancës si dhe në përmbushjen cilësore të objektivave afatshkurtra që ky autoritet ka për tu bërë pjesë përbërëse funksionale e familjes evropiane. Një memorandum i tillë thellon dhe forcon partneritetin ndërinstitucional mes dy autoriteteve përkatëse, duke e strukturuar atë në një mënyrë bashkëkohore sipas modelit të funksionimit të marrëdhënieve të aktorëve të aviacionit Civil të Bashkimit Evropian. Ndërsa Alessio Quranta u shpreh se nënshkrimi i këtij memorandumi, një shenjë tjetër e thellimit të miqësisë mes dy popujve tanë, është i rëndësishëm për thellimin dhe forcimin e bashkëpunimit ndërmjet Autoritetit të Aviacionit Civil Shqiptar dhe Entit Kombëtar të Aviacionit Civil Italian.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›