E Diel, 1 Nëntor 2026

Prifti: Cilësia e karburanteve, jo brenda standardeve, do rrisim kontrollet

Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës ka pranuar dje se cilësia e karburanteve nuk është në nivelin e kërkuar dhe nuk plotëson standardet e BE-së. Por ai nënvizoi se po rriten kontrollet ndaj cilësisë së karburanteve. Kam bindjen që cilësia e karburanteve nuk është në nivelet e standardeve evropiane. Ka një ndërgjegjësim të madh të strukturave të shtetit dhe sidomos të Inspektoratit Qendror Teknik për të kontrolluar dhe për të nxitur forcën goditëse ndaj atyre që abuzojnë me cilësinë e karburanteve, - tha Prifti. Ai bëri me dije se nëse një vit më parë Inspektorati Qendror Teknik vendoste 50 gjoba në vit në lidhje me cilësinë e karburanteve, sot ai vendos të paktën 200 gjoba në muaj, lidhur me cilësinë e karburanteve, me dokumentacionin apo licencat. Ai sqaroi se ka pasur problem të rëndësishëm dhe të madh sepse gjobat nuk vileshin. Ligji i jepte të drejtën Inspektoratit të vinte gjobën dhe pushtetin vendor ta vilte atë, ndërkohë që pushteti vendor në asnjë rast nuk merrej me vjeljen e gjobave dhe frika nga forca goditëse e institucioneve shtetërore nuk ekzistonte. Ne kemi bërë para një muaji ndryshimin e ligjit të e gjobave. Gjobat bëhen titull ekzekutiv dhe vilen menjëherë nga institucionet që i vendosin ato. Nuk është firmosur ende nga Presidenti, por për çështje ditësh kjo do të ndodhë dhe ligji i gjobave ashpërsohet shumë. Nuk do kenë interes më as karburantet dhe as shpërndarësit e hidrokarbureve, sepse gjobat do të jenë titull ekzekutiv dhe do të arrihet deri në sekuestrim të pronës, të pasurisë, të biznesit. Besoj që ligji i ri i gjobave do të ndikojë në cilësinë e karburanteve, - sqaroi ministri Prifti.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›